Nga Mero Baze
Opozita shqiptare shprehu dje shqetësimin e saj publik se po shantazhohen dy figura të rëndësishme të saj në emër të një trafikanti ndërkombëtar droge, përmes një CD ku ekziston sipas tyre një dëshmi e montuar e tij kundër tyre. Bëhet fjalë për Daut Kadriovskin, një emër i njohur i botës së drogës dhe mafies rajonale, i cili është i kërkuar nga shumë shtete perëndimore. Skenari i ardhjes së letrës me zarf u ngjan shumë disa historive që po shtohen kohët e fundit mes politikanëve shqiptarë në Maqedoni, ku secilit i shkon tek dera një “dosje” nga UDB për rivalët e tyre.
Nuk dua ta marr seriozisht as skenarin banal dhe të keqndërtuar të shantazhit dhe as rezonancën e këtij shantazhi vulgar me akuzat po aq vulgare të Sali Berishës në Kuvend, duke pasur referencë këtë trafikant. Në rrethana më normale ky vulgaritet përfundon në prokurori dhe maksimumi që arrihet është të gjendet personi që e ka dërguar dhe të ndëshkohet për shantazh. Por historia shqiptare e politikës, sidomos kjo e viteve të fundit të Berishës, ka prodhuar një rrezik të ri për situata të ngjashme shantazhi apo kërcënimesh ndaj kundërshtarëve të tij.
Edhe pse jam i prirur ta dëgjoj me vëmendje zotin Braçe kur bën krahasime mes fjalime skizofrenike të Berishës duke ju referuar Kadriovskit, dhe vetë CD që mban emrin e Kadriovskit, unë nuk besoj se Berisha është i përfshirë në këtë banalitet deri tani. Frika ime duke njohur mënyrën se si Berisha po sillet me rastet e ngjashme është se tani e tutje Berisha do të sillet sikur është autori këtij shantazhi, duke marrë në mbrojtje shantazhuesit dhe duke u bërë palë me ta në të gjithë mënyrat.
Nga mënyra se si Berisha ka vepruar vitet e fundit me gjithë problemet që u janë krijuar nga njerëz nga më ordinerët deri tek figura politike kundërshtarëve të tij, e kupton lehtë se ai vë në dispozicion çdo mekanizëm të pushtetit për të mbrojtur njerëzit që shantazhojnë ose likuidojnë dhe fizikisht kundërshtarët e tij.
Unë kam hetuar dhe jam munduar të kuptoj çfarë ndodhi me vrasjen e deputetit Fatmir Xhindi, dhe gjej dy ose tri pista të mundshme ku ka dhe arsye politike dhe arsye ordinere, por si gazetar s’mund të shkoj dot më tej. Berisha e di mirë përse e kanë vrarë, dhe nuk e zbardh krimin, jo se është politik apo ordiner, por se do të mbajë nën terror çdo kundërshtar të tij që mund ta gjejë një fat i ngjashëm.
Mesazhi i Berishës në këtë rast është se nëse je kundërshtari i tij, mund të vritesh dhe për arsye personale, dhe ordinere, dhe politike, por kurrë s’ka për t’u zbardhur. Qëllimi i tij është të prodhojë një sfond interaktiv krimi, ku ndaj kundërshtarëve të vet krimi të mobilizohet vetë, duke pasur sigurinë se pushteti nuk e ngacmon. E njëjta gjë ndodhi dhe kryetarin e Komunës së Tërthores në Kukës.
Dhe për të ndjerin ka pista ordinere dhe politike. Ka bile indikacione konkrete për devijim hetimesh nga pista reale, prej njerëzve më të afërt të Berishës në polici. Por dhe në këtë rast nuk ka shumë rëndësi arsyeja pse e kanë vrarë. Për Berishën ka rëndësi të përçohet mesazhi që kush vret kundërshtarë politikë, apo njerëz që nuk janë njerëz të mijtë, të flejë i qetë se nuk do të kapet kurrë. Është pikërisht kjo strategji ajo që prodhon frikë në shoqëri, dhe bën “bashkëpunëtorë vullnetarë” të pushtetit kundër opozitës çdo trafikant, çdo vrasës, çdo hajdut, çdo prostitutë apo dhe çdo polic politik.
E njëjta gjë ndodhi me rastin tim dhe një personi të konsideruar dikur prej vetë kryeministrit si trafikant nafte. Unë e di që Berisha nuk i ka telefonuar Rezart Taçit të vijë dhe të na qëllojë personalisht në tavolinë mua dhe dy kolegët e mi, por qysh nga momenti që ai e bëri këtë krim, Berisha dhe gruaja e tij personalisht u vunë në dispozicion të tij për ta nxjerrë të pafajshëm dhe për të inkurajuar kështu çdo vrasës ordiner në këtë vend të bëjë këtë gjest ndaj çdo gazetari kritik ndaj familjes Berisha, pasi drejtësia nuk e dënon.
Kjo situatë e ngjashme unë pres të përsëritet me rastin Kadriovski dhe shantazhin ndaj liderit të opozitës. Nuk besoj se Berisha deri më sot është angazhuar deri tek këto detaje vulgare shantazhi, por sado vulgare që janë ato, prej sot e tutje keni për të parë një kryeministër që do të relativizojë gjithçka dhe do fokusohet tek inkurajimi i shantazhit. Berisha nuk është një lider mafioz që urdhëron vrasje direkt, ai është një pushtet mafioz që mbron vrasësit.
Ai nuk është lider operativ që urdhëron rrahje dhe vrasje gazetarësh direkt, ai inkurajon ato duke i mbrojtur dhe shpërblyer ata që i bëjnë. Dhe në rastin konkret, mos humbisni kohë të gjeni një Berishë që ka bashkëpunuar me Kadriovskin për atë CD paçavure, por keni për të parë një Berishë që do të bëjë ç’është e mundur që kjo çështje të mos hetohet dhe sqarohet kurrë dhe të mbetet realisht si një kërcënim serioz për liderin e opozitës.
Nga qëndrimi i tij, ai inkurajon në distancë hienat të sulen mbi çdo kundërshtarë të vetin, qofshin këta kundërshtarë politikanë opozitarë, gazetarë kritik ndaj atij, apo dhe institucione të shtetit që nuk i binden pushtetit të tij. Berisha është frikacak të veprojë vetë, por është ndoshta politikani që trimëron më shumë se kushdo tjetër banditët, kontrabandistët, vrasësit dhe trafikantët të bëjnë gjeste politike ndaj kundërshtarëve të tij dhe si shpërblim të marrin mos-cenimin e tyre.
Për të gjithë ata që nuk e besojnë këtë teori, le të dëgjojnë komentin e Edi Palokës, i cili mjafton për të inkurajuar çdo vrasës apo trafikant të bëjë diçka në këtë drejtim, të hedh ndonjë pushkë mbi kundërshtarët e pushtetit, pasi tashmë pretenca e një vrasje të mundshme u dha: “është larje hesapesh!”. Kjo është e gjitha çfarë më tremb në këtë histori në dukje banale, por që ka për t’u inkurajuar prej Berishës për t’u formalizuar si histori kriminale, nga njerëz që ai “nuk i njeh”, “nuk i sheh”, “nuk i ka takuar” dhe “s’do t’i takojë kurrë”.