Nga vitet 1200-të, te ngrohja globale!

0
38

Rexhep Meidani

Rexhep Meidani, 06.01.2010

Më 15 dhjetor 2006, në gazetën “Panorama” kam botuar një shkrim me titull: “Në kërkim të viteve “1200”!”, që lidhej me thatësirën e atij dimri dhe krahasimin e saj me të gjitha llojet e thatësirës në rajonin tonë, që nga viti 1200 deri në atë datë. Në fakt, me atë shkrim më shumë synohej të luftohej (dhe aspak të ironizohej) një lloj demagogjie relativisht sa “të trashë”, po aq të panevojshme, që fyente inteligjencën e vetë shqiptarëve! Dhe, mbi të gjitha, për të ndihmuar sado pak në shmangien e “fluturimeve” të tilla hiperbolike në raste të tilla…

Një situatë e ngjashme është ndeshur dhe në këto ditë përmbysjesh të mëdha, si rezultat i reshjeve apo ndikimeve natyrore, ashtu dhe gabimeve, neglizhencave njerëzore apo mungesave së ndërhyrjeve e riparimeve infrastrukturore të domosdoshme. Por që gjithçka mund t’i vishej ngrohjes globale, askujt nuk do t’i kishte shkuar mendja më parë! Bile, nuk u besohej fjalëve e komenteve! Ishte një “shpikje” e menjëhershme, tamam si ajo “perla” apo historia me vezën e Kolombit!…

Sidoqoftë, për të mos reaguar në mënyrë të njëjtë në këtë kohë të ndryshme, po i lutem redaksisë të më ribotojë atë shkrim të afro 3 vjetëve më parë, por dhe duke i bërë, po ashtu, thirrje durimit të lexuesit për të ndërtuar vetë analogjitë e nevojshme. Dhe, mbi të gjitha, për të mos gëlltitur “fyerje” të tjera të panevojshme…

* * *

”Para pak ditësh na dëgjuan veshët, jo pa habi, një deklaratë “serioze” mbi thatësirën e këtij viti të paparë prej 1200 vjetësh, edhe pse në pranverë dhe verë patëm shira me bollëk, që sollën përmbytje të konsiderueshme, shembje rrugësh apo hapje portash të hidrocentraleve!…
Edhe pse mjaft e çuditshme si deklaratë, bile aspak konvergjente me realitetin mesatar vjetor, me gjithë “gojën” aq të pabesueshme që e shqiptoi, kurioziteti të shtynte që të ”kontrollohej” ajo nëpërmjet shqyrtimit të të “dhënave të deritanishme”.

* * *

Nga kontrolli i parë rezultoi diçka e çuditshme. Na ishte zgjidhur këto ditë (më 12 dhjetor 2006) një problem i vjetër i ekspozuar sidomos 1200 vjet më parë, të cilit nuk kishin arritur t’i jepnin njëfarë përgjigje, që në kohët e tyre, qoftë i famshmi Pitagora, qoftë gjeniu Njuton. Megjithatë matematikanët më me zë të ditëve tona po shprehin një ftohtësi e mosbesim të plotë ndaj kësaj zgjidhje apo këtij “zbulimi”! Bëhet fjalë për pjesëtimin me zero (jo për kalimin në limit me rregullat e l’Hopitalit), duke shfrytëzuar një numër të ri të quajtur “nulitet”, i cili, sipas propozuesit ndodhet jashtë rreshtit të numrave konvencionalë (d.m.th të gjithë numrave që nga minus infiniti shtrihen, nëpërmjet zeros, në plus infinit). Për ta dalluar atë, simboli i tij na jepet dhe me barazimin e dytë të figurës bashkëngjitur …

Dihet që po të tentosh të bësh një pjesëtim me zero(!) në kompjuter apo në një kalkulator të thjesht, ata menjëherë japin mesazhin e gabimit (“error”). Megjithatë, sipas Dr. Andersonit, kjo gjetje na zgjidh një problem mjaft të rëndësishëm – problemin e asgjësë. Kështu, duke marrë rastin e funksionimit të zemrës ai nënvizon se: kur “peismeikeri” (stimuluesi kardiak) i njeriut pjesëton me zero, atëherë ky individ vdes. Apo nëse, p.sh., një pasagjer ndodhet në një aeroplan që bën uljen në pistë me një automat-pilot, nëse aparatura automatike, pranë tokës, bën një pjesëtim me zero, atëherë kompjuteri menjëherë e ndërpret funksionimin e tij dhe pasagjeri mund të gjendet në një situatë tepër të rrezikshme për jetën e tij. Me futjen e “nulitetit”, sipas doktorit, këto probleme zgjidhen thjesht e pa më të voglën vështirësi!…

* * *

Nga kontrolli i dytë, rezultonte se një fushë e re mjaft e rëndësishme në klimatologji, këto kohët e fundit, po bëhet dhe paleoklimatologjia (shkenca e studimit të klimës në të kaluarën). Pra, një fushë që ka të bëjë, në fakt, me paleoklimën apo me grumbullimin, analizën dhe krahasimin e të dhënave klimatike të mëparshme (të siguruara nëpërmjet gjurmëve natyrore e arkeologjike (skeleteve shtazore, unazave të drurëve, mbetjeve të ndryshme, etj), apo dokumenteve, ditarëve, etj.). Sidomos për periudha para se njeriu të dispononte instrumente matës si termometrin për matjen e temperaturës, barometrin për matjen e presionit, anemometrin për matjen e shpejtësisë dhe drejtimit të erës, etj. Sipas këtyre të dhënave dhe përpunimit të tyre vihet re që ndikimet astronomike dhe të llojeve të tjera kanë bërë që temperatura mesatare e planetit të jetë ngritur dhe zbritur disa herë që prej formimit të tij.

Megjithatë, nuk duhet harruar që të dhënat instrumentale, relativisht ë kënaqshme për klimën apo motin, nuk shkojnë prapa në kohë përtej një periudhe të 140-150 vjetëve më parë, por dhe të tilla ata flasin jo pak për rreziqet e sotme të ngrohjes globale. Nga ana tjetër, nuk duhet harruar që matjet më të hershme sasiore të temperaturës me termometër i takojnë fundit të shekullit të 17-të dhe fillimit të shekullit të 18-të ( Në fakt, termometri i parë i vërtetë, i shpikur nga Galilei, ishte një termoskop që lejonte të gjykohej vetëm cilësisht mbi ngritjen apo uljen e temperaturës)…

Duke filluar nga vitet 1970-të, paleoklimatologët filluan të ndërtonin “blueprint”-in e ndryshimit të temperaturës para matjeve instrumentale, pra për të shkuar më thellë në shekuj. Edhe pse jo gjithmonë konvergjente dhe të gjithëpranuara ato deri diku flasin në favor të tezës se temperatura në shekullin e 20-të, sidomos pas vitit 1920, ka pasur, në mesatare, një prirje në rritje, me një maksimum më të qartë, sidomos në vitet 1990-të (megjithëse pretendohet po ashtu që ka ekzistuar një periodë mesatarisht e nxehtë midis shekullit të 9-të dhe 14-të, apo një periudhë shumë më e nxehtë se e tanishmja afro 6000 mijë vjet më parë).

Aq më i vështirë është përcaktimi i variacionit të thatësirës në shekuj. Regjistrimet mbi reshjet nuk shkojnë më mbrapa se 100 vjet. Njihet p.sh thatësira e madhe e viteve 1930-të që zgjati mbi 7 vjet në disa rajone të SHBA dhe që u shoqërua me emigrimin e milionave njerëzve drejt zonave perëndimore apo disa thatësira rajonale të mëvonshme, në vitet 1950-të apo në periudhën 1987-1989.

Megjithatë, vihen re sot përpjekje, që duke studiuar të dhëna të tjera të tërthorta mbi thatësirën apo reshjet (sipas ndryshimit të nivelit të ujit në liqene, nëpërmjet gërryerjeve apo precipitimeve anësore, vegjetacionit apo rrathëve të pemëve, mbetjeve natyrore e arkeologjike, shkrimeve, ditarëve apo dokumenteve të tjera, etj.) po tentohet të hidhet një vështrim edhe në periudha më të hershme. Nëpërmjet dokumenteve të shkruara mund të nxirret një informacion relativisht i pranueshëm deri në 200-300 vitet e fundit. Madje, kur dokumentet e shkruara janë ruajtur me kujdes, edhe disa shekuj më parë. Po kështu njëfarë informacioni tjetër mund të përpunohet edhe nga “burimet” e tjera, të përmendura më sipër.

Një farë harte e tillë e tërthortë është ndërtuar p.sh në SHBA për 300 vitet e fundit (që flet për një thatësi të ngjashme me atë të viteve 1950-të edhe në vitet 1730-të, 1820-të apo 1860-të). Po kështu nga këto studime paleoklimatike është besuar se një thatësirë e ngjashme me atë të viteve 1930-të ka ndodhur në pjesën qendrore të Amerikës së Veriut dhe në gjysmën e dytë të shekullit të 16-të. Një gjykim i parë, relativisht i përgjithshëm, sipas studiuesve amerikanë të kësaj fushe është se thatësira si ato të shekullit të 20-të apo qoftë dhe ajo e shekullit të 16-të kanë qenë shumë më të “buta” se ato të në një periudhë më të largët gati 2000 apo më shumë. Dhe asgjë tjetër më konkrete p.sh., për vitet 1200!…

* * *

Atëherë, nëse është kështu, nga e gjeti z. Kryeministri ynë atë shpikjen e thatësirës së sivjetme të barabartë me atë të 1200 viteve më parë? Nga ajo zgjidhja e dhjetorit me numrin e ri të pagëzuar “nulitet” . Apo dhe ajo thënie i ngjet asaj të historisë së çuditshme të Kuvajtit vite më parë?…”