Nga Berisha tek Intelektualët dhe Analistët

1
84

Bledar H. Prifti, 01.11.2010

Një analisti i njohur dhe këshilltar politik më këshilloi që të mos i fyeja kolegët e tjerë në shkrimet e mija. Këtu, personi në fjalë i referohej disa shkrimeve në të cilat unë i konsiderojë intelektualët dhe analistët politik (pjesën dërrmuese) si persona të paaftë për të përmbushur detyrimet e tyre përkundrejt shoqërisë dhe si persona me aftësi të kufizuara intelektuale dhe/ose të shitur tek pushteti në të njëjtën formë ashtu si edhe intelektualët e djeshëm ishin të shitur tek regjimit komunist.

E kuptoj shumë drejt se çfarë ndjenjash shkaktojnë këto shkrimet tek “kolegët”. Por kjo gjë nuk më shqetëson dhe as nuk më intereson shumë. Ajo që më shqetëson më shumë është fyerja që këta intelektualë dhe analistë i bëjnë së vërtetës, së drejtës, dhe intelektit të kujtdo individi të zakonshëm të shoqërisë.

Nuk ka gabim më të madh për një analist apo intelektual sesa fyerja që i bëhet të vërtetës dhe të drejtës dhe mashtrimi që i bëhet shoqërisë për hir të miqësive (armiqësive) personale apo edhe për hir të vënies në shërbim të pushtetit.

Fyerja që këta intelektualë dhe analistë i bëjnë së vërtetës, së drejtës, dhe intelektit të cilitdo është baza e çdo gjëje të keqe në këtë shoqëri. Ndaj përpara se të fillojmë të gjykojmë marrëdhëniet midis njëri-tjetrit është e rëndësishme që ne të shpjegojmë në fillim pozicionimin e gjithsecilit prej nesh në respekt të së vërtetës dhe të drejtës.

Faktet tregojnë se klasa e intelektualëve dhe analistëve politik Shqiptarë ishte dhe është kthyer në një klasë individësh primitiv në tabanin e së cilës vendin e ideve e zënë individët dhe vendin e së vërtetës dhe së drejtës e zënë interesat e ngushta primitive.

Për shembull, i persekutuari politik dhe mendimtari Fatos Lubonja (si ai edhe shumë të tjerë) nuk e ka problem që për hir të inatit personal që ai ka me Edi Ramës të propagandojë me të madhe se nuk duhet bërë transparenca e zgjedhjeve edhe pse zgjedhjet u vodhën.

Për të mbuluar primitivitetin e tyre, mendimtarët si Lubonja e konsiderojnë transparencën si çështje individësh dhe jo si një princip bazë të demokracisë dhe të drejtës kushtetuese të cilitdo individ dhe grupimi shoqëror apo politik.

Në shumë raste të tjera, shumë analistë dhe intelektualë primitivë dalin kundër së vërtetës dhe demokracisë vetëm e vetëm sepse fëmijët e tyre punësohen në poste të rëndësishme të administratës publike apo edhe sepse u premtohet një gjë e tillë.

Për më shumë, një pjesë e këtyre intelektualëve dhe analistëve nuk kanë përgatitjen intelektuale për të analizuar korrektësisht fenomene shoqërore dhe politike. Madje shumë nga këta syresh nuk kanë as njohuri të mjaftueshme rreth principeve bazë të demokracisë dhe mënyrën e funksionimit të saj.

E gjithë kjo tablo të bën të mendosh se klasa e intelektualëve dhe e analistëve politik i shëmbëllen një klase e cila për vlerë ka interesin primitiv dhe për ideologji ka primitivizmin.

Duke qenë se ato shkrime kanë ngjallur pakënaqësi tek shumë “kolegë”, po marr përsëri guximin të sqarojë se në realitet nuk jam unë ai që fyej intelektualët dhe analistët, por është Sali Berisha ai që tall menderen me ata, dhe se janë këta intelektualë dhe analistë, që bashkë me Berishën, tallin dhe mashtrojnë shoqërinë Shqiptare.

Në shkrimet e mëparshme kam kërkuar nga intelektualët dhe analistët që të shikojnë në sy të vërtetën në lidhje me transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe t’i largohen gjykimit primitiv që i bëhet këtij fenomeni politik.

Në ato shkrime shkruhet “Shqip” e zeza mbi të bardhë dhe vërtetohet haptazi se as Kushtetuta, as Gjykata, dhe as Kodi Zgjedhor nuk e ndalon transparencën.

Sali Berisha talli dhe mashtroi të gjithë Shqiptarët duke thënë se gjoja hapjen e kutive nuk e lejon Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës. E vërteta është se nuk ka asnjë Nen në Kushtetutë që të ndalojë hapjen e kutive! ASNJË Nen!!!. Nuk ka asnjë vendim të gjykatës që flet për apo ndalon hapjen e kutive dhe rinumërimin e fletëve të votimit. ASNJË vendim!!!

Çuditërisht, pak nga këta intelektualë dhe analistë dolën për t’u përballur me mashtrimin dhe talljet e radhës nga ana e Berishës. Përkundrazi, shumë intelektualë dhe analistë filluan të propagandonin për t’i mbushur mendjen shoqërisë dhe Shqiptarëve se gjoja vërtet transparencën e plotë na e ndalonte Kushtetuta dhe vendimi i Gjykatës.

Duke qenë një gënjeshtër dhe një tallje mendereje, Berisha e la Kushtetutën dhe Gjykatën dhe doli me propagandën se gjoja nuk na lejon Kodi Zgjedhor për të bërë transparencën.

Për t’i bërë të vetëdijshëm analistët për këtë mashtrim të radhës, botova shkrimin titulluar “Sfida e Radhës për Intelektualin Dështak” (http://www.shekulli.com.al/2010/06/09/sfida-e-radhes-per-intelektualin-deshtak.html) ku vërtetoja talljen dhe mashtrimin e radhës të Berishës.

Në shkrimin e mësipërm shpjegohet shumë qartë se Kodi Zgjedhor nuk e ndalon aspak hetimin e zgjedhjeve dhe se kutitë nuk mund të digjen pasi Kodi nuk vendos asnjë afat dhe detyrim ligjor se kur duhet të digjen kutitë.

Dhe reagimi i intelektualëve dhe analistëve ishte një reagim primitiv dhe tejet diletant. Ashtu siç kishin reaguar më parë, edhe në këtë rast, intelektualët dhe analistët jo vetëm që nuk e demaskuan mashtrimin dhe talljen e radhës së Berishës, por ata nuk nguruan të fillonin të propagandonin sikur të ishin zëdhënës të Berishës.

Para disa ditësh, si për t’ju thënë intelektualëve dhe analistëve që i kishte mashtruar dhe kishte tallur menderen me ta, “i gjithëpushtetshmi” Sali Berisha deklaroi fuqishëm dhe me vendosmëri se kutitë nuk do të digjen dhe se ato do të ekzistojnë pa afat kohor pasi qeveria do paguaj për blerjen e disa kutive të tjera bosh për zgjedhjet e ardhshme (nëse do zhvillohen).

Kulmi i talljes dhe mashtrimit është deklarimi i Berishës se ai është dakord që fletët e votimit të numërohen dhe të ndryshohet rezultati i 28 qershorit.

Por këtu na lindin pyetjet: Ku shkoi pretendimi i Berishës se ky Kod Zgjedhor ndalon transparencën e plotë të zgjedhjeve dhe se ky Kod gjithashtu sanksionon djegien e menjëhershme të fletëve të votimit?

Përse këta intelektualë dhe analistë nuk marrin guximin të demaskojnë Berishën për mashtrimet dhe talljet e vazhdueshme, por shndërrohen në kukulla dhe shërbëtorë të tij? A mos vallë kjo bëhet nga injoranca apo nga shitja e këtyre intelektualëve dhe analistëve tek pushteti?

A mos vallë ky grupim intelektualësh dhe analistësh ka mungesë të theksuar intelekti dhe civilizimi (demokratizimi) apo është thjesht një shëmbëlltyrë e “intelligentsia”-s komuniste? Dhe mbi të gjitha, cili është pozicionimi i këtyre intelektualëve dhe analistëve në respekt të së vërtetës dhe së drejtës?

Dhënia e përgjigjeve për pyetjet e mësipërme ndihmon për të shpjeguar rolet dhe përgjegjësitë që kanë pasur politika dhe klasa intelektuale në shkatërrimin e shoqërisë Shqiptare në çdo aspekt të saj, qoftë ky aspekt politik, ekonomik, apo shoqëror.

1 COMMENT

  1. Ky artikull i nje “analisti” te paguar me paret e po atij populli, per te cilin ai po perpiqet duke mbrojtur “kanakarin” e tij, me kujton nje thenie shume te bukur te nje nobelisti islandez Laxness (1902-1998):
    “Lufta ka qene gjithmon argetimi kryesor i njerezimit. Argetimet e tjera jane nje surrogate e luftes.”
    “Historia eshte gjithmon ndryshe nga ajo qe tregohet. Diferenca ndermjet shkrimtarit dhe historiorianit eshte: I pari tregon genjeshtra per qejf, i dyti tregon genjeshtra duke menduar se thote te verteten.”
    Jepjani, ju lexues, vendin Bledar H. Priftit!

Comments are closed.