Nga kush u tradhtua Klosi?

0
68

ResPublica.al, 18 shkurt 2013

Vëllimin “Te kundërcjapi” autori Ardian Klosi kish planifikuar ta botonte pranverën e shkuar. “Do ta botonte në kuadër të Panairit të Pranverës, që nuk u zhvillua dot kurrë”- thotë botuesja Arlinda Dudaj – në të përditshmen MAPO, ku gjen të botuar edhe një intervistë të gjatë për Klosin të gazetares Aida Tuci me Ardian Vehbiun. Duke komentuar botimet e Klosit Vehbiu thotë ndër të tjera:

“Në momentet më të sinqerta të tij, ose atëherë kur proza i afrohet më shumë rrëfimit vetjak, deri edhe privat, e gjej Klosin të identifikohet fshehtazi, ndoshta edhe pavetëdijshëm, me Krishtin – jo aq atë të Ungjijve, sesa Krishtin e përcjellë nëpërmjet Nolit, atë të tradhtuarin e ‘Shën Pjetrit mbi mangall’; njeriun që e lanë vetëm, për faj të forcës e magjisë që ia kish fjala dhe imazhi”- po ju citoj ju nga parathënia e librit… Pyetja është: nga kush u tradhtua Klosi?

Nga të gjithë ata njerëz, miq kolegë e të njohur, tek të cilët shihte bashkudhëtarë të vetët. Jo sepse i kthyen kurrizin në momente të vështira, por sepse nuk ia dëgjuan thirrjen për të bërë diçka, për të vepruar kundër së keqes, kundër vdekjes termike të universit kulturor shqiptar, kundër maskarallëkut që i ka shtrirë metastazat kudo, aq sa shumë prej nesh e konsiderojmë normal…

Më kanë thënë edhe se, në muajt e fundit para se të vdiste, ai kish kërkuar të punonte në institucionet universitare dhe akademike, me cilësinë e albanologut, që e kish fituar me djersë; por titullarët e këtyre institucioneve nuk ia kishin mirëpritur kërkesën, ndoshta ngaqë nuk ia falën kritikat e djeshme, ndoshta edhe ngaqë ndiheshin të kërcënuar, nga ky njeri. E vërteta mbetet se Ardian Klosi ishte i pamirëpritur nga administratorët e rutinës në Tiranë, dhe i tillë mbeti deri në fund…

Dhe është e rëndë, të mendosh se me sa lehtësi i sulmon ndonjëherë opinioni publik, i shndërruar në turmë, figura të tilla që përkundrazi, duhej t’i trajtonte si pasuri kombëtare; sepse ato nuk zëvendësohen kurrë, ndryshe nga pjesët e një makine ose tullat e një muri. Mallkimi i kulturës sonë nuk është se nuk arrin dot të përftojë shkëlqim aq sa duhet, as se nuk arrin të vetëstrukturohet në mënyrë organike, por sepse vuan nga një sëmundje auto-imune foshnjore, e tillë që e bën të luftojë pikërisht arritjet dhe shfaqjet e veta më të admirueshme.

Disa e ndiejnë këtë dhe, për të ruajtur mendtë e kresë, largohen nga skena si pa u ndier, duke ua lënë mejdanin mediokërve e duke i parë tempujt e kulturës të shndërrohen në çadra cirku e salla bixhozi; pastaj të gjithë ankohemi, për intelektualët që nuk i dalin zot të sotmes. Dhe ndonjëherë duhet të përplasë derën, tek ikën, ndonjë Klos, për ta kuptuar se në ç’baltëra e kemi katandisur veten…” (a.n.)

Intervista e plotë:
http://www.mapo.al/2013/02/18/vehbiu-ardian-klosi-u-tradhtua…