Nga Ilir Yzeiri, 7 Tetor 2012
Eliza Dushku bashkë me Angjela Martinin e disa shqiptarë të tjerë që kanë bërë karrierë nëpër botë, u mblodhën nga qeveria e Tiranës për një veprimtari që nuk merret vesh se çfarë është: promovim i kulturës shqiptare nëpër botë apo promovim i borgjezisë së re klienteliste të Tiranës. Kumbara e kësaj ngjarjeje është Lulzim Basha, i cili, me stilin e orientalizmit provincial, ka sajuar një “ballo” të madhe për të bërë fotografi me shqiptaret e shqiptarët e famshëm nëpër botë. Ajo që bie në sy është skota e madhe e qeverisë dhe klientëve të saj pasunarë që bëjnë fotografi me artistet e famshme për të ekspozuar fustanet e shtrenjta, byzylykët dhe kilogramët e florinjve hedhur rreth qafës.
Ky lloj manifestimi ka tipologjinë dhe paradigmën e vet në traditën provinciale e patriarkale shqiptare. Ai të kujton haremet e pashallarëve të kohës së Turqisë, ku pashai i madh mblidhte në oborrin e tij njerëz të dëgjuar e shtronte darka e dreka pafund. Në këtë mënyrë, pashai i madh identifikohej me njerëzit e famshëm e të gjezdisur dhe fill pas kësaj, skribët e oborrit dhe përhapësit e opinioneve thurnin legjendat për dituritë e veçanta të pashait të madh që i kishte befasuar të gjithë, jo vetëm me sytë që picërronte, por sidomos me “mençurinë” dhe horizontin e gjerë.
Ardhja e zonjave nga SHBA-ja apo vende të tjera të botës si shqiptare të famshme është një investim parazitar që bëhet si një lloj parade mode dhe ku nuk promovohet asgjë shqiptare, përkundrazi, aty shfaqet vaniteti fshataresk i një qeverie orientale, që mbledh një lloj cirku shëtitës dhe i vë ardhësit që të këndojnë apo të pozojnë me qeveritarët e lartë të këtij vendi dhe me servilët e pushtetit, për të krijuar modelin e shtetit sulltanor apo të udhëheqësve të ndritur që meritojnë lavdërimet e të gjithë shqiptarëve të njohur e të panjohur nëpër botë, për dritën e bardhë e për shkëlqimin që i kanë dhënë Shqipërisë komunisto-demokratike. Ndërkaq, ti, e nderuar zonjushë apo zonja Eliza, duhet ta dish se kryetari i Bashkisë së Tiranës që të pret ty me hosanara është një ish-ministër i Brendshëm që ka urdhëruar vrasjen e katër demonstruesve.
Nuk e di si ndjehesh kur i jep dorën Lulzim Bashës? A nuk të duket se që andej kullon pak gjak? Nuk e di a të kanë thënë se në ditën e në natën që ju bëni ballo e hargaliseni nëpër hotelet luksoze të Tiranës, dhjetëra të burgosur politikë po bëjnë një grevë urie dhe po vetëflijohen, sepse pushteti i kryeministrit me të cilin ti pozon, nuk po i dëmshpërblen për vitet e rënda të burgut. Më në fund, nuk e di a të kanë thënë që përpara se të vije në Shqipëri për ballon me maska që po organizon qeveria e Lulzim Bashës, në një fshat të Korçës u sharrua me plumba kallashnikovi një grua. Ajo quhej Eliverta Çoçka dhe në kushtet e një mjerimi të skajshëm kishte zgjedhur të shiste trupin e saj që të ushqente fëmijët.
Po le ta themi troç i pëlqente edhe aventura. Kur tradhtoi të dashurin e parë dhe u lidh me një të dytë, aty filloi edhe tragjedia. Shqiptarët janë aventurierë dhe dashnorë të marrë. Mirëpo tani ata rrinë edhe me kallashnikov në krah. Shtypi ka raportuar se ajo, atë natë që u vra, i shkroi të dashurit të parë se tani ndodhet në krahët e një tjetri. Ai u nervozua dhe gati u çmend, madje u çmend vërtet. Mori kallashnikovin dhe u nis te vendi ku Eliverta po bënte dashuri me të dashurin e dytë. I vrau të dy, vrau edhe veten. Një histori pasionante që po ta lexosh në një roman të mahnit me tragjizmin, ndërsa kur e lexon në gazetë si një ngjarje reale të trishton.
Mirëpo morali që ka ndërtuar qeveria për të cilën ti pozon dhe jep ballo, ka ndërtuar një opinion hipokrit e arrogant që Elivertën e paraqiti këto ditë si njeriun më të ulët, si femrën më pa moral të botës, aq sa shtypi gati nuk e dënoi me vdekje të dytë. Trupin ia lanë në morg derisa erdhi familja e saj dhe e varrosi në fshatin e lindjes. Mua më dhimbset Eliverta dhe dhjetëra Eliverta të tjera që detyrohen të shesin trupin e tyre për të mbajtur familjen apo që e bëjnë thjesht për pasion. Në historinë e shoqërisë njerëzore janë përplasur dy paradigma. Në njërën anë është tipologjia e Ema Bavarisë, në anë tjetër tipologjia e dekorit femëror të pushtetit apo të sulltanateve.
Besoj e ke dëgjuar që edhe modelja e famshme Naomi Kampbell u përfol se kishte marrë si dhuratë një diamant nga diktatori Tejlor. Edhe në rastin tuaj Eliza, ti dhe ata që vijnë në Tiranë për të bërë ballo me maska me qeverinë e Tiranës, e kanë të kotë që na fshihen pas folklorit nacionalromantik. Ju duhet ta dini se honoraret për ju, biletat apo paratë që ju merrni për shërbimet që po kryeni në Tiranë, për fat të keq, nuk janë shpërblim për aktin tuaj heroik në shërbim të atdheut, janë pagesa për shërbimet që ju i bëni udhëheqësve të korruptuar të këtij vendi dhe vrasësve të opozitës.
Sot tipologjia moderne e njerëzve të famshëm është që të dhurojnë për të tjerët që kanë më pak, sepse ju dhe të tjerët si ju, kini qenë me fat dhe në çdo vend demokratik, solidariteti dhe humanizmi janë principet bazë. Ndaj unë do ta mirëkuptoja misionin tuaj, në qoftë se ju do të kishit ardhur në Tiranë vetëm, pa ftesën për të bërë ballo me maska me një qeveri të korruptuar e vrasëse si ajo e Tejlorit dhe të kishit shkuar fjala vjen në familjen e Ziver Veizit dhe t’i kishit paguar shkollën për një vit asaj vajze jetime, babai i së cilës u vra nga Lulzim Basha e Sali Berisha.
Ose të kishit shkuar e të vizitonit të dënuarit politikë dhe me të ardhurat tuaja apo me ndonjë fushatë të nisur prej jush, të mblidhnit fonde për dëmshpërblimin e tyre ose më në fund, të kishit shkuar edhe në familjen e Elivertës së gjorë dhe të kishit bërë një dhuratë për fëmijët e saj jetimë, të cilët vuajnë dy fatkeqësi: humbjen e nënës dhe peshën e madhe të moralit që u ka hedhur mbi supet e njomë shoqëria jonë e çmendur, idiote dhe hipokrite.
Ndaj në këto kushte, unë e ndiej veten më shumë bashkëqytetar fatkeq i Elivertës dhe nuk krenohem aspak me ju. Përkundrazi, e ndiej veten keq kur ju shoh të pozoni me lloj-lloj grash me fustane të shtrenjta e me varëse floriri që peshojnë disa kilogramë. Këtë Shqipëri unë nuk e dua, mbajeni për vete dhe promovojeni për të kënaqur epshet dhe lakminë tuaj, mua më mjafton Shqipëria e Elivertës. Shqip/