NewPorn me Portokalli!

0
82

Nga Beqë Cufaj, 20 Shkurt 2012

Diçka nuk është në rregull. Me këtë shtet e komb. Me pushtetarët tanë. Këtë gjë e kemi thënë tërë kohën. Na kanë hedhur gurë e dru, pëshpëritje e piskama, ndërskambca e aty- këtu kërcënime për zbulime e zhbirime. Dhe ja ku jemi. Sërish. Në edhe një prej fillimjavëve tragjike e komike – varet kush si e sheh. Me edhe një mori skandalesh, të cilat s’ka si të mos i shënojmë dhe komentojmë, sepse kapen keq për ato gjëra, të cilat pikërisht kjo kastë politike matet aq shumë: simbolet dhe simbolikën. Por, edhe protokollet me portokallitë (!) që dalin prej tyre.

Pamë pra sesi turpi i përditshëm i Prishtinës, të cilin e përjetojmë në çdo cep të Republikës në krejt format e tij banale mori edhe përmasa të pakthyeshme. Në fshatin global medial. Kur simboli i pavarësisë dhe ditës më të shtrenjtë për çdo shqiptar në këtë fillimshekull, “NewBorn” u shndërrua dhe emetua si “NewPorn”. Me rastin e shënimit të ditëlindjes së katërt të Republikës së Kosovës shikuam sesi ky shtet, ose të jemi edhe më të saktë, ky pushtet, ra në gjunjë… dhe përralloi veten para botës.

A kemi nevojë të merremi këtu me menaxhimin e (super)ministres për Tregti e Industri, zonjës Kusari? Ato broçkulla që ajo i hidhte së pari në rrjete sociale e më pas edhe në media? Kemi. Sepse kjo Kusari nuk bënte gjë tjetër vetëm fliste e fliste e fliste… E krejt ato që i fliste – jo vetëm me këtë rast por prejse është ulur në atë karrige, s’janë gjë tjetër pos asaj që e thoshte edhe kur ishte në opozitë.

Kur shante e shante e shante… dhe sot lëvdon e lëvdon e lëvdon. Çdo gjë. Një gjuhë konjukturiste prej oportunisteje. Një politikane për të cilën njeriu s’ka si të mos ndiejë keqardhje. Kur shkruante në Facebook (mbase me të drejtë – sepse qeveria në të cilën ajo është e ulur tash 1 vit është pa zëdhënës – ose secili është zëdhënës i vetes së tij!). Apo kur provonte ta bënte menaxheren, kameramanen, regjisoren, specialisten e marketingut, shpjeguesen e kulturores, gjeografisë e historisë së këtij vendi… Krejt më një.

Dhe prapë nuk e pranonte që B-ja e shndërruar në P ishte jo veç gabim, por një lëshim për të cilin dikujt do të duhej t’i kishte lëvizur karrigia. Krejt do t’ia kishim pranuar zonjës Kusari këtu po të mos ishte edhe një element esencial: gabimet në emetime e printime nuk mund të kthehen kurrë mbrapsht. Sepse çdo medium i sotëm i ka disa kanale. Apo të mos e dijë e gjithëdijshmja Kusari që reklama e saj dhe e qeverisë që ajo i takon nuk është vetëm në CNN? Që kanali tjetër, ai pra, i gjithëfuqishmi dhe më i fortë se edhe CNN-i, që i thonë Youtube, jo veç që e ka “NewPorn”-in si një prej atraksioneve më të freskëta për miliona klikuesit e shikuesit anekënd botës, por edhe komentohet me shpoti, e cila njeriun normal (shqiptarin?) e trishton?!

Le të provojë ta përmirësojë në Youtube ajo… Dhe do ta shohë që s’ka as buxhet e as shtet që ua fshin atë njollë turpi!

Që të mos përfundojë e tëra këtu…. po ditën e Pavarësisë shihnim karnavalet e Prishtinës në Tiranë. Paradite LDK-ja me të bijtë e dr. Rugovës e pasdite Thaçi me vartësit e tij. Tek Doktori. I vetmuari. I izoluari. Tek politikani, i cili pos asaj vizite të çuditshme në Norvegji, ka vite e vite që është stërkequr nëpër ekranet e tij televizive në të cilat bërtet e mallkon këdo që guxon t’ia thotë të vërtetën e paikshme dhe të rëndë: ka filluar të bëhet pengesa e kombit – pikërisht në njëqindvjetorin e pavarësisë së Shqipërisë.

Ajo lukuni Prishtine me politikanët që kishin mësyrë tek ustai për të festuar dhe për t’u bërë pjesë e sherreve në një vend edhe ashtu në luftë permanente politike… Por, çka të festojnë? Faktin që kanë pushtetin absolut të politikës e financave me çmimin e lartë, të cilin ne, si qytetarë e vdekatarë të këtij nënqielli e paguajmë me izolim, përçmim e shpoti nga kombe e vende të civilizuara?

Kasta politike dhe pushtetore gjithëshqiptare sërish festonte veten në kurrizin e qytetarëve të saj. Ndryshe nuk do të mësynin të celebronin njëri-tjetrin, por do të prisnin e përcillnin botë e burrështetas të vendeve demokratike, investitorë gjigantë, evenimente kulturore dinjitoze, kujtesa kombëtare… Asgjë prej krejt këtyre. Prandaj, jo diçka, por asgjë, ama bash asgjë nuk është në rregull me ta. Rrjedhimisht edhe me ne. Që vazhdojmë t’i durojmë. Me NewPorn e portokalli!