Nga TEC-et me qymyr deri te falja e detit, “pagesat” e Berishës për të përfituar mbështetje politike

0
51

Nga Tema

Komisionari për Zgjerimin, Olli Rehn, përsëriti të enjten në Bruksel se Bashkimi Evropian do të jetë shumë rigoroz për sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave dhe integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke nënkuptuar se pa u bërë më parë reformat, nuk do ketë asnjë lëshim. Rehn tha se e dinte që ka lobingje për të përfituar, por BE nuk mund të lëshojë duke futur në një rreth ata që kanë bërë reforma me ata që nuk kanë bërë.

Por historia politike e kryeministrit, Sali Berisha, nuk është e atij njeriu që bën reformat e më pas troket dyerve të Brukselit, por e njeriut që mësyn në këto dyer, e më pas ankohet se kanë shumë çelësa.

Kjo do ishte e keqja më e vogël. Historia e Berishës për të arritur të përfitojë integrimin e shpejtë të Shqipërisë është një histori lëshimesh në dëm të vendit, që nisin që me TEC-e me qymyr, fabrika çimentosh e përfundojnë te falja e detit. Gjithçka e bërë për të marrë mbështetje politike.

Italia “hedh” TEC e centrale shkatërruese mbi Shqipëri

Zëvendëspresidenti i Komisionit Evropian ishte i pari që dha lajmin e mirë se për vendet e Ballkanit Perëndimor do të hiqeshin vizat, në rast se do plotësonin disa reforma, të përcaktuara konkretisht nga Brukseli për secilin vend.

Pasi u largua nga kjo detyrë për t’u bërë ministër i Jashtëm i Italisë, Frattini, deklaroi se liberalizimi i vizave do ishte i shpejtë falë qeverisjes së Berishës.

“Kryeministri Berisha i mbajti premtimet e dhëna Evropës. Dhe kjo i hap rrugën arritjes së atyre rezultateve që do të jenë të prekshme, të dukshme për të gjithë qytetarët shqiptarë. Duke filluar me një regjim të liberalizuar të vizave, tani me prodhimin dhe më pas me shpërndarjen e pasaportave biometrike, do të jetë një proces që i afrohet përfundimit dhe plotësimit të tij”, – tha Frattini në Itali.

Por ministri italian theksoi fort se ata janë të interesuar shumë për Shqipërinë, për shkak të investimeve në energji që duan të bëjnë këtu.

Dhe pas pak kohësh, në fillim të dhjetorit që shkoi, kryeministri italian, Silvio Berlusconi, mbërrin në Shqipëri duke sjellë plot 3 miliardë euro investime për Shqipërinë. Papritur, për një ditë Shqipëria nënshkruan gjashtë marrëveshje që sjellin “investimet” që nuk kishin mbërritur për 20 vjet. Një TEC gjigant me qymyr do të ngrihej në zonën më turistike në Shqipëri, në Durrës e një park eolik do të ishte “dhurata” italiane për Karaburunin, projekte këto të kundërshtuara me shumë forcë nga ambientalistët.

Një ditë para vizitës, “Financial Times” parashikonte se këto investime italiane po hasnin në pengesa korruptive në vendin tonë. Ndaj dhe Berlusconi bëri kujdes që në konferencë për shtyp t’i kujtonte Berishës që t’i kishte merak firmat italiane.

“Firmat italiane që sot firmosën këtu një sërë marrëveshjesh për realizimin e veprave që u bënë të njohura edhe në këtë konferencë, do të kenë gjithmonë mbështetjen e qeverisë shqiptare dhe do të gjejnë një garanci për thjeshtëzimin e procedurave burokratike. E theksoj se, te të dy kryeministrat, tek unë dhe zoti Berisha, te qeveria shqiptare, autoritetet shqiptare, gjithmonë do të gjejnë një mundësi për lehtësimin e aktivitetit të tyre”, – tha Berlusconi.

E në fund lëshoi deklaratën që mezi pritej nga qeveria. “Italia do të ketë krenarinë dhe nderin të jetë avokati i parë i Shqipërisë, në momentin që ajo do të vendosë të paraqesë kërkesën për marrjen e statusit të kandidatit për hyrjen e saj në Bashkimin Evropian”, – tha Berlusconi.

Në prag të aplikimit për në BE, vizita në Francë “blihet” me helikopterë ushtarakë

Ndërsa po afrohej periudha kur duhej të dorëzonte aplikimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian, mjaft të kundërshtuar nga ndërkombëtarët, Berishës i duhej një mbështetje nga një prej kancelarive më të mëdha në Evropë. Berlusconi ishte i zënë me historitë e tij rozë, ndaj atij i duhej të paktën të kishte mbështetjen e Francës ose Gjermanisë, të dyja skeptike për aplikimin e Shqipërisë.

Rasti i artë ishte me Francën, një kompani e fuqishme e së cilës ishte e interesuar që të shiste disa helikopterë ushtarakë në Shqipërinë e anëtarësuar në NATO. Berisha mbërrin në pallatin presidencial francez në një vizitë rrufe, pa u ndalur nga rruga e gjatë në Kinë.

E gjithë përpjekja e tij demaskohet nga mediet franceze, edhe pse kryeministri shqiptar deklaroi më pas se këto medie ishin të blera nga kryetari i opozitës, Edi Rama.

Një raport i agjencisë Reuters, së cilës i referohet dhe revista e mirënjohur franceze “L’Express”, thekson se qëllimi i takimit të Berishës në pallatin presidencial ka qenë lobimi për të blerë 17 helikopterë ushtarakë nga francezët. Sipas “L’Express”, kompania Eurocopter, një kompani me shumicë aksionesh të shtetit francez, synon marrjen e këtyre helikopterëve, që Shqipëria ka planifikuar t’i blejë pas anëtarësimit në NATO. Ajo çka është e rëndësishme, është që në garë janë tri kompani, Eurocopter, për të cilën lobojnë francezët, “Agusta”, një kompani italiane që i përket grupit “Finmeccanica”, dhe kompania amerikane “Sikorski” që i përket grupit United Technologies.

Siç raporton “L’Express”, Eurocopter e dëshiron këtë tender, pasi bëhet fjalë për një shumë të majme, e cila është parashikuar tashmë në buxhet.

“Presidenti francez dhe Sali Berisha ranë dakord veç të tjerash që të intensifikojnë marrëdhëniet ekonomike mes Parisit dhe Tiranës, që janë pak të zhvilluara, dhe Nicolas Sarkozy nënvizoi rëndësinë, nisur nga ambiciet evropiane të Shqipërisë, e projektit të blerjes së 17 helikopterëve ushtarakë. Eurocopter, filiali i EADS, është në garë për këtë kontratë të shumëdëshiruar edhe nga italianët e “Agusta” (grupi “Finmeccanica”) dhe amerikanët e “Sikorsky” (filial i grupit United Technologies)”, – raporton “L’Express”.

Gjithçka dukej qartë se ishte pjesë e një historie lobimi, që nis që nga marrëdhëniet e mira me ambasadoren franceze. Prej kohësh në valët e televizionit kombëtar “Klan”, një televizion nën ndikimin absolut të kryeministrit, Sali Berisha, transmetohej një spot i kompanisë Eurocopter, e cila synon të sjellë helikopterët ushtarakë në Shqipëri.

Se sa është përdorur për imazh politik kjo vizitë, mjafton të lexosh njoftimin për shtyp të Kryeministrisë për takimin me presidentin francez.

“Presidenti Sarkozy, pasi i uroi mirëseardhjen kryeministrit Berisha, e falënderoi që iu përgjigj ftesës së tij për të vizituar Élysée-në dhe i uroi mirëseardhjen në Aleancën e Atlantikut të Veriut.

Kryeministri Berisha, pasi e falënderoi presidentin Sarkozy për pritjen dhe takimin e ngrohtë e miqësor, u shpreh se takimi mes tyre është një hap i rëndësishëm historik në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Presidenti Sarkozy i shprehu kryeministrit Berisha mbështetjen e fuqishme të Francës për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Shqipëria, në mënyrë të qartë, do të jetë anëtare e BE dhe nuk ka kthim mbrapa në procesin e integrimit të saj në BE. “Franca, – u shpreh presidenti Sarkozy, – e mbështet kandidaturën e Shqipërisë për statusin e vendit kandidat në BE.”

Kryeministri Berisha falënderoi presidentin francez për mbështetjen e qartë që i jep integrimit të Shqipërisë në BE, duke theksuar faktin se 96 për qind e shqiptarëve e mbështet integrimin në BE dhe kjo bën që ky proces të jetë i vazhdueshëm dhe i pakthyeshëm”, – thuhet në njoftim.

Falja e detit Greqisë, për fushatë

Loja u bë më e ndyrë, në momentin kur do të niste fushata elektorale dhe kur kryeministri e dinte se sondazhet e nxirrnin në opozitë. Për t’u sakrifikuar kësaj here duket se ishin qindra kilometra det, që do të shkonin për Greqinë fqinje. Mbështetja e Athinës gjatë fushatës elektorale ishte shumë e rëndësishme për kryeministrin, Sali Berisha, në një kohë kur minoritarët e PBDNJ ishin shprehur qartë kundër bashkëpunimit me të.

Marrëveshja për ndarjen e kufijve detarë nënshkruhet në Tiranë, pa asnjë transparencë, pa asnjë njoftim paraprak, me dijeninë vetëm të disa negociatorëve që kanë vepruar në fshehtësi. Kryeministri Berisha merr mbështetjen e Greqisë për aplikimin në BE, por edhe për fushatën zgjedhore. Si rrallë ndonjëherë në mbështetje për fushatën e njeriut të “vënë në kryq” nga Athina, vjen dhe një zyrtar i lartë grek, zëvendësministri i Jashtëm, që vijon turin e tij normalisht, siç bënin drejtuesit e fushatës së PD në qarqe.

Marrëveshja kundërshtohet shumë ashpër nga mediet dhe specialistë të pavarur në këtë fushë, me pretendimin se Shqipëria ia ka dhuruar detin Greqisë. Qeveria vijon që të mos bëjë asnjë transparencë për çështjen në fjalë dhe nis e reagon, vetëm kur opozita në bllok deklaron se do të çojë në Kushtetuese marrëveshjen. Kuvendi shtyn miratimin e saj, ndërsa ministri i Jashtëm, ish-opozitari Ilir Meta, akuzon opozitën se po dëmton marrëdhëniet e mira me Greqinë me këtë frymë ekstremiste. Edhe pse partia e tij kishte bërë të njëjtën gjë, madje ishte treguar shumë më radikale, Meta deklaron se në partinë e tij mund të flasë kush të dojë, por quhet zyrtare vetëm kur flet ai.

Ndryshimi i qeverive në vendin fqinj mund dhe të ndryshojë sjelljen e Athinës përkundrejt Tiranës. Siç dhe paralajmëron gazeta “Kathimerini”, mund të ketë surpriza.

Viktimë bie edhe Kosova

Vrulli i kryeministrit, Sali Berisha, për të përfituar gjithçka që do e bënte atë të rrinte në pushtet, përfshin dhe Kosovën.

Pak pasi nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi me një parti kosovare, duke turbulluar skenën politike atje, ai deklaron në një media se është momenti për të bashkuar Kosovën dhe Shqipërinë duke zhdukur padrejtësitë e mëdha historike.

Pa përmendur asnjëherë që bashkimi do të bëhet në Evropë, ashtu siç ia kërkojnë dhe të huajt, ai trazon kancelaritë e mëdha ndërkombëtare. Agjencitë e lajmeve raportojnë se Berisha kishte kapërcyer vijën e kuqe, ndërsa Beogradi revoltohet. Kaq i mjafton kryeministrit për të prekur ndjenjat e shqiptarëve.

Por situata është e nderë. Mediet e huaja dhe diplomatë të ndryshëm parashikojnë se shumë shpejt konfliktet në Ballkan mund të shpërthejnë e të përshkallëzohen. Për këtë ka vetëm një recetë: që këto vende të hyjnë në Bashkimin Evropian.

Bosnja po zien dhe shumë mendojnë se ajo do jetë e para që mund të marrë flakë, Kosova është e trazuar dhe të huajt i kanë sytë te “Vetëvendosja”, lëvizja që mendojnë se ka potencialin për të shkaktuar trazira, e që duhet thënë se është mjaft entuziaste për idenë e bashkimit kombëtar që ka shprehur Berisha, Lugina e Preshevës po armatoset, ndërsa një libër enciklopedie ngre peshë Maqedoninë. Në kulmin e këtyre kokëçarjeve për kancelaritë perëndimore, kryeministri, Sali Berisha, vendos që të bëjë një vizitë në Kosovë, me tone populiste e nacionaliste. Në Kosovën e brishtë nga korrupsioni, krimi dhe institucionet e dobëta, trazohen ndjenjat kombëtare, ndërsa kryeministri deklaron kësaj here shpesh se bashkimi kombëtar duhet të ndodhë në BE.

“Sulm” Parlamentit Evropian, aty luhet loja e vizave

Një iniciativë e një eurodeputeteje sllovene për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor që të përfitojnë sa më shpejt nga liberalizimi i vizave, ishte sërish një moment i mirë i kryeministrit për të bërë lobing. Kjo edhe për shkak se Parlamenti Evropian, të vetmen gjë që ka në dorë, është që të bëjë presion mbi organet ekzekutive të BE për liberalizimin e vizave.

Berisha fluturon drejt Vjenës për të bërë një takim “të përzemërt” me drejtuesin e grupit të Partive Evropiane në Parlamentin Evropian dhe për t’i kërkuar atij mbështetje për vizat.

“Kryeministri Berisha zhvilloi një takim të përzemërt me zoti Joseph Daul, kryetari i grupit të Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian, i cili përgëzoi kryeministrin Berisha për arritjet e qeverisë shqiptare në implementimin e reformave themelore për integrimin e vendit dhe vendosmërinë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit në vend. Kryeministri Berisha e njohu zoti Daul me reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare drejt përmbushjes së standardeve dhe kritereve të nevojshme për integrimin e vendit në BE, si dhe me vlerësimet e rëndësishme Komisionit Evropian në Progres-Raportin për Shqipërinë gjatë vitit 2009, i cili në vizionin e kryeministrit Berisha do të shërbejë si një road-map për qeverinë shqiptare në procesin e integrimit evropian. Gjithashtu, kryeministri Berisha shfrytëzoi këtë rast për të kërkuar mbështetjen e grupit të Partive Popullore Evropiane për procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët, si dhe për nxitjen dhe mbështetjen në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian”, – thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Duke njohur këtë situatë, Komisionari për Zgjerimin deklaroi se, pavarësisht se ka përpjekje të tilla, integrimi do bëhet vetëm me reforma.

Evropa duket më e vendosur se kurrë që të mos bëjë asnjë lëshim pa u plotësuar ato. Tani që Shtetet e Bashkuara duket se janë më të tërhequra nga rajoni jonë, por që na kanë lënë pas një “dhuratë” të mrekullueshme si anëtarësimi në NATO, gjërat duhet t’i bëjmë vetë. Askush nuk do të shohë në Bashkimin Evropian një vend ku nuk sundon ligji, por korrupsioni dhe krimi i organizuar, një vend ku drejtësia e parlamenti janë të gjunjëzuar para ekzekutivit.