TemA Online, 19 Gusht 2012
Avokati Spartak Ngjela ka lëshuar një deklaratë të fortë ndaj kryeministrit Berisha, duke thënë se çdo popull evropian do e kishte rrëzuar brenda 24 orëve, duke parë krimet që ka bërë gjatë këtyre viteve.
“Po ju vazhdoni, si e duroni një njeri që jua ka bërë të gjitha: ju shkatërroi në vitin 1997, ju shkatërroi në këta shtatë vjet sërish, dhe ju fyen e po ju poshtëron përditë. Do t’ju vijë turp nga brezat për këtë gjendje turpi që po mbani. Dhe kishte të drejtë. Një njeri të tillë, çdo popull europian do ta fshinte në 24 orë. Ne shqiptarët, në fakt, ende s’jemi europianë. Prandaj, le të vuajmë dhe pak kohë kështu, të fyer dhe të poshtëruar nga një barbar…“, ka thënë Ngjela në rrjetin social Facebook.
Deklarata e Ngjelës i referohet një bashkëbisedimi me një francez.
“Ne kemi rrëzuar Sharl De Golin që na shpëtoi në luftë dhe na ngriti personalitetin në paqe, që na bëri fuqi bërthamore e na pasuroi. Kështu më tha një francez dje. E rrëzuam, tha, sepse filloi të na imponohej si absolut“, shprehet Ngjela.
“Përsa kohë një shoqëri nuk është në gjendje që të kuptojë solidaritetin e brendshëm shoqëror, detyrat e përbashkëta për komunitetin, kundërshtimin e përbashkët të një qeverie abuzuese dhe, sidomos, kur nuk e di se çfarë është identiteti kombetar, ajo shoqëri nuk formon një popull, por një ‘milet çfarëdo’ që nuk ka lidhje me kombin. Po ne, jemi ndërkohë, popull apo milet?”, e mbyll me ironi Ngjela.







