ResPublica.al, 19 janar 2013
Ngjela nuk është kursyer në metafora, në një intervistë për Plarent Shehun te Shekulli i sotëm.
Shteti dhe Ligji:
…në një vend ku kryeministri është xhandar, gjyqtarët janë policë dhe familja kryeministrore është një entitet fisnor feudal, kurrë mos t’ju shkojë mendja se do të funksionojë ndonjëherë ligji.
Kryeministri dhe Familja:
“Të gjitha krimet që rëndojnë sot mbi shpatullat e Kryeministrit Sali janë kryer pikërisht në funksion të çerdhes së tij familjare feudale, e cila është ndërtuar krejtësisht në raporte vasaliteti dhe jo ligji;
“Shqiptarët sot janë pa shpresë, pa besim tek e ardhmja dhe të trishtuar nga varfëria dhe fyerja, sepse mbi ta ka abuzuar një klikë feudale që ka mbiemrin e kryeministrit shqiptar dhe emrin e të gjithë vasalitetit Berisha. Qofshin këta ministra, parlamentarë apo gangster rrugësh.”
Vasalët:
“…a doni t’i dini se cilët janë vasalët kryesor të kryeministrit dhe çerdhes së tij feudale: “Presidenti me mustaqe Bujar, Ministri i Brendshëm ende aguridh, një vasal ‘sui generis’, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve , e të tjerë si këta – kurse, shumica, s’janë as vasalë, por vetëm njerëz të kapur dhe të frustruar. E pra, a mendoni tani se mund të ketë ligj dhe drejtësi nën peshën feudale të një oligarkie injorantësh dhe hajdutësh njëherësh?”
Ngjela pohon se ka bërë një marrëveshje me kryetarin socialist, Edi Rama:
“Marrëveshja ime ka qenë dhe mbetet instalimi me çdo çmim i shtetit ligjor, të drejtë, moral dhe me principe perëndimore në Shqipëri. (…) E kam parë se edhe kryetari socialist e ka këtë intecion, prandaj, unë mendoj se vendosja e ligjit, moralitetit, dhe funksionimit të demokracisë liberale perëndimore në Shqipëri do t’i japë zgjidhje ligjore të gjitha abuzimeve që janë kryer në kurriz të shqiptarëve.
“Prandaj, unë jam i bindur se pas qershorit 2013 fillon në Shqipëri beteja reale për ligjin, moralitetin dhe dinjitetin e shqiptarit. Do të fillojë ngritja e personalitetit real të shtetit të mëpërkëmbur shqiptar, sepse kjo është kërkese imperative dhe kategorike e vet shqiptarit. Shqipëria është ose në prag të shpëtimit të saj nëpërmjet ligjit dhe moralitetit, ose në prag të konflikteve të mëdha shoqërore.”
K.C.
I plotë:
http://shekulli.com.al/web/p.php?id=14007&kat=100