Nga Spahiu tek Nano, enigma e 2013

2
52

Skënder Minxhozi, 14.02.2012

Në hapat e parë të vitit 2012, kur shumëkush pret fillimin e telenovelës presidenciale, ka nisur të ravijëzohet në fakt ajo që mund të jetë skema politike që do ta fusë Shqipërinë në fushatën e vitit 2013. Duke zgjedhur presidentin, klasa politike e mban njërin sy tek viti i ardhshëm, tek zgjedhjet e vërteta. Megjithëse Kryeministri, me anë të mjeshtërisë së vjetër të menaxhimit të krizave të papritura (kjo e motit të keq është një e tillë), ka arritur ta devijojë momentalisht vëmendjen nga zhvillimet politike në Tiranë, lëvizjet dhe kalkulimet e rreshtimeve të mëdha e të vogla, në funksion të 2013, kanë nisur tashmë.

Largimi i papritur i Kreshnik Spahiut nga poltroni i nxehtë i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, për t’u lançuar “me kohë të plotë” në aventurën e Aleancës Kuq e Zi, nuk është e vetmja prurje e re në skenën politike. Bashkë me të, brenda pak ditëve, në podium do të ngjitet partia e re e Bamir Topit. Ky pol i ri politik, të cilit pritet t’i bashkohet jo vetëm një “nebulozë” zyrtarësh brenda mazhorancës, por edhe parti e lëvizje të djathta, është e reja e madhe e zgjedhjeve të ardhshme.

Nisma e kreut të shtetit, e cila disa muaj më parë shihej si një lëvizje e ngjashme me atë të LSI në prag të zgjedhjeve të 2005, tashmë duket se do të marrë formën e një koalicioni më të gjerë, ku Aleanca Kuq e Zi ka marrë përsipër të luajë rolin e lojtarit të sulmit, që tërheq pas vetes dhe që motivon gjithë karvanin e të djathtës alternative. Inercia e lëvizjes që pritet të krijojë ky front partish mund të fusë në “mendime”, teorikisht, edhe disa parti të tjera që sot gjenden brenda gardhit të shumicës, përfshi partinë çame. Megjithëse kjo e fundit ndodhet në konkurrencë të hapur me Aleancën Kuq e Zi.

Kjo fabul e re politike, e cila po merr gradualisht formë dhe rrugë, do të sjellë me shumë gjasë ribërjen e shifrave dhe parashikimeve elektorale për vitin e ardhshëm. Në këtë proces të vështirë afirmimi, duket se po ndihmon pa dashje edhe vetë mazhoranca, e cila nuk arrin ta frenojë marazin e saj, duke u hedhur në një sulm frontal ndaj Topit, Spahiut e të tjerëve. Çka, në fund fare, mund të jetë reklama më e mirë për këta të fundit, në prag të një sfide ku njohja dhe afirmimi tek publiku i gjerë, janë elemente vendimtare.

Partitë e vogla, një tjetër faktor në lojën parazgjedhore, janë një e panjohur e dytë e madhe. Siç kanë bërë sa herë që kanë parë të mëdhenjtë të ulen në tryezë për rregullat e lojës, kanë rinisur kërcënimet në kor, për të provokuar ndryshimin e ligjit aktual zgjedhor. Sipas Skënder Gjinushit, vetëm sistemi aktual si i tillë, pa elementin e korrektimit kombëtar, ka bërë që 160 mijë vota, ose 11% e votave në total, të rrjedhin nga xhepat e partive të vogla, drejt PD e PS. Meta, Milo, Dule, Ndoka e Koçi e shohin edhe një herë veten përballë dy partive të mëdha, në transhenë e luftës ndaj Kodit aktual Zgjedhor.

Një tjetër element që e shton surprizën dhe befasinë e stinës zgjedhore që pritet të fillojë, është roli dhe pozita e Fatos Nanos në lojë. Potencialisht është e vetmja figurë e madhe politike, mes Berishës, Ramës dhe Metës, që mund të rezervojë një të papritur në zgjedhjet e ardhshme. Fati politik i Nanos mund të mbajë lidhur deri në një masë të caktuar, e kjo është paksa paradoksale, edhe vetë fatin e opozitës në zgjedhje. Përtej përçmimit dhe nënvlerësimit që PS i ka bërë vitet e fundit peshës elektorale të ish-kryetarit socialist, afrimi i ndrojtur që Rama po dëshmon me paraardhësin e tij, është një provë e tërthortë se opozita do ta ndryshojë më në fund taktikën e hershme “edhe i vetëm trim në luftë”.

Me sistemin aktual, një kalim eventual i përkrahësve të Nanos, nga LSI tek PS, do të sillte një efekt të caktuar, i cili së bashku me rrethanat e tjera negative për qeverinë, mund të ishte jo pak i rëndësishëm. Natyrshëm, Nano sot është ende një enigmë e madhe politike. Ai pretendon për herë të fundit postin e presidentit, çka Berisha deklaroi para pak ditësh se nuk do t’ia japë. Ky ndryshim i mundshëm i konjukturës rreth Fatos Nanos, krahasuar me verën e vitit 2007, mund të sillte afrimin e tij në vitin e ardhshëm me partinë që themeloi. Gjithsesi, kjo mbetet e gjitha për t’u parë dhe për t’u provuar.

Skena politike po i drejtohet zgjedhjeve të ardhshme, me një potencial jo të vogël transformizmi, aleancash, premtimesh e llogarish të vogla e të mëdha. Nga e djathta në të majtë, ose e thënë ndryshe, nga ajo pjesë e spektrit e dominuar nga konsumi i pushtetit, tek pjesa që e synon atë me më shumë forcë e bindje se kurrë. Politika shqiptare mund të ofrojë surpriza dhe goditje me efekt, nga ato që mund të përmbysin shifrat që ne njohim sot, një e ca para mbajtjes së zgjedhjes. Loja është hapur, lojtarët po zbresin gradualisht në fushë.

2 COMMENTS

  1. Loja është hapur, lojtarët po zbresin gradualisht në fushë.

    Po kush jane spektatoret?
    Kush jane ata qe u shesin “farat e lulediellit spektatoreve?
    Kundervenia e ka forcen e saj tek kritika,jo tek propozimi;ju Minxhozi nuk beni as njeren as tjetren.

Comments are closed.