Nga Arben Manaj, 22 Korrik 2012
Çdo shoqëri e përparuar e mbrin dhe e meriton këtë cilësim, vetëm kur prodhon me shumicë intelektualë të mirëfilltë, por mbi të gjitha kur ata janë vokal në momentet kyce, por edhe delikate të zhvillimit të saj, pa ju trembur syri dhe pena për shqetësimet që ngrenë në ngrehinën e nën catinë e tyre të përbashkët.
Ja vlen të vlerësohet, për aq sa meriton edhe reagimi i vonuar, jo për këtë rast, por edhe për raste të mëparshme, i intelektualëve të Shkodrës për cështjen e të madhit Luigj Gurakuqi. Megjithatë, për hajër dhe tërheqshin këmbën zvarrë, thuhet në të tilla raste.
Por nuk janë vetëm intelektualët e Shkodres, por tërë Shqipërisë që vuajë nga kjo sëmundje e memecllekut intelektual.
Brenga ime, ka të bëj jo vetëm me këtë rast konkret, por me reagimet intelektuale në përgjithësi në Shqipëri apo edhe në trevat e tjera shqiptare, të cilat janë vizitorë në kozmosin shqiptar, sa c’janë kometat e mirenjohura.
Të gjithë ne që pretendojmë se jemi deri diku të tillë, ose më saktë te shkolluar, kemi mëkatet tona si shtresë, efektet e të cilave i vuajmë të gjithë ne forma dhe konfiguracione të ndryshme. Si ata që jetojnë në Shqipëri edhe ata që janë jashtë territorit, jo se nuk duan, por ashtu ua solli jeta, por qe duan ta shohin më mirë vëndin e tyre dhe sa më normal, me po atë të drejtë hipotekimi atdhedashurie sa të gjithë të tjerët.
Nuk ja vlen të përmënden rastet e pakta të reagimit intelektual në këto dekadat e fundit, ose ato të mospipëtimit.
Heshtja intelektuale, edhe pse heshtja është flori në shumë rrethana, në këtë rast është skrap, se nuk po gjej fjalë tjetër, edhe pse këtij i është rritur vlera në Shqipëri keto vite!
Por ajo ka shkaqet e veta, që janë sa personale, politike, partizanllëku partiak e deri financiare e të lidhura me bukën e gojës, e ne rastin më të ndyrë me korruptimin e shpirtit dhe atë financiar.
Shqipëria ka njerëz të shumtë me formim të jashtëzakonshëm intelektual, qe shikojnë punët e veta, duke harruar ose duke pranuar se edhe ata venë e blejnë mishin apo qumshtin e paskremuar të tregëtuar në rrugë apo ecin nëpër të njëjtat baltra, ku shkelin edhe qytetarët e thjeshtë.
Shtrohen nëpër të njejtat spitale kur i zë halli, ku të pin mikrobi, e bakshishi për trajtime e operacione, apo dëgjojnë cdo natë të njëjtin bullshit, që dëgjojnë të gjithë shqiptarët nëpër tërë ekranet e pafund të shtetit tonë të vockël.
Thithin të njëjtin dioksid karboni nga sarbatorët e makinave përgjithësisht të vjetra të Tiranës,Shkodrës a Gjirokastrës, apo furrave te gomës në pllajën e Krujes, apo më pak oksigjen nga pemët që ckulen me rrënjë nga parku i vetëm mushkri i Tiranës!
Këtu, nuk përfshihen një pjesë e atyre intelektualëve të kamur, që fëmijët i cojnë jashtë për studime, që kanë nga një OJQ, apo institute që paguhen nga Brukseli apo fonde të tjera promovuese nga Perëndimi.
Këtu përjashtohen edhe ata që kanë bërë lekë dhe marrin fonde për univeristetet apo bizneset e tyre kërkimoro-integruese- ndërkombëtaro… etc , i fundit të mbylli derën!
Kësaj nënshtrese intelektuale nuk “ i prishet gjiza” për shëmtitë e shoqërisë mbi të cilat ata pretendojnë ti rregullojnë përmes fondacioneve apo shoqatave të financuara nga jashte! Ata nuk janë agjentë të huaj sic i cilëson Putini kete soj, por ata janë të huaj për veten e tyre si për ironi të ironisë se fatit!
Me këtë kategori të mësipërme nuk merrem, pasi ky është kompromisi që ata kanë bërë me jetën e tyre dhe të ardhmen e vetë dhe të pasardhësve të tyre gjenetik, dhe u daltë për hajër.
Fatkeqësia dhe mirëkuptimi , por jo justifikimi asesi në fund të fundit, shkon tek ata intelektualë që vlojnë nga brënda me defektet, por nuk kanë mundësi praktike të shprehen për shkak të marrëdhënieve të punes dhe atyre financiare me shtetin, ku shumica e tyre mund të kenë fatin të punësohen.
Por edhe ata të punësuar nëpër biznese dhe institucione private sërish nuk kane lirinë e domosdoshme për të sokëllitur si intelektual, pasi në jo pak raste janë pa kontrata normale pune dhe janë të flakshëm në rastin e parë të rebelizmit.
Fatkeqësia e vëndit tonë të përbashkët është se pjesa dërmuese e të shkolluarve, (më të afërtit me nocionin intelektual), janë në marrëdhënie pune me shtetin ose bizneset e lidhura me kryeshtetarët, sic mund të gjeni edhe disa në listën e intelektualëve të Shkodrës për rastin Gurakuqi.
Dhe ky palo shtet ka edhe gurin dhe arrën në dorë. Dhe se i ka të dyja në dorë, ka këtë formë shteti që ka sot dhe bën këto zullume dhe është kaq arrogant.
Ndaj them se ata realisht duhen mirëkuptuar në heshtjen e tyre të gjatë për shumë fatkeqësira dhe skandale të ndodhura.
Fatmiresisht, sot e vetmja formë “safe” e shprehjes së irritimit intelektual, edhe pse jo perfekt nga gjuha dhe formulimi, kanë mbetur rrjetet sociale dhe faqet online të publikimeve periodike dhe medias te cilat ofron shfryrje edhe pse në anonimat, të papajtueshmërisë me shumë fenomene në shoqërinë tonë.
Kjo është një vlerë e jashtëzakonshme, edhe pse e kufizuar për nga natyra, për të arritur tek njeriu i thjeshtë që nuk ka librin, penën, internetin obsesion dhe zanat të cdo dite.
Dhe këtu një rol të jashtëzakonshëm luajnë drejtuesit e këtyre mediave që lejojnë në përgjithësi hapsirën dhe nuk censurojnë mendimin ndryshe dhe shqetësimin intelektual.
Për aq kohe sa do të jetë kjo gjëndje ndërvartësie financiare dhe kontraktuale ose jo-kontraktuale punësimi e shtresës së shkolluar që bëm kompromis ta quanim intelektuale, shtresa e “intelektualëve në nevojë”, do të jetë e vulëhumbur në betejën e vështirë të perfeksionimit të shoqërisë sonë, për fatin tonë të keq të përbashkët.