TemA Online, 20 Qershor 2012
Ish aleati i dikurshëm i demokratëve, sot bashkëpunëtor në kampin e majtë, Spartak Ngjela ka deklaruar sot se me emërimin e Nishanit president të Republikës, kryeministri Berisha i ka shpallur luftë të pastër Uashingtonit. “Sali Berisha është në konflikt me Uashingtonin. Të shikojmë kush do e fitojë luftën. Ne jemi me Uashingtonin”, tha ai në një intervistë për TV A1Report.
Ngjela ka sulmuar edhe lëvizjen e re të ish-kryeministrit Fatos Nano, e cila, sipas tij, po demoralizon elektoratin e majtë. “Unë di që elektorati i majtë është i pezmatuar. Nga vjen ky pezm dihet, vjen nga lëvizja e vakët, pa sens dhe pa diksion politik i opozitës”, tha ai.
Sipas tij lëvizjet nuk duhet të bëhen brenda Partisë Socialiste por përballë Kryeministrit. “Saliu po i fiton betejat. Po i vjedh, po i grabit. Është kundër të gjithë perëndimorëve. Megjithatë dhe jeton. Opozita është jashtë sensit normal që të një shoqërie që di të protestojë”, tha Ngjela.
Por si e shkon Ngjela pozitën aktuale të kryesocialistit Rama? “Beteja me presidentin la një shije të hidhur në opinionin publik. Opozitës po i bien aksionet. Po copëzohet në funksionin elektoral. Mund të dalin lëvizje të tjera që mund të jenë më elokuente, siç po duket”, tha ai duke iu referuar njoftimeve të Fatos Nanos për të rimarrë kryesinë e PS.
“Megjithatë – sipas Ngjelës – kryesorja është që të zgjidhet çështja e një ligji elektoral i cili të garantojë zgjedhjen e lirë. Pastaj gjithë të tjerat… guri e gjen vetë vendin e vet”.