Nga se duhet të ketë frikë realisht Berisha?

0
38

Nga Gilman Bakalli, 18 tetor 2013

E kush nuk e provoi atë ndjesinë e përzier midis ngazëllimit dhe nënqeshjes të martën, ditën kur mes rrjedhës monotone të urimeve për festën e Bajramit në facebook shkëlqeu si margaritar një urim i veçantë, urimi që ish-kryeministri Berisha i drejtonte vetes në përvjetorin e tij të 69-të të lindjes?! Nuk mund të mos prekeshe nga gëzimi i sinqertë i Berishës, me të cilin ai, tamam si një çunak, i thërriste botës virtuale: “hej shikoni, jam akoma këtu, po i afrohem të shtatëdhjetave dhe jam super në formë, falë Zotit dhe falë Jush”!

E si të mos infektoheshe nga vendosmëria lojcake e Berishës për të mos ia lejuar vetes luksin e tërheqjes nga aksioni i ditës dhe zhytjen në soditjen kontemplative të rrjedhës së pandalshme të jetës. Sidoqoftë, emocioni që të ngjall gjesti i çiltër i një ish-kryeministri, ia lë shpejt vendi dëshirës së esëllt për të kuptuar se çfarë fsheh kjo harè ish-kryeministrore e shpërndarë virtualisht. Thjesht ekzibicionizëm? Dëshirë për të imponuar prezencë, energji dhe kult rinor? Vendosmëri për të mos ia lënë të tjerëve gjykimin e Veprës së tij? Të gjitha nga pak, sigurisht, por mbi të gjitha frika njerëzore nga harresa dhe vdekja.

Por ka edhe një tjetër ankth, edhe më të tmerrshëm se frika nga vdekja, të cilin Berisha tani për tani, i kapur fort pas dëshirës për të mos u larguar nga skena, ndoshta nuk arrin ta përfytyrojë dot. Ankthin që përftohet prej pamundësisë për t´i ikur kësaj bote, duke bërë që ai të mbetet i ngujuar në këtë botë. Zakonisht diktatorët e kanë këtë fat(keqësi). Nuk arrijnë të shijojnë qetësinë e amshueme përtej botës fizike. Sa ishin gjallë e zgjodhën vetë të notonin në ujërat e turbullta dhe të trazuara të politikës. Duke trazuar kësisoj edhe jetët e shumëkujt…

Jam rrënqethur kur kam parë në një dokumentar televiziv kufomën e një burri të vdekur para pesëmijë vjetësh, në eshtrat e së cilës kishte rrëmuar me shkopin e skive padenjësisht një studiues akullnajash nga Insbruku i Austrisë! Ndjeva mëshirë për këtë njeri, të cilit i kishin vënë edhe një emër infantil, Ötzi (Ëci), e kishin copëtuar në rriska, e kishin ngjitur përsëri para t´ia dorëzonin studiuesve dhe t´ia ekspozonin publikut sehirxhi. Ndoshta për Berishën Ötzi është mishërimi i ëndrrës së tij për pavdekësi.

Por për mua ai është njeriu që nuk ia del t’i ikë kësaj bote, njeriu, të cilin pasardhësit e kanë të dorë ta keqtrajtojnë në mënyrë të pacipë, pasardhës, që para të vdekurit nuk e ulin shikimin, por e ekspozojnë atë thjesht sepse u intereson. Hollë-hollë, kjo është frika që duhet të ndjejë në të vërtetë Berisha. Frika nga pasardhës që s’e kanë problem prishjen e qetësisë së të vdekurve. Frika nga pasardhës nekrofilë, të cilët janë aty si dëshmitarë se as vdekja nuk mundet ta mbrojë në mënyrë të sigurt nga duart e të gjallëve.

Mapo