ResPublica.al, 2 shtator 2012
Në kryeartikullin e numrit të sotëm, e përditshmja Shqip ka bërë një listë të personave që punojnë në administratën e Bankës së Shqipërisë dhe rezulton se shumë prej tyre janë bij, bija, motra, vëllezër, kunetër e kunata të pushtetarëve.
Shkruan Shqip: “…Në administratën e Bankës së Shqipërisë, zyrat e shtrenjta, pagesat për ushqim e deri për aktivitete sportive janë favore që i gëzojnë një numër i madh familjarësh të njerëzve me pushtet politik në këtë vend”. Një nga emërimet e fundit, – sipas Shqipit, – me lidhje në politikë është ai i vajzës së Jozefina Topallit, në Departamentin e Kërkimeve.
E pastaj, lista është mbresëlënëse: Vajza e ministrit të Financave Ridvan Bode (në Departamentin e Stabilitetit Financiar), djali i kryetarit të Komisionit Parlamentar për Politikën e Jashtme Fatos Beja, (në Departamentin e Mbikëqyrjes), djali i ish-kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, Robert Çeku në Departamentin e Kontabilitetit, kunata e kryeministrit të vendit, Sali Berisha është këshilltare e Ardian Fullanit; të paktën tre nga zv.ministrat e qeverisë, Eno Bozdo i METE-s, Ylli Manjani i MPPT dhe Alfred Rushaj i MF kanë gjithashtu njerëz të punësuar në BSH – dy të parët motrat, i treti kunatën.
Më pas Shqip-i rendit edhe të afërm të kryetarit të Bashkisë Lulzim Basha, të prefektit të Tiranës Kletis Kruja, të ish-kreut të ALUIZN-it Shaban Memia, si dhe familjarë të ish-funksionarëve të së majtës, si Ylli Bufi, që ka të punësuar vajzën dhe Xhoana Nano vëllain, etj. Në poste në BSH janë edhe persona nga rrethi familjar i vetë guvernatorit Ardian Fullani. Një nga mbesat në Departamentin e Informatikës, një mbesë tjetër në Agjencinë e Sigurimit të Depozitave, ndërsa nipi i tij, në Departamentin e Burimeve Njerëzore.
Në fund të artikullit Shqip shkruan: “Gazeta nuk disponon prova dhe nuk ka pretendime se emërimet e sipërpërmendura janë bërë në mënyrë të jashtëligjshme. Por logjika e thotë që diçka nuk shkon, kur sheh se sa shumë njerëz të lidhur me politikën kanë zënë vend në karriget e paguara shumë shtrenjtë me para publike…”
Në foto: Berisha dhe Fullani, gjatë çeljes së ekspozites me monedha shqiptare, në mjediset e Muzeut Kombeta (LSA)