NGA JOSEF STALIN TE JOSEF DAUL

0
35

Andrea Stefani

Andrea Stefani

Pasi u burgos për rreth gjysmë shekulli, për shkak të ideologjisë dhe politikës se Josef Stalinit, opsionit të demokracisë në Shqipëri duket se i duhet të përballet edhe me “Joseph”-ët e konservatorizmit europian që janë vënë në mbështetje të verbër të autoritaristit Berisha. Në ballë të këtyre të fundit ka dalë tani Josef Daul, kreu i grupit parlamentar të Partive Popullore, një cilësim ky që u faneps jo pak shqiptarëve, fantazmën e Republikës “Popullore”.

Bashkiniciator me Martin Shulc, kreun e partive të majta në PE, të një takimi mes liderëve shqiptarë për zgjidhjen e krizës, Daul u shfaq befas në Tiranë me të gjitha bateritë berishiste kundër opozitës. Në një intervistë, dhënë para pak ditësh një të përditshmeje shqiptare, Daul sqaroi se kish ardhur në Tiranë “për të dëgjuar të gjitha palët”. Por çka shtjelloi më pas, tregon se kish dëgjuar me njërin vesh, duket me atë të djathtin konservator, vetëm fjalët e Berishës.

Sepse gjithçka e thënë prej tij, është një përsëritje e propagandës së rëndomtë dhe të përditshme berishiste për krizën. Shqetësimet, alarmet dhe ndjeshmëritë e opozitës, mungojnë krejtësisht në gojën e Daul. Pse? Mos vallë ngaqë Daul ka mik Berishën dhe jo Ramën? Atëherë pyetja për të do qe: Pse punë miqësish janë këto? Apo mos vallë opozita nuk ka fare, fare-fare të drejtë? Natyrisht një pozicionim i tillë i Daul e ngazëllen autoritaristin Berisha. Por, nga ana tjetër, a nuk është ky antiopozitarizëm absolut i Daul, diçka që na kujton atë Jozefin e tmerrshëm të stepave?

* * *

Por ç’tha Jozef Daul. Mjerisht shumë të pavërteta. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe kur ai u shfaq jo në pozicionin e një parlamentari europian, që dëshiron të kontribuojë për zgjidhjen e krizës shqiptare, por në pozicionin e një aleati të autoritaristit Berisha që kërkon ta mbyllë krizën në favor të Berishës.

“Kushtetuta duhet të zbatohet”… “ata që kontestojnë rezultatin e zgjedhjeve të vitit të kaluar duhet të përdorin procedurat ligjore në dispozicion të tyre”… “demokracia në Shqipëri, për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të opozitës, nuk është duke funksionuar si duhet”… “zgjedhjet ishin të vlefshme”… “të kalojmë reformat e nevojshme duke përfshirë edhe ato mbi ligjin zgjedhor”, “i kërkoj opozitës të sillet si opozitë normale”. Kush po flet Berisha? Jo është Jozef Daul. Por ka edhe më: “Porosia ime e vetme ishte që shteti ligjor duhet të mbizotërojë”… “Porosia ime është e qartë”.

Të tilla konstruksione të foluri u kujtojnë jo pak shqiptarëve, të paktën atyre që kanë jetuar nën komunizëm, porositë e “Stalinit të madh”. Jozef Stalin na ka porositur ta mbajmë të fortë shtetin e diktaturës së proletariatit – thoshte ish-diktatori Hoxha. Tani është radha e Sali Berishës të shprehet: Jozef Daul na porosit ta mbajmë të fortë shtetin ligjor. U arratisëm nga Jozefi dhe po mbërrijmë te Jozefi. Çfarë tranzicioni! Madje edhe autori i këtyre radhëve trembet se, pas kësaj që shkroi, mos gjendet nën pozitën e dikurshme të atij që ka guxuar të kritikojë Joseph-in e pagabueshëm!

* * *

Duke u vënë në shërbim të verbër të një partie dhe lideri “mik”, Jozef Daul është vënë në shërbim të opsionit autoritarist kundër atij të demokracisë në Shqipëri. Ai përsërit tezën berishiste të “zbatimit të Kushtetutës” pa e vrarë fare mendjen se ku vallë shkelet ajo nëse realizohet transparenca e kërkuar nga opozita. Dhe një europarlamentar si një nga “unreflecting creatures” që përmend Erich Fromm, është një problem i madh për vende të vogla si Shqipëria, integrimi i të cilave me botën e lirisë, përcaktohet jo pak nga këta europarlamentarë.

Prandaj mërzitemi kur shohim që Jozef Daul nuk dëshiron t’i marrë gjërat të lidhura, pra nuk dëshiron, për shembull, të bëjë ndonjë lidhje logjike mes tezës berishiste që opozita t’i drejtohet për ankesë gjykatës dhe faktit të njohur tashmë se në Shqipëri, gjykatat nuk janë të pavarura dhe se politika ushtron presionin dhe kapjen mbi to? Shqetësohemi që Daul nuk i bën pyetjen vetes se kush është ai segment i politikës më me shumë potenciale dhe lakmi për të kapur gjykatat, përveçse qeverisë dhe “mikut të dashur Berisha”? Alarmohemi kur dëgjojmë Daul të thotë se opozita duhet të shkojë në Parlament dhe atje të hetojë zgjedhjet me anë të një komisioni parlamentar të krijuar tiranikisht nga shumica dhe të cilit, po tiranikisht dhe antikushtetutshmërisht, i është hequr e drejta e hapjes për hetim të kutive. Zemërohemi kur shohim se Daul këmbëngul të mos dëgjojë zërin e opozitës se ai është një komision që mund t’i “hetojë” zgjedhjet vetë nga jashtë kutisë, të hetojë bojën dhe bythën e kutive.

Por duket se kjo nuk përbën shqetësim për Daul, sepse edhe vetë ai është mësuar ta shikojë demokracinë shqiptare vetëm nga jashtë, nga boja. Ky lloj i ri Jozefi nuk bën të tilla refleksione, sepse misioni i tij është mbështetja e një partie “të djathtë” dhe e një miku “të djathtë” si Kryeministri Berisha. Dhe të mendosh se janë pikërisht këta europarlamentarë që i këshillojnë kohë pas kohe opozitës shqiptare, që të dalë mbi interesat e saj të vogla, apo edhe Edi Ramës, që të ngrihet mbi ambiciet dhe luftën personale! Pikërisht këta që nuk janë në gjendje që të ngrihen mbi një aleancë konvencionale për të mbrojtur atë që është themelore në një demokraci, lirinë dhe ndershmërinë e votës.

Themi aleancë konvencionale, sepse konservatorët si Daul, bëjnë gabim të rëndë kur e vlerësojnë PD me kutin e partive konservatore europiane. Në realitet, PD nuk ka asnjë vlerë (por që ta kuptojnë këtë duhet të futen në “kutinë” e PD) që ta bashkojë me konservatorizmin europian dhe vlerat e tij. Aq më pak lideri i saj, autokrati Berisha. Në themel të konservatorizmit është liria dhe ligji, ndërkohë që 20 vjet tranzicion dhe dështim të shtetit të sundimit të ligjit, japin prova pafund të dhunimit nga “demokrati” Berisha të ligjit dhe të lirisë. Pse ka ndodhur kështu. Sepse Berisha nuk do që në Shqipëri të sundojë ligji, por Berisha. Të gjitha krizat shqiptare, nga më të rëndat e deri ato më të moderuarat, kanë në rrënjë të tyre pengimin e ligjit dhe drejtësisë nga berishizmi.

Edhe kriza që po përjetojmë lidhur me zgjedhjet, ka në themel dhunimin e ligjit zgjedhor nga institucione të kapura prej pushtetit berishist. Është fjala për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) dhe Kolegjin Zgjedhor. E ndërsa Jozef Daul bën avokatinë e Berishës dhe lufton opozitën në Tiranë, duke e cilësuar të papërgjegjshme, miku i tij Berisha ka ndërmarrë një tjetër aksion për të përkryer kapjen e pushteteve dhe gjykatave. Kandidaturat për Gjykatën Kushtetuese dhe Gjykatën e Lartë po i nënshtrohen një inkuizicioni politik nga shumica berishiste në komisionet e Kuvendit, duke hedhur poshtë të gjithë ato kandidatura që nuk i pëlqejnë Berishës.

Që do të thotë, si për herë, të gjithë ata kandidatë që nuk japin shpresa se do vihen në shërbim të Berishës. Pra, ndërsa Jozef Daul mbron Berishën në emër të vlerave të konservatorizmit, ky i fundit po shkallmon përfundimisht atë që është themeli i lirisë në çdo shtet, pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Po arrijmë me shpejtësi në momentin kur të shkosh të ankohesh në gjykatë kundër Berishës apo padrejtësive të administratës së tij, do të jetë njësoj si të kërkosh drejtësi te vetë Berisha, që është burimi i padrejtësive. Ka ndonjë gjë për t’u habitur me këto akuza kaq të rënda për një “demokrat” dhe një mik “konservator” si Berisha?

Jozef Daul mund të habitet sa të dojë, por mjafton të pyesë Malkolm Rifkind, ish-ministrin e Jashtëm britanik, sa për rifreskim kujtese. Në muajt e tmerrshëm të vitit ’97, Rifkind, u detyrua të distancohet nga bëmat autoritariste të mikut Berisha, deri atëherë shumë të dashur për qeverinë konservatore të Xhon Mejxhërit. Por qe shumë vonë. Konservatorët në Britani, dhe në jo pak vende europiane, kishin neglizhuar kritikat e shoqërisë civile, opozitës shqiptare, medias, për regjimin autoritar dhe të kriminalizuar që po ngrinte Berisha në Tiranë. Kishin neglizhuar (sikundër pohojnë gazetarë si Gumbel, Wickers apo Petiffer) deri edhe informacione të shërbimeve të tyre sekrete për kriminalizimin e qeverisë Berisha.

Sot po shohim se jo pak europianë i kanë “delete”-ur bëmat e dikurshme të autoritaristit Berisha gjë që e kishin vështirë ta besonin 6 vjet më parë, edhe më skeptikët e “ndryshimit” të Berishës. Të paktën atëherë besohej se Europa nuk do ta lejonte Berishën të përsëriste të njëjtat mynxyra. Kohët po provojnë se gaboheshin. Europa nuk ka nxjerrë mësim nga Berisha dhe prandaj edhe Berisha nuk ka nxjerrë mësime nga Europa. Sot shohim të njëjtën indiferencë europiane ndaj kritikave drejtuar qeverisë nga ana e opozitës, medias dhe shoqërisë civile shqiptare.

Nuk dihet ende se çfarë i informojnë agjencitë e inteligjencës qeverive europiane për skandale të tilla si Gërdeci, ku nxjerrin kokën përsëri trafiqet e vjetra të armëve të një (siç shprehej Andrew Gumbel në ’97) “qeverie të gangsterësh” tashmë të harruar. Dhe ndoshta do të vijë një ditë që edhe Joseph Daul apo Doris Pack (kjo e fundit ka nisur të akuzohet edhe nga vetë deputetë të PE si avokate vulgare e Berishës), të pendohen për këtë mbrojtje të pamatur pra, të papërgjegjshme, që po u bëjnë taktikave “me shtet ligjor” të një politikani të afishuar si një autoritarist i fiksuar që po pengon prej dy dekadash ndërtimin e shtetit ligjor në Shqipëri. Dhe urojmë të mos jetë shumë vonë, si në vitin e mbrapshtë ’97. Sepse atëherë asgjë nuk mund t’i shpëtojë politikanë europianë si Daul nga të qenët, tok me politikanë autokratë si Berisha, bashkëvarrmihës të demokracisë në Shqipëri.