NGA DIKTATURA PROLETARE NË DIKTATURËN PARLAMENTARE

0
45

Andrea Stefani

Ndërsa mburret në OKB se Shqipëria po arrin Objektivat e Zhvillimit të Mijëvjeçarit, Kryeministri Berisha është vënë në krye të proceseve që po e shtyjnë vendin më të varfër të Europës drejt skemave totalitare të qeverisjes së shtetit. Vetëm 20 vjet pas përmbysjes së diktaturës së proletariatit, demokracia parlamentare po degjeneron me shpejtësi në një diktaturë parlamentare të partisë në pushtet dhe liderit të saj absolut.

Episodi më i fundit i këtij regresi politik të rrezikshëm për fatet e demokracisë dhe lirisë ishte falsifikimi në Kuvendin e Shqipërisë i procesit të votimit të dekretit të Presidentit Topi lidhur me ligjin për pronat. Krejt në kundërshtim me rregulloren e Kuvendit dhe me kritikat e opozitës, mazhoranca diktoi (prandaj dhe flasim për diktaturë) me arrogancë tiranike hedhjen poshtë të dekretit në një votim qartazi të paligjshëm. Vetëm pak muaj më parë Jozefina Topalli udhëhoqi një tjetër proces votimi skandaloz, duke nëpërkëmbur të drejtat e ligjshme të pakicës parlamentare me një gjakftohtësi dhe përbuzje të denjë për spikerin e dikurshëm hitlerian të Rajhshtagut gjerman, Herman Geringun.

* * *

Ka më shumë se një vit që mazhoranca berishiste shfaqet “e brengosur” për mospjesëmarrjen e opozitës në punimet e Kuvendit, por ndërkaq, sa herë opozita është në sallë, nuk ngurron t’i tregojë se ajo është atje vetëm sa për garniturë. Shembull i kësaj kreshendoje diktatoriale qe votimi në fund të sesionit të kaluar të ndryshimeve në buxhetin e shtetit. Folësja Topalli as nuk denjoi që sipas rregullores së Kuvendit të dëgjonte vërejtjet e opozitës nen për nen, por i miratoi ato me një frymë.

Zonja Topalli dëshmoi kështu publikisht se në mendësinë e saj, diskutimet parlamentare, aq më tepër nga opozita, janë një kohë e humbur kot, një formalitet i bezdisshëm që duhet suprimuar qoftë edhe duke dhunuar rregulloren e Kuvendit. Dhe ashtu bëri. Ajo ngjarje e shëmtuar qe një përdhunim spektakolar i rregullave të lojës parlamentare, ashtu sikundër është një dhunim i tillë edhe falsifikimi i votimit të Dekretit të Presidentit Topi mbi ligjin për pronat ndodhur pak ditë më parë. Arroganca që shfaq shumica është alarmuese në disa rrafshe kryesore. Në radhë të parë ajo bie ndesh me rregulloren e Kuvendit. Kjo është, as më shumë dhe as më pak, por të dalësh mbi ligjin duke ngjizur kështu një pushtet të pakufizuar të shumicës.

Në sajë të këtyre praktikave tiranike, shtegu për sundimin e shtetit nga një parti e vetme është hapur edhe më shumë. Sepse rasti është vetëm një nga episodet e shumta që denoncojnë tendencën e fuqishme dhe degjeneruese të pushtetit berishist për të dalë mbi ligjin, kur dihet se një demokraci liberale mund të jetojë, sikundër nënvizon edhe Hannah Arendt, vetëm aty ligji është mbi pushtetin dhe pushteti vetëm një mjet për zbatimin e ligjit. Ndërsa betohet dhe bllokon transparencën e zgjedhjeve në emër të respektit ndaj ligjit, pushteti berishist shkel në mënyrë frekuente rregulloren e Kuvendit, ligjin apo “kushtetutën” e funksionimit të tij. Dyfytyrësia është krejt e hapur.

Një rrafsh tjetër i tiranisë diktatoriale të shumicës, manifestuar në rastin e votimit të dekretit për pronat, ka të bëjë më shumë se me procedurën, me përmbajtjen e tij. Ajo çka synonte Presidenti Topi me dekretin e tij është në përputhje edhe me kërkesat dhe aspiratat e klasës së pronarëve, që pasi u zhvatën dhe u persekutuan për 40 vjet nga diktatura komuniste, kanë mbi 20 vjet që persekutohen edhe nga diktatura e një “demokracie” të korruptuar. Duke votuar krejt në kundërshtim me interesat e pronarëve në favor të një ligji që e lë çështjen e kthimit të pronave në thonjtë e subjektivizmit dhe korrupsionit qeveritar, si dhe të korrupsionit të gjykatave vendase, lidershipi i PD-së demonstroi hapur se ringritja e së drejtës së pronës private të bërë gërmadhë nga komunizmi dhe shenjtërimi i saj si themel i një shteti të së drejtës, nuk janë pjesë e ambicies politike të tij. Ndryshimet në ligjin për pronat të sapo miratuar vetëm me votat e shumicës në Kuvend, jo vetëm nuk do korrigjojnë padrejtësitë e vjetra, por do bëhen shkak padrejtësish dhe zvarritjesh edhe më tragjike për klasën e pronarëve të ligjshëm në këtë shtet me shumë ligje, por pa fare drejtësi.

* * *

Por incidenti që po shqyrtojmë denoncon edhe zhvillime të tjera alarmante. Mbi të gjitha dëshmon se kjo shumicë dhe ky pushtet është i prirur të falsifikojë deri edhe votime të hapura në tempullin e demokracisë. Kjo do të thotë se as mund të bëhet fjalë që ky pushtet të heqë dorë nga ngasja për të manipuluar e falsifikuar votime të fshehta dhe në kuti të mbyllura, në fshatrat dhe skërkat e Shqipërisë. Është një zhvillim që përligj alarmet e opozitës mbi manipulimet e zgjedhjeve të 28 qershorit edhe më shumë se faktet e zbuluara në Ruzhdije.

Sepse denoncon një natyrë pushteti që nuk e përmban dot arrogancën për të rrëmbyer atë që nuk i takon edhe përpara kamerave dhe syve të publikut. Ndërkaq, incidenti denoncon përsëri një tendencë konstante autoritariste drejt një pushteti gjithnjë e më diktatorial të një partie të vetme (PD) dhe liderit të saj të përjetshëm, Sali Berisha. Nuk do shumë mend të kuptohet se vendimi i Topallit për të votuar për të dytën herë një dekret që nuk u hodh dot poshtë nga shumica në votimin e parë, i ka rrënjët në presionet e ushtruara në prapaskenë nga Kryeministri Berisha.

Janë aty edhe rreshtimet servile të deputetëve të shumicës (pavarësisht nga partitë) sipas urdhrit të Zeusit Berisha. Kulti i sëmurë i këtij të fundit nuk mund të lejonte që të pësojë disfatë (në fakt gjëja më normale në një demokraci normale) përballë një institucioni si ai i Presidentit të Republikës. I mbrujtur me mendësi komuniste se fjala e liderit nuk bëhet dysh, Berisha, nëpërmjet Topallit, diktoi vullnetin e tij duke dalë mbi ligjin e funksionimit të Kuvendit. Motoja e tij ka qenë dhe mbetet ajo e një lideri enverist: Ligji jam unë! Rasti dëshmon edhe një herë se ky politikan po bëhet gjithnjë e më i rrezikshëm për demokracinë dhe lirinë, duke akumuluar gjithnjë e më shumë pushtet në duart e tij. Tashmë Berisha është kreu absolut i ekzekutivit dhe i legjislativit.

Ai po fiton terren alarmues në pushtetin e drejtësisë dhe nëse nuk rezistohet me sukses, nuk do të jetë e largët dita kur, duke përfituar nga amendimet e Kushtetutës, do të marrë kreun edhe të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, duke emëruar me vetëm 71 vota një nga beniaminët e tij në postin e Presidentit të Republikës. Ndarja reale e pushteteve në Shqipëri po merr fund. E vetmja rezistencë e mbetur është opozita politike dhe një shoqëri civile që, për momentin, ka humbur pa nam e nishan. Prandaj themi se po rrëshqasim drejt një diktature të një partie të vetme, një diktaturë jo proletare, por “demokratike” dhe parlamentare. E megjithatë, një diktaturë.