NGA SOCIALIZMI NË FEUDALIZËM

0
38

LEONARD BODURI, 29 Mars 2013

Sistemi politik dhe ekonomik që lamë pas në vitet ’90, bazohej në idenë se çdo shtetas ka të drejtë të barabartë në pasurinë kombëtare dhe se qeveria duhet të zotërojë dhe të kontrollojë të gjithë industritë e vendit. Natyrisht mund të ketë akoma ithtarë të atij sistemi utopik, por pjesa dërrmuese e shqiptarëve janë përkrahës të palëkundur të vlerave të demokracisë dhe ekonomisë së tregut të lirë, të paktën teorikisht. Mirëpo, edhe pas më shumë se 20 vjetësh, duket se nuk kemi shijuar ende vlerat e vërteta të demokracisë dhe sistemi që kemi përjetuar deri tani është prototip i një hibridi midis socializmit dhe feudalizmit mesjetar. Nga njëra anë inercia e socializmit ka pasur ndikim të fortë me anë të implementimit të reformës agrare bolshevike, të votuar me shumicën e Parlamentit të parë demokratik.

Ligji famëkeq 7501 i vuri zjarrin ekonomisë vendase, duke mbjellë pasiguri dhe konflikt në të gjithë vendin dhe duke parandaluar me sukses zhvillimin e bujqësisë dhe të turizmit. Nga ky ngërç i planifikuar me kujdes, Shqipëria u kthye në një vend ikanakësh dhe kasta politike ia arriti qëllimit të ishte gjatë gjithë kohës në qendër të vëmendjes dhe të kishte kontrollin e plotë mbi të gjitha pushtetet, duke përfshirë edhe atë mediatik. Demokracia alla- shqiptare është një farsë perfekte që ka një ngjashmëri të frikshme me feudalizmin mesjetar.

Duke iu referuar përkufizimit, feudalizmi është një sistem shoqëror në të cilin qytetarëve u ofrohej “tokë dhe mbrojtje” nga një “fisnik” dhe në këmbim vasalët duhet “të punonin dhe të luftonin për të”. Nëse do të përditësonim përkufizimin teorik, natyrisht në ditët e sotme do të duhej të zëvendësonim foljen “luftoj” me shprehjen “të sigurosh një numër sa më të madh votash” në këmbim të favoreve që bëjnë “fisnikët-pushtetmbajtës”. Kjo strategji qeverisëse ka sjellë lindjen dhe lulëzimin e bizneseve klienteliste të pushtetit dhe ka perfeksionuar politikën nepotike të punësimit në administratën shtetërore. Çështja është kaq e koklavitur sa nuk mund të kuptosh dot se kush mban kë në këmbë?

A është biznesi që financon në mënyrë aspak transparente partitë politike apo janë partitë që ndërtojnë bizneset e vasalëve të tyre me anë të bujarisë në përdorimin e fondeve publike? A janë partitë politike që mbajnë militantët e tyre në vende komode pune në administratë, apo janë votat e militantëve që mbajnë partitë në pushtet? Të pretendosh se po jetojmë në feudalizëm dhe pranimi i një teze të tillë duket paksa e tepruar. Është gati e pamundur të pranosh se shoqëria jonë që jeton në mes të Europës ka lënë mbrapa në sistemet e organizimit shoqëror vetëm sistemin skllavopronar, prandaj është e nevojshme të japim argumentet e nevojshme.

Së pari, niveli i organizimit të partive politike, të cilat financohen rregullisht nga buxheti i shtetit, ngjan më shumë me çifligjet personale të kryetarëve të tyre, pasi niveli i demokracisë së brendshme të partive politike është shumë afër zeros. Nëse i marrim me radhë garimet më të fundit në partitë kryesore në vend, do të vëmë re se: te Partia Demokratike kryetari i saj nuk ka konkurrent në zgjedhjet e brendshme; ndërsa te Partia Socialiste, kundër kryetarit garoi një kandidat me një profil jokonkurrues si z.Maqo Lakrori, pjesëmarrës në garë për realizimin e një farse të dobët.

Një aktrim më të besueshëm në tregun mediatik ka realizuar Lëvizja Socialiste për Integrim me garën ndërmjet kryetarit të saj dhe z.Luan Rama, e cila mund të kuptohet më shumë si një përpjekje për të kuptuar hierarkinë në parti sesa një garë e vërtetë. Të gjitha përpjekjet apo mospërpjekjet e mësipërme për të treguar se ka demokraci të brendshme në funksionimin e partive politike, janë thjesht shfaqje të suksesshme vetëm në aspektin teatral të tyre. Natyrisht niveli i demokracisë së brendshme në aspektin lokal është i pakonceptueshëm. Askush nga anëtarët e partive politike nuk mund të dalë mbi vullnetin personal të kryetarëve të tyre, apo të kupolës së partisë.

Së dyti, praktika e financimeve të partive politike e tejkalon edhe tezën e feudalizmit, duke u futur në një zonë të errët dhe të rrezikshme. Pretendimi se shpenzimet e përditshme apo ato marramendëse të fushatave elektorale mbulohen me kuotizacionet e anëtarëve të partive është maska më qesharake që kërkon të mbulojë “thembrën e Akilit” të pseudodemokracisë shqiptare. Në të gjitha vendet e zhvilluara që aplikojnë sistemin demokratik, partitë politike kanë një organizim financiar tejet transparent, ku kuotizacionet kalojnë nëpërmjet transaksioneve bankare në arkën e partive politike. Sa më i madh të jetë numri dhe baza e mbështetësve, aq më i madh është edhe popullariteti i organizatave politike.

Ndërkohë, në vendin tonë financimi real i partive kryhet nga bizneset vasale të pushtetit, të cilave, me anë të dhënies së “kuotizacionit të majmë”, u jepet e drejta “të mos preken” nga organet tatimore dhe në të njëjtën kohë të rreshtohen në listën e preferuar për përfitimin e fondeve publike. Në këtë simbiozë të pushtetmbajtësve dhe të “pretorianëve të pushtetit”, nuk mungojnë as mediat klienteliste që mbështesin hapur dhe njëanësisht organizatat politike që u sigurojnë fonde të mjaftueshme nga shpërndarja e reklamave shtetërore. Ato media që nuk ndjekin linjën mediatike të pushtetit, mund të vuajnë seriozisht mbijetesën në treg.

Së fundi, dhe më e rëndësishmja, është produkti final i organizatave politike në vend, konfigurimi i Parlamentit. A mund të pretendohet të ketë zgjedhje demokratike, kur kandidatët e ofruar për t’u zgjedhur janë rezultat i një procesi kryekëput jodemokratik, por thjesht feudal? A mund të pretendojmë që jetojmë nën një rend demokratik, kur feudalizmi partiak ka uzurpuar çdo qelizë të jetës shoqërore shqiptare? A mund të ketë mundësi për përmirësimin e nivelit demokratik, kur “kantonizimi i vendit” ka salduar një herë e mirë përdhosjen e Kushtetutës së vendit, për sa i përket barazisë së votës së qytetarëve?

A mund të ketë shpresë për ndryshim të rregullave të lojës apo një ndryshim rrënjësor në qëndrimin e votuesve kur “grilizmi” si rrymë shoqërore mbështetet vetëm nga një kalorës i vetëm, z.Lubonja? Nuk ka rëndësi se si do ta përkufizojmë sistemin që po jetojmë: pseudodemokraci, hibrid midis socializmit dhe feudalizmit, ndërkohë që demokracia e vërtetë mbetet akoma një ëndërr e pamundur…