Ngjarja e gjeneralëve: Ka pasur rol një Forum Shqiptar i Kanadasë???

0
42

ResPublica.al, 31 maj 2013

Tre gjeneralët e shkarkuar nga detyrat, Sandër Lleshi, Dhori Spirollari dhe Abaz Lleshi kanë dalë në një konferencë për shtypin, dhe kanë pretendime krejt të tjera nga ato të ministrit Imami. Në këtë konferencë, Leshi ka nxjerrë dhe një arsye të shkarkimit të tij, e cila mbetet ende në nivelin e dyshimit: “Autoritetet janë motivuar nga propozimi i një organizate integraliste me natyrë të errët, e quajtur ‘Forumi Shqiptar i Kanadasë’, e cila ka dërguar një propozim publik për lirimin tim nga Forcat e Armatosura me pretendime absurde që lidhen thjesht dhe vetëm me besimin tim katolik”.

Në fakt, ky Forum, për të cilin nuk dihet ende shumë, u ka dërguar një letër ankese autoriteteve të shtetit, ku nënvizojnë një qasje jo shekullare, madje prej kryqtari, të Sandër Lleshit, dhe në këtë përfundim kanë arritur nga një shkrim i këtij të fundit të publikuar në Panorama. Shihni letrën e tyre në linkun http://www.albforcan.org/2013/04/08/leter-presidentit-z-bujar-nishani-ne-lidhje-me-keqperdorimin-e-nato-s-nga-zv-shefi-i-shtabit-te-forcave-te-armatosura-te-republikes-se-shqiperise/. Ndërsa shkrimin e Sandër Lleshit, për të cilin ata janë trazuar, mund ta gjeni në linkun http://www.panorama.com.al/2013/04/01/nato-aleanca-jone/.

Re.Pu.

——————

Letër Presidentit Bujar Nishani në lidhje me keqpërfaqësimin e NATO-s nga zv.shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë

Toronto, 8 prill 2012

Drejtuar: Bujar Nishani,
President i Republikës së Shqipërisë,
Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura.

Për dijeni: Arben Imami
Ministër i Mbrojtjes

Gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi,
Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të RSh.

Adriatik Llalla,
Prokuror i Përgjithshëm i RSh

NATO Headquarters Tirana,
Public Information Office

I nderuar z. President,

Më datë 1 prill 2013, në gazetën “Panorama” kemi lexuar një shkrim nga z. Sandër Lleshi, zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë me titull “NATO, aleanca jonë”.

Në shkrimin në fjalë z. Lleshi ndërsa përshëndet anëtarësimin e Shqipërisë në Aleancën e Atlantikut të Veriut – NATO, hedh disa teza të cilat janë sa të pasakta shkencërisht/historikisht, aq edhe shqetësuese për qytetarët shqiptarë që janë shekullarë apo që i përkasin besimeve e bindjeve të ndryshme. Shkrimi i z. Lleshi nis me një rrëfim fetar të ndarjes së Kishës Romake në dy degë në vitin 1054 – në Kishën Katolike dhe Ortodokse. Më pas ai e lidh fatin e Shqipërisë (Arbërisë) me këtë histori mesjetare kishtare dhe vajton ndarjen e Arbërisë nga Kisha Katolike dhe qëndrimin e saj nën perandorinë bizantine dhe më pas osmane.

Këtë të kaluar mesjetare ai e lidh me realitetet moderne të Shqipërisë, ku sipas tij, pas 1000 vitesh jetesë nën bizantinët ortodoksët dhe osmanët muslimanë, në 1 prill të vitit 2009 kur Shqipëria u bë anëtare e NATO-s, ndasia mori fund. Për të “festuar” anëtarësimin e vendit tonë në NATO, zv. shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë sonë përdor edhe një terminologji katolike duke brohoritur “Haleluja” – tamam siç brohorasin muxhahidinët islamikë kur thonë “Allahu Ekber”. Për fat të keq, zotëria në fjalë futjen e Shqipërisë në NATO e sheh si vijimësi të luftës mesjetare të Skënderbeut për krishtërimin kundër muslimanëve.

Edhe pse shkrimi në fjalë përmban edhe terma modernë, ku NATO tregohet si një aleancë ushtarake e cila “bashkon kombe që ndajnë vlera të përbashkëta të lirisë, demokracisë” etj., analogjia fetare e shkrimit është sa shqetësuese aq edhe e gabuar.

Forumi Shqiptar i Kanadasë është konsultuar me dokumentet zyrtare të NATO-s, dhe ka konstatuar që NATO nuk është një organizatë kristiane e për më tepër katolike. Themeluar gjatë Luftës së Ftohtë me marrëveshjen e Aleancës së Atlantikut Verior në 4 prill 1949, qëllimi i saj është të mbrojë vendet anëtare të saj, të cilat ndërsa janë përgjithësisht shekullare, kanë popullata me origjina protestante, katolike, muslimane dhe ortodokse. Anëtare të NATO-s janë si Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu edhe Greqia ortodokse e Turqia muslimane, dhe aleanca ushtarake ku bën pjesë edhe Shqipëria, sigurisht që nuk është aleancë katolike që lufton për Kishën Katolike apo aleancat e Skënderbeut siç aludon z. Lleshi.

Terminologjia fetare që z. Lleshi përdor në shkrimin e tij, përveçse problematike në rrafshin ndërkombëtar, është akoma dhe më shqetësuese në planin kombëtar, sepse së pari, bie ndesh edhe me vetë Kushtetutën e Republkës së Shqipërisë, mbi të cilën, duke filluar që nga ju z President, edhe ai vetë, është betuar. Sipas Nenit 10 të Kushtetutës: “Në Republikën e Shqipërisë nuk ka fe zyrtare”, që do të thotë se Republika e Shqipërisë është asnjëanëse dhe e barazlarguar në çështjet e besimit fetar.

Akoma më tej, Neni 12 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë garanton “parimin e asnjëanësisë” së forcave të armatosura shqiptare ndaj çështjeve politike, fetare, etj, duke vendosur si detyrë themelore ndaj tyre që të “sigurojnë pavarësinë e vendit, si dhe mbrojnë tërësinë territoriale dhe rendin e tij kushtetues.” Por ajo që bën z. Lleshi në shkrimin e tij, është dhunimi i këtyre dy parimeve themelore kushtetuese mbi të cilat është ngritur Republika e Shqipërisë, dhe vendosja para tyre, e parimeve mesjetare të kryqëtarëve përgjatë kryqëzatave të përgjakshme ndaj muslimanëve, për të cilat edhe vetë Papa Gjon Pali II ka kërkuar ndjesë publike.

Së dyti, gjuha e kryqëzatave që ka përfshirë frymën dhe fjalën e shkrimit të z. Lleshi, është aq e rrezikshme, saqë do të mund të klasifikikohej edhe si vepër penale e parashikuar nga Neni 73 i Kodit Penal Ushtarak. Sipas këtij neni: “Kur ushtaraku gjatë kryerjes së detyrës shtetërore bën dallime mbi baza origjine, seksi, gjendjeje shëndetësore, bindjeje fetare, politike, të përkatësisë së një etnie, kombësie, race apo feje të caktuar, që shprehen në krijimin e privilegjeve të padrejta ose në refuzimin e një të drejte ose përfitimi që buron nga ligji, dënohet me gjobë, nxjerrje në lirim ose me burgim deri në pesë vjet.”

Së treti, gjuha dhe fryma e shkrimit të z Lleshi bien ndesh edhe me Statusin e Forcave të Armatosura pjesë e të cilës ai vetë është. Sipas Nenit 16/d të Statusit të Ushtarakut të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë specifikohet që ushtaraku i FA të Republikës sonë duhet “të ushtrojë të drejtën e besimit dhe veprimtarisë fetare, jashtë territorit të repartit ose institucionit ushtarak dhe pa uniformë ushtarake”. Duket qartazi qe z. Lleshi këtë detyrim ligjor e ka lënë mënjanë, madje bën thirrje publikisht me anë të gazetës “Panorama” për t’u bashkuar drejt kauzës katolike nëpërmjet gjuhës që përdor.

Në rastin e shkrimit të z. Lleshi, ku ai shfaqet i veshur me rrobë ushtarake, dhe në fund të shkrimit vetes i jep titullin zyrtar “Gjeneral Brigade, zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë”, por që në shkrim flet për ndarjen e Krishtërimit, dhe NATO-n e tregon si vijuese të Kishës Katolike kundër Bizantit dhe Perandorisë Osmane, konstatojmë edhe shkelje të tjera të karakterit politiko-ligjor. Të tilla janë: shtrembërimi i imazhit të NATO-s dhe fetarizimi i imazhit të kësaj organizate shekullare; si dhe anësia e padrejtë fetare që shfaq ky drejtues i lartë i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, në dëm të feve dhe qytetërimeve të tjera, ndërkohë që shkruan në emër të detyrës ushtarake që ai ka.

I nderuar z. President,

Mbështetur në shkeljet e mësipërme kushtetuese, të së drejtës ndërkombëtare publike me anë të defamimit që ai i bën NATO-s, të konsumimit të veprës penale të parashikuar nga Kodi Penal Ushtarak, si dhe të shkeljes së Statusit të FA të Republikës së Shqipërisë, ne u bëjmë thirrje ju personalisht, si President dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë që të merrni masat e nevojshme e urgjente ndaj ushtarakut në fjalë, duke e larguar sa më parë e përfundimisht nga trupa e forcave të armatosura të Republikës së Shqipërisë si një individ që cënon rëndë figurën e ushtarakut, rendin kushtetues, shekullarizmin e shtetit dhe keqpërfaqëson NATO-n. Po ashtu, të njëjtën thirrje ua drejtojmë edhe Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, Gjeneralmajor Xhemal Gjunkshit, Shef i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Prokurorit të Përgjithshëm z. Adriatik Llalla, si dhe autoriteteve më të larta të NATO-s në Shqipëri, për të nisur menjëherë procedimet e parashikuara nga ligji.

Ju falenderojmë paraprakisht,

Në emër të Kryesisë së Forumit Shqiptar të Kanadasë

Rexhep Karruku
Kryetar Nderi
Toronto, Ontario, Kanada

—————–

NATO, aleanca jonë

SANDËR LLESHI, 1 Prill 2013

Dy shpërthime të mëdha ndodhën në gjithësi në vitin e largët 1054. Shpërthimi i një supernove tronditi gjithësinë, ndërsa ndarja e kishës tronditi planetin. Arbëria e asaj kohe e ndjeu thellë tronditjen planetare. Arbëria u shndërrua në një provincë kufitare, në një rajon të largët në kufi të Bizantit me Perëndimin. Shekujt që kaluan, sollën shumë ngjarje e ndryshime. Por një gjë mbeti pothuajse konstante. Arbëria mbeti në vijën më të rëndësishme kufitare të planetit. Ajo ishte për shumë shekuj në vijën që ndante Bizantin ortodoks me Romën katolike, në vijën që ndante Perandorinë Osmane me Perëndimin, në vijën që ndante Perandorinë Komuniste me Perëndimin.

Për rreth një mijë vjet Arbëria, më vonë Shqipëria, ka qëndruar kështu në kufirin e madh të botës, duke pësuar gjithçka që rrjedh prej këtij pozicioni. Një pozitë e tillë, një pozitë në kufijtë më të rëndësishëm të Botës ka lënë gjurmë të thella. Ajo ka mbetur shumë e veçantë. E vogël në sipërfaqe, e vogël për nga numri i popullsisë, me një gjuhë të veçantë, e me shumë gjëra të tjera, po ashtu të veçanta. Kufijtë e rreptë kanë pasur rregullat e tyre të rrepta. Në kufi ndërtoheshin më shumë vepra mbrojtëse sesa vepra arti, më shumë kështjella sesa opera, më shumë bunkerë sesa rrugë, më shumë burgje sesa shkolla. Në kushte kufiri u zhvillua dhe jeta dhe ndërgjegjja e arbërve, shqiptarëve të mëvonshëm.

Pas më shumë se një mijë vjetësh, brezi i sotëm i shqiptarëve pati fatin të përjetojnë një ngjarje të jashtëzakonshme. Kufiri 1000-vjeçar u fshi nga harta, në një farë mënyre, ai u zhvendos drejt lindjes. Shqipëria nuk është më në kufi të botës, por në mes të saj. Haleluja!

Më 1 prill të vitit 2009, Shqipëria u bë anëtar i Aleancës së Atlantikut të Veriut, NATO.
Përmasat shumë të mëdha të ngjarjes e bëjnë të vështirë që njerëzit të perceptojnë krejt domethënien e saj. Hyrja në NATO përbën pa dyshim ngjarjen më të rëndësishme në historinë e Shqipërisë si shtet i pavarur. Për herë të parë në historinë e saj 100-vjeçare Shqipëria arriti të bëhet pjesë e Aleancës më të fuqishme të historisë së njerëzimit. Jo thjesht pjesë e një aleance ushtarake, por pjesë e një aleance politiko-ushtarake, e cila bashkon kombe që ndajnë vlera të përbashkëta të lirisë, demokracisë.

Mbrojtja e lirisë si parim universal, mbrojtja e lirisë së njeriut dhe më tej e lirisë së shteteve të bazuara tek individë të lirë, është themeli mbi të cilin është ngritur dhe funksionon NATO. Vendosja e këtij parimi të madh në qendër të së gjithë Aleancës i ka dhënë asaj karakter. Kjo e dallon atë nga të gjitha llojet e aleancave të shumta që historia ka njohur. Liria është burimi i pafund i forcës së saj.

Shqipëria e 100 viteve të fundit ka provuar të gjithë spektrin e mundshëm të raporteve ndërkombëtare që nga pushtimi, kaosi, lufta çlirimtare, bashkëpunimi bilateral pa cak, pjesëmarrja në Traktatin e Varshavës, daljen prej tij, flirte aventureske me shtete të caktuara, izolimin total. Por në të gjithë këtë kalvar orvatjesh drejt një baraspeshe të natyrshme dhe të qëndrueshme, nuk ka arritur asnjëherë ndonjë sukses të mirëfilltë. Përgjithësisht, në raportet e ndërtuara me vende pa liri, Shqipëria ka humbur.

Ajo që ndodhi në vitin 2009 ishte e veçantë. Më 4 prill 2009, NATO festoi 60-vjetorin e themelimit edhe me pranimin e Shqipërisë e të Kroacisë, të cilat e çuan numrin e anëtarëve të saj në 28.
Kur NATO lindi, i pari sekretar i Përgjithshëm i saj, Lordi Ismay, kishte formuluar si qëllim të organizatës “mbajtjen e rusëve jashtë, të amerikanëve brenda dhe të gjermanëve poshtë”. Por vendosja e lirisë si parim themelor i kishte dhënë që në fillim Aleancës një fuqi pa fund. Risi e madhe për Aleancën dhe për vetë fatin e kontinentit europian ishte angazhimi krejt i madh dhe krejt i veçantë i Shteteve të Bashkuara, të cilat sollën në Europë edhe një model të panjohur politik e ushtarak. Sjellja me të mundurin e luftës, me Gjermaninë, ishte krejt e paprecedentë. Një aksion i papërfytyrueshëm filloi menjëherë pas luftës: ndihma e gjithanshme për rimëkëmbjen e kundërshtarit të mposhtur dhe të pushtuar. Historia kishte njohur kryesisht të kundërtën, shtypjen, plaçkitjen gjymtimin e të mundurit etj.

NATO lindi si një përpjekje për të zgjidhur ndryshe problemet e kohës. Ajo nuk ndoqi modelet e historisë, por frymën e të ardhmes. Ishte kjo qasje e bazuar tek liria, ajo që e konsolidoi NATO-n përgjatë viteve plot tension të Luftës së Ftohtë. Ishin parimet e saj demokratike që e ruajtën kohezionin e saj përballë Aleancës Kundërshtare të Traktatit të Varshavës. Ishin po këto parime që i dhanë asaj forcën për të përballuar kërcënimin serioz sovjetik, për të ruajtur paqen dhe lirinë në kontinent. Ishin këto parime që e shndërruan NATO-n në një model shumë vende të-ish bllokut komunist lindor, të cilat iu bashkuan asaj në mundësinë më të parë që u krijua pas rënies së Perdes së Hekurt.

Me angazhimin ushtarak në Kosovë, NATO shënoi një etapë të re të zhvillimit dhe të konsolidimit të saj të mëtejshëm. Rivlerësimi i shenjtërisë së parimeve vestfaliane të sovranitetit shtetëror dhe vendosja e vlerave të lirisë dhe të drejtave të njeriut mbi ato të shteteve, shënojnë jo vetëm një zhvillim historik, por edhe një provë shumë komplekse të vlerave dhe të fuqisë së vërtetë të kësaj aleance. Çlirimi i Kosovës dhe pavarësia, stabiliteti dhe zhvillimi i saj janë të lidhura përjetësisht me NATO-n.

Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është një ngjarje me shumë përmasa të mëdha. Vlera më madhore e anëtarësimit të Shqipërisë në Aleancë është angazhimi i saj për të ndarë vlerat e mëdha të lirisë dhe të demokracisë me vendet më të lira dhe të zhvilluara të planetit. Për herë të parë në historinë e tyre, pas Skënderbeut, shqiptarët u bënë pjesë e një aleance perëndimore.

Me hyrjen në NATO, fuqia dhe përgjegjësia politike e Shqipërisë kanë arritur në një nivel që nuk kanë mundur as të ëndërronin themeluesit e saj. Përmes parimit të vendimmarrjes vetëm konsensuale të NATO-s, Shqipëria është bërë de facto dhe de jure një aktor shumë i rëndësishëm i vendimmarrjes në nivel botëror. Sigurisht që marrja e një mandati të tillë politik është edhe përfitimi numër një par excellence. Atributi edhe i të drejtës së vetos në organizatën më të fuqishme të planetit është një tregues i fuqisë potenciale të jashtëzakonshme që vendi ynë ka në dorë. Sigurisht që në të njëjtën kohë fuqia e madhe politike është edhe përgjegjësi e jashtëzakonshme.

Hyrja në NATO e ka zhvendosur realisht Shqipërinë në qendër të botës moderne. Largimi i kufirit të madh të botës nga Shqipëria, mburoja e sigurt e mbrojtjes kolektive të Aleancës e ka çuar sigurinë kombëtare të vendit në nivelet më të larta historike. Shndërrimi i kufijve të Shqipërisë në kufij të mbrojtur nga Aleanca është një përfitim me përmasa kolosale. Nëse deri dje vendi duhej të zgjidhte në mënyrë unilaterale dhe me kosto të papërballueshme nevojat për siguri, pas hyrjes në NATO jo vetëm që është rritur niveli i sigurisë, por është ulur në nivele minimale historike barra e shpenzimeve për mbrojtje të sigurt kombëtare. Hyrja në NATO i ka mundësuar Shqipërisë të reduktojë madhësinë e instrumentit të mbrojtjes kombëtare në nivele të panjohura më parë. Të njëjtën tendencë kanë ndjekur dhe shpenzimet për mbrojtjen.

Reduktimi i madhësisë së Forcave të Armatosura dhe ndryshimi rrënjësor i natyrës së tyre janë efektet e para që ka sjellë anëtarësimi në Aleancë. Eliminimi i shërbimit të detyrueshëm ushtarak dhe ndërtimi i një force profesioniste janë shanse të rralla që i mundëson anëtarësimi në NATO. Po, aq sa shanse, ato janë edhe një përgjegjësi e lartë kombëtare. Krijimi i një ushtrie të re, një ushtrie profesioniste në kuptimin e gjerë të këtij termi, përbën pa dyshim obligimin më të rëndësishëm edhe përballë Aleancës. Përmes forcës së mirëfilltë profesioniste, të motivuar, të pajisur dhe të stërvitur mirë, Shqipëria “paguan” në një farë mënyre “çmimin” e anëtarësisë, atë çmim tek i cili bazohet e gjithë fuqia politike dhe ushtarake e vendit si anëtar në Aleancë.

Përvjetori i anëtarësimit në NATO është edhe një moment i rëndësishëm reflektimi. Për një pjesë të madhe të popullit shqiptar, i cili e ka ende të gjallë në kujtesë atmosferën e izolimit komunist dhe frymën e një gjendjeje lufte të pambarim, që karakterizonte epokën e kaluar, paqja e sotme i ngjan një ëndrre. Por është shumë e rëndësishme që ajo të mos konsiderohet si e vetëkuptueshme. Siguria, kjo nevojë jetike individuale, shoqërore dhe kombëtare, ka një ngjashmëri me ajrin. Ajo perceptohet dhe çmohet drejt vetëm kur mungon.

Në kushte të tjera duket e vetëkuptueshme. Por në dallim nga ajri, të cilin bujarisht na e jep Krijuesi, sigurinë duhet ta krijojmë ne. Pikërisht ky është, sipas meje, një ndër apelet më të rëndësishme të kësaj dite të madhe. NATO është aleanca jonë e madhe, e cila na mundëson parakushtet bazë për të zhvilluar më tej lirinë, paqen dhe prosperitetin. Por NATO nuk është ajo. NATO jemi ne. Me NATO-n tashmë ndajmë vlerat, kemi lidhur fatin, kemi bashkuar armët. Qindra ushtarakë të këtij vendi shërbejnë sot me dinjitet dhe sakrificë nën flamurin kombëtar dhe flamurin e NATO-s kudo nëpër botë. Gjaku i kapiten Feti Voglit, heroit tonë, është jo vetëm provë e këtij dinjiteti, por edhe thirrja e madhe për të gjithë ne. Gëzuar përvjetorin e katërt të anëtarësimit në NATO!

*Gjeneral Brigade, zv.shef i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë