Shqipëria po bëhet gati të hyjë në një epokë të re zhvillimesh politike. Pas një periudhe sundimi të skenës politike nga Sali Berisha dhe Fatos Nano, ku me luftë e ku me paqe, dhe pas një një sherrnaje sfilitëse publike mes Berishës dhe Ramës, duket se njerëzit janë vërtet dhe realisht të lodhur. Gjatë gjithë këtyre viteve, shqiptarët kanë shkuar të votojnë duke zgjedhur mes dy të këqijave, atë qe mendonin se ishte e keqja më e vogël. Por në këndvështrimin biologjik, ajo e keqja më e vogël ka qenë e tillë pasi nuk ka patur kushtet për tu rritur dhe sapo është vënë në tokë pjellore, ka pushtuar dhenë.
Berisha tashmë i përket të shkuarës. Ai e ka përfunduar ciklin e tij dhe e vetmja gjë që nuk dihet me saktësi është, nëse do të bëjë apo jo vend në muzeun e historisë, si njeriu që luajti protagonistin e politikës në dy dekada të periudhës postkomuniste. Fato Nano është duke kërkuar aleatë për tu ricikluar në politikë pas nje periudhe pushimesh të gjata. Ashtu siç ka pohuar edhe vetë, se historia i shkon nga pas, duket se edhe kësaj radhe për të është duke punuar koha dhe nuk është çudi të bëhet kryetar i shtetit, jo për ndonjë meritë të veçantë që nga koha kur la kryeministrinë, por si nevojë dhe imponim i diplomacisë ndërkombëtare për konsensus dhe për mos futjen e vendi në një tjetër spirale krize politike si ajo që ngriten në këmbë Berisha dhe Rama për tre vjet me radhë.
Rama nga e tij, duket të ketë humbur kredite nga kokëfortësia me të cilën nxiti dhe menaxhoi krizën politike të paszgjedhjeve të përgjithshme. Ndërkohë që ka vënë shishen në rradhë dhe është i pari në pritje për të marrë pushtetin kur Berisha ta dorëzojë atë, pasi ti jetë dorëzuar moshës, konsumit mendor e fizik dhe mbi të gjitha erozionit politik brenda partisë së tij.
Nëse shqiptarët do të ftoheshin të votonin sot, do të duhej të zgjidhnin sërish mes dy të këqijave dhe mendoj se do të zgjidhnin të keqen më të vogël, që është Rama. Por duket se skena politike është duke pësuar disa përthyerje tashmë. Dhe padyshim është formacioni politik i presidentit Bamir Topi ai është pritet të trazojë “kulacin” e thartuar të politikës shqiptare. Por autoriteti i partisë së Topit dhe hapësira që ajo do të zërë në politikën shqiptare, do të varet nga njerëzit që do të angazhojë. Nëse Topi do të shërbejë si parti për të mbledhur thjeshtë të pakënaqurit nga Berisha dhe të dëbuarit nga PD edhe si të paaftë, atëherë Topi do të përfundojë si partitë e Cekës, Gjinushit, Ndokës & Co. Dhe shenjat janë. Nuk besoj se ka shqiptar që sot do të ta mendonte partinë e Topit shpresë, duke parë riciklimin e Aleksandër Meksit, apo të politikanëve foklorikë të tipit Blerim Çela.
Shqiptarët kanë realisht nevojë për imazhe të reja. Askund nuk ka profesion ministër apo deputet që të justifikojë Sali Berishën 22 vjet në krye të të djathtës dhe pushtetit, as Genc Rulin tërë jetën ministër, as Gramoz Rucin e Namik Doklen tërë jetën e jetës deputetë, e as ca të tjerë që kanë qarkulluar nga njëri krah në tjetërin, nga njëra legjislaturë në tjetrën.
Në treg është hedhur edhe Aleanca Kuqezi, por kjo më shumë se parti duket një dalldi shfryrjeje pakënaqësishë dhe nacionalizmi pa asnjë lidhje me realitetin. Përtej pektut intelektual, baza e saj u ngjason atyre grupeve të tifozëve që kur shkojnë në stadium, ikin duke bërtitur ”o sa mirë me qenë shqiptar”, ndërsa kur dalin bërtasin “o sa turp me qenë shqiptar”, sepse kanë humbur ndeshjen. Nuk besoj se AK mund të ngulë rrënjë dhe të krijojë identitet si parti, derisa edhe boshti ideologjik i saj janë dogma të tipit: “Ne jëmi shqiptarë dhe në dejet tona rrjedh gjak kuqezi”.
E vetmja alternativë deri tani e AK është “kundër grekëve, kundër serbëve, kundër maqedonasve, kundër turqve….”. Të tilla dogma nuk kanë bërë vend as në Shqipërinë e para 100 viteve, ndërkohë që sot këto janë realisht të dala mode, por në kohë dëshpërimesh so këto të tanishmet, mund tu hapin rrugë dhe stimulojnë ide realisht të rrezikshme. Përpos këtyre, lëvizjen e kompromenton edhe enigma e financimit, ndërkohë që deri tani është përfshirë në disa veprimtari dukshëm me kosto jo të vogël financiare.
Për pasojë e vetmja mundësi reale për ta përthyrë realitetin politik është partia e Topit, vetëm nëse ai nuk do të bëjë një parti sa për inat të Berishës dhe me të idhnuarit e Berishës, por një parti që të ofrojë alternative reale.
E megjithatë këtu çdo gjë munmd të ndodhë. Ne jemi, i vetmi popull në botë që na u desh të investoheshim në një kryengritje të armatosur me kosto marramendëse ekonomike e njerëzore, si 1997-ta, për të rrëzuar një president, të cilin vetëm pas 8 vitesh e kthyen në pushtet me votë të lirë. Askush nuk ka thënë deri tani se në 2005 zgjedhjet ishin të manipuluara. Ndaj dhe parashikmet dhe deduksionet logjike këtu edhe mund të mos rezultojnë të vërteta dhe nga mes dy të këqijave të shkojmë dhe të zgjedhit një edhe më të keqe, për inat të dy të parave.