Nga padite tek sulmet fizike

0
27

Nga Enton Palushi

Pas pothuajse pesë vitesh, Shqipëria është rikthyer në raportin “Sulmet mbi median”, që hartohet nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve, një organizatë shumë e njohur ndërkombëtare me seli në New York. Lajmi kaloi në heshtje të plotë në mediat shqiptare. Hera e fundit kur Shqipëria futej në këtë listë ishte në vitin 2004, kur vendi qeverisej nga Fatos Nano. Edhe atëherë, një rast flagrant i sulmit ndaj medias ishte një padi e kryeministrit Nano ndaj gazetës Tema. Sot, pesë vite më pas, sërish në qendër të raportit është gazeta Tema. Kësaj here nuk bëhet fjalë për padi, por për sulme fizike.

Çfarë ka ndryshuar në këto pesë vite në lirinë e medias dhe përse kemi mbërritur sërish tek renditja në listën e zezë të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve?

Së pari, nuk ka më padi të administratës ndaj mediave pas një urdhri të kryeministrit Sali Berisha. Edhe pse publikut i është servirur si një urdhër që synon të zgjerojë lirinë e medias në vend, qëllimi ka qenë zhvlerësimi i atyre që shkruhen e thuhen në media, duke e nxjerrë nga binarët ligjorë problemin e medias. Mjafton të ndjekësh sulmet që ndërmerr kryeministri ndaj mediave kritike, për të kuptuar se urdhri i tij është i pavlerë.

Së dyti, duhet thënë se padi ndaj mediave ka pasur. Por jo në Shqipëri. Para disa muajsh një sekser serbo-boshnjak pranë familjes kryeministrore tha se kishte paditur gazetën Tema për shpifje në Angli. Kjo e fundit është në qendër të vëmendjes botërore pasi është kthyer në vendin e “turistëve paditës për shpifje”. Persona të ndryshëm që nuk kanë lidhje me Anglinë depozitojnë aty padi, për shkak të ligjit anglez që barrën e provës ia lë gazetarëve, ndryshe nga sa ndodh në SHBA e vende të tjera perëndimore. Ky problem është bërë shqetësues për Anglinë, e cila po synon të ndryshojë ligjin duke u prerë rrugën mashtruesve si puna e Fazlliç që të pengojnë gazetarinë investigative në vende të pazhvilluara. Pikërisht nga këtu duhej të kishte nisur reforma e kryeministrit për të rritur lirinë e medias: duke i garantuar asaj që barrën e provës ta kishin organet e specializuara të hetimit dhe drejtësisë. Por, përsa kohë kryeministri është i zënë duke sulmuar për hesape personale drejtësinë, ky ndryshim duket jashtëzakonisht i largët.

Së fundmi, në rajon nuk jemi të parët për sulmet ndaj gazetarëve. Por jemi të fundit për lirinë e medias. E para për sulmet ndaj gazetarëve është Kroacia. Por atje gjërat duken pak më ndryshe.

Në Kroaci vërtet kërcënohen gazetarët, por atje policia deklaron se i merr në mbrojtje ata, kurse këtu policia merr në mbrojtje sulmuesit e gazetarëve.

Në Kroaci vërtet pushohet nga puna kryeredaktorja e një emisioni investigativ në televizionin publik pas publikimit të aferave korruptive, por këtu televizioni publik nuk transmeton as lajmet e opozitës.

Në Kroaci mundet që qeveria të qëndrojë pas ndonjë sulmi, por atje kryeministri edhe jep ndonjëherë dorëheqje.

Në Kroaci ka disa media që bëjnë gazetari investigative prej disa kohësh, kurse këtu kjo lloj gazetarie është në hapat e parë.

Në Kroaci vërtet ka sulme ndaj gazetarëve, por korrupsioni e krimi atje janë disi më të decentralizuar, kurse këtu janë më të centralizuara se kurrë. Ky është dhe problemi themelor për lirinë e medias. Rasti i gazetës Tema e tregoi këtë.