Nga “The Economist”
Jashtë një spitali në Beograd, dy vende parkimi janë të rezervuara për prindër me fëmijë. Një pankartë tregon një lejlek që sjell një fëmijë. Çfarë tregon fakti që ka vetëm dy vende parkimi? Popullsia e Serbisë është në rënie.
Demografia po shkakton alarm në shumë vende të Ballkanit. Në Bosnjë dhe në Kosovë çështja është themelore.
Në Maqedoni, një projekt i qeverisë për të dhënë ndihmë financiare për të inkurajuar maqedonasit (me natalitet të ulët) për të lindur dhe për të përjashtuar nga kjo skemë shqiptarët (me natalitet të lartë) u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në prill.
Goran Penev, një demograf serb, thotë se vendi i tij ka një popullsi prej 7.2 milionësh, përjashto Kosovën. Por Serbia ka një prej popullsive më të vjetra në Evropë dhe një nivel shumë të ulët fertiliteti, kështu që popullsia është duke rënë me 30 mijë banorë në vit. Kjo, jo për shkak se serbët po bëhen më të pasur dhe duan familje më të vogla. Për
më tepër, vitet e luftërave dhe kushtet ekonomike të vështira që pasuan, i kanë lodhur sllavët në gjithë ish-Jugosllavinë, e kjo ka çuar në uljen e lindjeve, rritjen e emigracionit dhe të aborteve.
Zoti Penev ka frikë se, në rastin më të keq, popullsia e Serbisë mund të ulet në mesin e shekullit deri në 6 milionë.
Popullsia e Kroacisë, aktualisht 4.4 milionë, është gjithashtu në rënie, por jo në mënyrë kaq drastike. Si në Spanjë dhe në Itali, ndikimi i Kishës Katolike është rrënuar.
Rajonet e banuara nga serbët, që u arratisën në vitin 1995, vijojnë të jenë shumë pak të populluara. Planet për t’i ripopulluar me kroatë etnikë nga vende të tjera, kanë dështuar masivisht. Po kështu, edhe serbët, që e shihnin shpëtimin demografik te qindra e mijëra serbë që arratiseshin nga Bosnja, Kroacia dhe Kosova në vitet ’90, janë zhgënjyer.
Në Bosnjë, demografia është shumë e politizuar. Në numërimin e fundit të popullsisë në vitin 1991, Bosnja kishte një popullsi prej 4.3 milionë banorësh. Tanimë ajo përllogaritet të jetë 3.8 milionë banorë, falë emigracionit dhe pak a shumë 100 mijë të vdekurve në luftë. Por askush nuk e di me saktësi, dhe koha po ecën për të përgatitur një matje të re të popullsisë në vitin 2011. Në tetor, boshnjakët (myslimanët e Bosnjës) dhe kroatët, rrëzuan një ligj për përgatitjen e matjes së popullsisë.
Milorad Dodik, kryeministri i Republika Srpska, pjesës serbe të Bosnjës, thotë se ai do të pranojë një numërim të popullsisë, vetëm nëse banorët do të pyeten në lidhje me etninë që i përkasin. Liderët boshnjakë tremben se zoti Dodik kërkon të tregojë se sa pak jo-serbë jetojnë në Republika Srpska, duke i dhënë atij një arsye më shumë për të pyetur se përse duhet të ekzistojë një shtet boshnjak.
Në Kosovë, ashtu si në Bosnjë, demografia është betejë, por me mjete të tjera. Shqiptarët etnikë bojkotuan një numërim të popullsisë në vitin 1991. Në vitin 2006, një përllogaritje thekson se popullsia në Kosovë është 2.1 milionë banorë, dhe mbi 90 për qind e tyre janë shqiptarë. Tani, Mimoza Dushi, një demografe, përllogarit se në Kosovë janë 2.5 milionë banorë.
Implikimet mund të jenë shumë të mëdha. Kosova i bëri lëshime shumë të mëdha minoritetit serb për të siguruar njohje nga Perëndimi, por shumica e serbëve vijojnë të refuzojnë pjesëmarrjen në institucionet e Kosovës.
Oliver Ivanoviç, një zyrtar i qeverisë serbe, që merret me problemin e Kosovës, beson se nuk ka më shumë se 115 mijë serbë aty. Disa kosovarë akoma habiten se si mund të meritojnë një trajtim kaq special kaq pak persona.
Zoti Ivanoviç thotë se serbët e Kosovës nuk do të marrin pjesë në numërimin e popullsisë në vitin 2011.
Do të jetë shumë e lehtë për manipulime, thotë ai, duke shtuar se aktualisht ka vetëm 1.7 milionë shqiptarë në Kosovë.
Nataliteti në Kosovë është gjithashtu në rënie. Zonja Dushi beson se nataliteti është 2.2, pak më sipër nivelit të nevojshëm për një popullsi të qëndrueshme. Në vitin 1950, thotë ajo, kjo ishte 7.8, më vonë në vitet 1990, ishte tek 3.6.
Por më dramatike është rënia e natalitetit në Shqipëri, nga 2.0 në vitin 2000 në 1.33 në vitin 2007. Në vitin 1999 popullsia e Shqipërisë ishte 3.3 milionë, në vitin 2008 ajo kishte rënë në 3.1 milionë (megjithatë do të rritet në vitin 2050. Kjo, jo për shkak se shqiptarët kanë më pak fëmijë, por për shkak se shumë vajza në moshën e lindjes kanë emigruar.
Sa shumë për gjithë lejlekët e Ballkanit!