TemA Online, 4 Prill 2013
Spartak Ngjela bashkimin e PS-së me LSI-në e ka konsideruar një akt politik në funksion të fitores së zgjedhjeve të 23 qershorit. Sipas tij, largimi i LSI-së e dëmton Berishën dhe për pasojë do të sjellë humbjen e tij në zgjedhje. Ngjela është ndalur edhe tek ata që thonë se ky akt nuk është i moralshëm, duke thënë se është më mirë që votat e LSI-së të shkojnë për PS-në se për Berishën.
“Largimi i LSI-së nga koalicioni qeverisës përfaqëson një akt politik. Dhe ne, si opinion publik, si shoqëri shqiptare, duhet të mësohemi me aktin politik. Kjo pasi politika në funksion të lidershipit kryesor politik, është akt. Ilir Meta bën një akt me refleks shumë të madh shoqëror. Po ta shikojmë me gjakftohtësi, ai është larguar nga koalicioni i drejtuar nga Sali Berisha në një moment shumë të rëndësishëm për të ardhmen demokratike të Shqipërisë. Pyetja që ngrihet këtu është kjo: largimi i Ilir Metës nga koalicioni qeverisës, e dëmton apo e forcon Sali Berishën?
Të gjithë analistët thonë se e dëmton. Atëherë fakti që e dëmton dhe garanton humbjen e tij në zgjedhjet e 23 qershorit, tregon se akti “Meta” është në konkordancë me interesin shoqëror. Fitorja e zgjedhjeve nga Sali Berisha do të jetë një fatkeqësi shoqërore, atëherë kush e dëmton këtë mundësi natyrisht që vlerësohet.
Kundërshtari në politikë nuk është armik dhe as mik, ai është ose aleat ose kundërshtar dhe kurrë nuk mund të jetë ose mik ose armik. Këtë duhet ta kuptojmë mirë. Në këtë rast unë mendoj se largimi i Metës nga Berisha e dëmton përfundimisht këtë të fundit. Nisur nga kjo, ftesa e Partisë Socialiste, edhe nëse do ta inkuadrojmë si gjykim për një aleancë të mundshme PS –LSI ka në vetvete arsye normale politike; dhe në këtë rast si arsye politike duhet kuptuar ajo që është në funksion të fitores. Edi Rama që drejton opozitën, duke përfituar nga akti Meta dhe në funksion të fitores, mendoj se i duhej një aleancë me atë që e kishte kundërshtar.
Ilir Meta ndoshta ka gabuar në bashkimin me qeverinë e drejtuar nga Sali Berisha, por ky gabim duhet parë jo në funksion mbarëshoqëror, por në funksion të së majtës shqiptare. Pikërisht për këtë mund të ketë shumë socialistë që janë hutuar, apo mërzitur me këtë aleancë, por në këtë rast lind kjo pyetje: nëse Meta vërtet gaboi kur u bashkua me Berishën në qeverisje, duke i lënë të gjithë të tjerët, a nuk po ndihmon tani me aktin e tij për fitoren e tyre? Në fakt politika arsyetohet kështu dhe jam i bindur se shprehja angleze se: The victory discounts everything (Fitorja rrafshon gjithçka), do të jetë e përshtatshme edhe për socialistët, të cilët tani e kanë të garantuar fitoren. Është arsyeja e fitores ajo pra që mund të japë një përgjigje shteruese edhe mbi disa rezerva të shprehura së fundmi për koalicionin e mundshëm PS-LSI.
Kam përshtypjen këto zëra nuk e kanë parë në prizmin, në të cilin unë fola. Atëherë në lidhje me këtë, brenda këtij rasti, del kjo pyetje: po sikur Meta të merrte në zgjedhjet e 23 qershorit 5 deputetë dhe këta të pestë të përbenin fitoren për qeverisje, qoftë nga PS-ja, qoftë nga PDja? Çfarë do të ndodhte me të mërziturit e sotshëm, nëse të 5 deputetët e vet Ilir Meta do t’i bashkonte me PS-në? Mos ndoshta këta do të thoshin nuk e duam fitoren se po na e jep Meta? Asnjëherë nuk do të ndodhte kjo. Atëherë derisa ky akt qenka i moralshëm pas zgjedhjeve, pse vallë nuk qenka i moralshëm përpara zgjedhjeve? E them këtë vetëm me një qëllim: që të mendojmë gjithmonë politikisht.
Prandaj unë i kthehem sërish asaj që shpreha më lart. A fiton apo humbet Berisha me aktin Meta? A fiton apo humbet opozita me aktin Meta? Përgjigjen gjejeni vetë, por më lejoni të shprehem se po është dëmtuar Sali Berisha, kemi përfituar një logjikë tjetër; nuk ka kush mërzitet me dëmin e Berishës dhe me përfitimin e opozitës. Tjetër logjikë nuk ka, me përjashtim të asaj që vjen si pasojë e naivitetit emocional. Dhe brenda kësaj panorame politike nuk duhet të harrojmë faktorin ndërkombëtar. Mesa shohim ka një impenjim ndërkombëtar të qartë. Sali Berisha ka krijuar në vetvete një burim rreziku për ekuilibrat shoqërorë në Shqipëri. Ai është patologjik në veprimet e procesit zgjedhor dhe, si pasojë e kësaj, politika ndërkombëtare, partnere e Shqipërisë i trembet”, shkruan Ngjela./b.l