Nga Mero Baze, 17 Korrik 2012
Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, nuk i përket racës së politikanëve që e kanë fituar lehtë pushtetin, por racës së politikanëve që e kanë shitur shtrenjtë lirinë e tyre. Në karrierën e tij politike, Arben Imami ka bërë një betejë të pashembullt për të vendosur disa standarde të demokracisë brenda Partisë Demokratike dhe më pas si kundërshtar i saj në krye të Aleancës Demokratike. Ai është përballur politikisht dhe fizikisht me pushtetin arbitrar të Berishës derisa më 28 maj të vitit 1996 policët e Agim Shehut e rrahën barbarisht, duke i thyer dhëmbët në qeli.
Muaj më pas, ai u vu në krye të protestave të dhunshme në jug të vendit dhe kërcënoi deri qeverinë e Pajtimit Kombëtar në Tiranë, ku partia e tij u bë pjesë e saj, se do ta rrëzonte me dhunë. Më pas ai u integrua në pushtetin e socialistëve dhe u bë dy herë ministër, një herë nga Fatos Nano dhe një herë nga Ilir Meta. Pasi u largua nga qeveritë e socialistëve, filloi të afrohet sërish me Berishën.
Në vitin 2005, ai tentoi të integrohej në strukturat e PD-së, por pati një refuzim të votuesve kundër tij. Pasi Berisha u bë kryeministër, Imami u propozua si shef kabineti i tij nga Frangaj dhe grupi i Klan, në përpjekje për të pasur një derë hapur në zyrën e kryeministrit. Për katër vite, si shef i kabinetit të Berishës, Imami u bë dëshmitar i së paku disa prej aferave të forta që tronditën historinë politike të Berishës, siç ishte historia e Gërdecit dhe fshehja e provave për pjesëmarrjen e të birit të Sali Berishës dhe baxhanakut të tij në biznesin vdekjeprurës të Gërdecit.
Ky me sa duket u bë fati i madh i Imamit, që i ridha atij besimin e Berishës. Menjëherë pas zgjedhjeve të vitit 2009, ai u dërgua në Ministrinë e Mbrojtjes, në vendin ku gjurmët e krimit të historive të trafikut të armëve dhe demontimit, pas të cilëve qëndronte i biri i kryeministrit, nuk ishin fshirë ende. Imami u dërgua aty si garant i zhdukjes së tyre. Nën këtë garanci dhe pas një agjërimi të gjatë si opozitar dhe pushtetar i mbajtur në distancë, duket se ai ka ndërtuar jo vetëm linjat e veta të përfitimeve personale, por dhe është kthyer në një ushtar të padenjë të njerëzve që sponsorizuan pushtetin e tij të ri nën Berishën.
Ditët e fundit, shumë zyrtarë të Ministrisë së Mbrojtjes kanë dërguar e-mail-e dhe kanë denoncuar jo vetëm linjat e trafikut personal të Imamit, siç janë disa kompani preferenciale që lidhen me një biznesmen të afërt me të, që drejton një qendër argëtuese në Farkë, por dhe shërbimet e tij ekstreme ndaj atyre, që e çuan në kabinetin e Berishës. Por më shumë se kaq, Imami ka bërë kujdes të marrë një rol primar në realizmin e ëndrrës së Berishës për një shtet paralel që kontrollon opozitën dhe median kritike, dhe e përdor këtë informacion të paligjshëm për politikë.
Kjo është shkalla ekstreme në të cilën Arben Imami, nga një ish “gjeneral” kundër Berishës, po vetëpërdoret si ushtar i njerëzve të afërt të tij, kundër opozitës dhe parimeve, për të cilat ai vetë ka luftuar dikur. Gjithandej për të flitet për skandale financiare, për tendera korruptive për klientët e vet, për pazare të fëlliqura armësh me sekserë serbo-boshnjakë, që flenë në shtëpinë e Sali Berishës, për biznesmenë që janë bërë si “gjeneralë” në korridoret e Ministrisë së Mbrojtjes dhe për një ministër, i cili ka marrë përsipër t’i heqë Berishës merakun për përgjimin e opozitës, duke e bërë këtë punë jashtë çdo ligji dhe rregulli në këtë vend.
Ata që e njohin mekanizimin se si Berisha ushtron pushtetin, e kanë të qartë se ish “gjenerali” anti- Berishë është kthyer në ushtar për shkak të një pengu të madh, që duhet të ketë në raport me Berishën. Dhe mos mendoni se Berisha i ka zbuluar diçka nga e shkuara e tij, mos mendoni se shkrimet e dikurshme të Edi Palokës në RD, se ai ka qenë bashkëpunëtor Sigurimi janë të vërteta, dhe as mos vrisni mendjen se Berisha i ka ndonjë gjë në dorë nga marrëzitë që ka bërë në vitin 1997. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur. Ka ndodhur ajo që ndodh përditë para syve tanë.
Arben Imami ka pranuar të pastrojë biografinë kriminale të Familjes Berisha në pushtet, ka bërë shërbime të pista për pushtetin kundër opozitës dhe për këtë, ka marrë leje të bëjë para. S’ka asnjë shpjegim tjetër zhytja e tij në këtë gjiriz me pare të pista, me ndere personale gati si ushtar për Frangajn dhe ata që e futën në atë Ministri dhe me një arrogancë dhe fodullëk të pështirë ndaj denoncimeve të opozitës dhe shtypit, të cilët po tregojnë përditë sa e rrezikuar është demokracia kur vendi qeveriset nga njerëz të marrë peng. Nga ushtarë të krimit!