TemA, 3 Gusht 2012
Nga Petro Marko*
Nga t’ia mbajmë? Kudo dyert janë të mbyllura! Vetëm një është shtegu… T’i derdhemi që të gjithë kërmës së arkës së shtetit! Që të gjithë t’i vërsulemi kolltukut? Të bëhet çdo njeri që di shkrim e këndim nëpunës? Me pak fjalë, deri kur do të vazhdojmë rrugën që na shpie drejt rrënimit të plotë jetik? Nuk sheh një të ri, një të moçëm, katundar a qytetar, që të mos i jetë ngulur në shpirt e në zemër ideali i kolltukut, dëshira e zjarrtë për nëpunësi!
Domethënë vetëm atë shteg shohim për të rrojtur mirë e për të kënaqur të gjitha dëshirat tona. Këtë e bëjmë se aq na e pret mendja, të tillë lindëm, atë rrugë na treguan edhe gjurmat e rrojtjes në kurrizin e popullit, e po e vazhdojmë si trashëgim. S’ka prind, s’ka njeri që nuk përpiqet të gjejë ndonjë kolltuk. Kështu rron mirë për vete e kështu do të na ndihmojë edhe neve! S’ka shqiptar që nuk e mendon këtë.
Dhe ka të drejtë se, e përsërisim, që vetëm ai shteg ka mbetur i hapët. Shtigjet e tjera, përveç mërgimit, që u mbyll edhe ai, nuk janë hapur fare dhe siç duket kurrë s’kanë për t’u hapur, se jemi mësuar të rrojmë si shushunjat në kurrizin e popullit, jemi mësuar ta shkojmë jetën të përulur tek njëri e tek tjetri, të shesim ç’ka kemi e nuk kemi, të bëhemi skllevërit e të fuqishmëve, të bëhemi servila, deri sa të marrim një nëpunësi.
E pastaj? Pastaj t’i shtrohemi çdo përuljeje e çdo mënxyre, dredhie, në daç spiunazhit, në daç shpifjeve e të tjera poshtërsive, vetëm e vetëm për ta mbajtur atë të shkretë nëpunësi, atë kolltuk të qetë, që na verbon e na bën të humbasim çdo ndjenjë e mbi të gjitha të humbasim karakterin tonë. Dhe kështu ne shpëtuam. Ne shpëtuam! Do të rrojmë mirë, do të mundohemi të ngrehim pallate dhe salltanete si patronët tanë e më së fundi do të arrijmë të bëhemi armiqtë e popullit. Se kështu është…
*Botuar më 1936