NESËR VËRTET DO TË JETË VONË

0
81

Rudina Seseri

Rudina Seseri

Pyetja a është prekur apo jo ekonomia shqiptare nga kriza, tani nuk është veçse retorike, përgjigjen e së cilës gjithkush e di. Ekspertët e opozitës e kanë parashikuar me kohë rënien e thellë ekonomike, duke paralajmëruar pasojat e rënda për të gjithë popullin dhe duke bërë thirrje për masa të rëndësishme antikrizë në favor të bizneseve dhe individëve më të ekspozuar ndaj saj. Banka e Shqipërisë, që prej më shumë se një viti ka tërhequr vëmendjen për përkeqësimin e treguesve ekonomikë, duke rekomanduar uljen drastike të shpenzimeve buxhetore për të shmangur përkeqësimin e vetëdijshëm të ekonomisë. Fondi Monetar Ndërkombëtar në çdo raport të tij ka pasqyruar kundërshti të hapura me statistikat e manipuluara zyrtare, aq sa “e mbushi kupën” dhe nuk iu rinovua më marrëveshja e bashkëpunimit me Shqipërinë.

Bizneset, duke filluar nga biznesi i ndërtimit, prodhuesit për eksport dhe biznesi i vogël, jetuan konsekuencat e menjëhershme të frenimit ekonomik dhe shumë prej tyre kanë ndaluar tërësisht aktivitetin, duke nxjerrë në rrugë si të papunë mijëra njerëz. Dërgesat e emigrantëve janë në pakësim të vazhdueshëm; çmimet janë gjithnjë e më të larta, por asistenca për familjet e varfra dhe pensionistët, të cilët janë rrënuar më tej përballë pakësimit të të ardhurave, nuk ekziston; dhe zhvlerësimi i lekut ka arritur në nivele shumë shqetësuese, ndërkohë që borxhi i jashtëm vazhdon të rritet.

Përkundrejt gjithë këtyre vlerësimeve, qeveria gjithnjë bëri të kundërtën e asaj që kishte për detyrë të bënte. Propagandoi me kokëfortësi Shqipërinë si të vetmin vend në rajon, në Europë, madje dhe më gjerë, të paprekur nga kriza, duke aluduar qartë se ishte meritë e saj që e kuptoi me kohë krizën dhe mori masa efikase për ta parandaluar atë. Këto broçkulla nuk u thanë vetëm në mitingje elektorale dhe debate televizive, por edhe në forume ndërkombëtare ekonomike, të shoqëruara me vështrimet shpotitëse të ekspertëve të huaj. Ishte njëfarë kthimi në identitet i qeveritarëve tanë dhe një analogji e frikshme me të kaluarën komuniste.

E ndërsa të gjithë treguesit makroekonomikë mund të manipuloheshin dhe keqraportoheshin, treguesit e buxhetit rezultuan kokëfortë se, në fund të ditës, aritmetika e buxhetit ka një kufi manipulimi dhe e nxjerr gënjeshtrën në shesh. Kjo tashmë ka ndodhur me Ministrinë tonë të Financave dhe i ka ngelur në dorë qeverisë shqiptare. Loja e pandershme me treguesit fiskalë e makroekonomikë të vitit 2009 është prova më e qartë e paaftësisë së atyre që drejtojnë financat.

Nga janari i vitit 2008, deri në janar të vitit 2010, treguesi i rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) është ndryshuar nga qeveria katër herë. Në Kuadrin Fiskal e Makroekonomik 2009–2011, të miratuar në janar 2008, Ministria e Financave, “bazuar në gjendjen ekonomike dhe në vlerësimin e hipotezave makroekonomike”, ka parashikuar për vitin 2009 një rritje ekonomike prej 6.5% dhe të gjithë treguesit e tjerë, përfshirë dhe projekt-buxhetin e vitit 2009, janë bazuar në këtë rritje. Në janar 2009, qeveria ka miratuar Kuadrin Fiskal e Makroekonomik 2010–2012 dhe e parashikon rritjen ekonomike të vitit 2009 më të ulët, vetëm 6%, “duke marrë parasysh plotësisht edhe situatën e pafavorshme të krijuar në ambientin e jashtëm, që pritet të vazhdojë të paktën edhe për një periudhë afatshkurtër”, ndërkohë që shifrat e buxhetit mbeten të pandryshuara. Ky dokument ndryshohet përsëri në prill 2009 dhe, me këtë rast, rritja ekonomike e vitit 2009 parashikohet vetëm 4.8%. Në janar të 2010, qeveria miratoi Kuadrin Fiskal e Makroekonomik 2011–2013 dhe i la pa mend të gjithë, përfshirë edhe ekonomistët e saj, të cilët kishin mbrojtur me stoicizëm rritjen e lartë të ekonomisë, duke deklaruar për vitin 2009 një rritje të pranuar zyrtarisht prej 3%, apo më pak se gjysmën e rritjes ekonomike të parashikuar nga ajo vetë në janar të vitit 2008. Kjo mbetet shifra e pranuar zyrtarisht, ndonëse analizat tregojnë se rritja reale ka qenë negative dhe ekonomia shqiptare është në recension. Një situatë e ngjashme është edhe me parashikimin e rritjes ekonomike të vitit 2010, e cila ka ndryshuar 3 herë nga 7% që ishte parashikuar në fillim, në 5.5% dhe mbetet vetëm për të parë dhe sa herë të tjera do të ndryshojë ajo.

Kjo nuk është thjesht një lojë shifrash apo një lapsus teknokratesh. Rritja ekonomike është treguesi themelor i planifikimit të të gjithë elementëve të tjerë ekonomikë dhe çdo pasaktësi në programimin e saj kushton shtrenjtë. Ky është një keqmenaxhim me pasoja të rënda për ekonominë e një vendi që dëshmon papërgjegjshmëri dhe paaftësi në radhë të parë të ministrit të Financave që harton Kuadrin Fiskal e Makroekonomik dhe, pas tij, të qeverisë që miraton me kaq lehtësi ndryshime të tilla shifrash.

Çoroditja e të ardhurave të vitit 2009 e pasqyron shumë qartë këtë pasojë. Në buxhetin e shtetit, të ardhurat për vitin 2009 ishin parashikuar 335 miliardë lekë, në buxhetin e rishikuar u zbritën në 326 miliardë lekë dhe në Aktin Normativ të Qeverisë u zbritën më tej në 319 miliardë lekë. Jo vetëm kaq, por në një hapësirë më pak se 2-mujore, 26 nëntor 2009–7 janar 2010, qeveria ka miratuar tri shifra të ndryshme për të ardhurat e buxhetit të shtetit, me diferencë deri në rreth 25 miliardë lekë, me të njëjtin burim: Ministrinë e Financave. Tani së fundmi, qeveria u shpreh se të ardhurat si 11-mujor ishin vetëm 268.2 miliardë lekë dhe se në fund të vitit duhet të rezultojnë rreth 13 miliardë lekë më pak. Çoroditje të ngjashme vihen re edhe në të ardhurat e vitit 2010, për të cilat, fill pasi Parlamenti miratoi buxhetin, Ministria e Financave kërkoi korrigjimin me një ulje prej 30 miliardë lekësh.

Në vend që të ketë guxim të pranojë krizën dhe të marrë masat e tejvonuara për rikuperimin e ekonomisë dhe për të zbutur pasojat, qeveria bën ekzaktësisht të kundërtën: shpik lloj-lloj trukimesh për të rritur të ardhurat e buxhetit, pa e vrarë mendjen se veprime të tilla qëllimisht dhe qartazi e përkeqësojnë më shumë gjendjen e ekonomisë.

Shembulli më tipik është “politika” me biznesin e vogël. Në vend që të parashikonte masa për ta shpëtuar këtë kategori të biznesit nga falimentimi dhe për ta nxitur të zgjerohet, qeveria zgjodhi ta mbitaksojë biznesin e vogël me xhiro vjetore mbi 5 mil. lekë, duke e konsideruar artificialisht si biznes të madh. E shprehur ndryshe, në vend që t’i jepte mundësi biznesit të vogël t’i riinvestonte ato pak fitime për t’u zgjeruar ose t’i shpenzonte ato për konsum, veprime që do të kishin ndihmuar aktivitetin ekonomik në vend, qeveria vendosi t’i taksonte bizneset për të mbushur hapësirat e saj buxhetore. Rezultati negativ i kësaj politike abuzive tashmë është i qartë: PBB nuk u rrit, të ardhurat buxhetore nuk u realizuan dhe për çdo 1 lek të mbledhur nga riklasifikimi i bizneseve të vogla, u humbën disa herë më shumë lekë nga falimentimet e tyre, ndërkohë që familjeve, të cilat mbaheshin me këto të ardhura, iu ndërpre një burim punësimi dhe jetese.

Por fantazia e qeverisë për të rritur të ardhurat në buxhet nuk ndalet. Pak ditë më parë ajo vendosi të njohë paratë e padeklaruara, me kusht që ato të taksohen me 10%. Kjo “politikë” është tejet e gabuar, sepse paratë e padeklaruara kanë pak a shumë tre burime: para të pista, fitime të padeklaruara nga biznesi dhe dërgesa emigrantësh. Të legalizosh paratë e pista vetëm për të fituar 10%, do të thotë të lejosh, të pranosh dhe të mbështesësh trafiqet, falsifikimin dhe korrupsionin. Amnistitë fiskale njihen dhe ekzistojnë, por ato bëhen për rivitalizimin e kapitaleve, jo për të mbushur me ngut boshllëqet e buxhetit të shtetit, dhe sipas rregullave të qarta e transparente, të përfshira në një kuadër ligjor strikt e të diskutuar me institucionet ndërkombëtare. Të taksosh fitimin e padeklaruar nga biznesi pa përcaktuar kritere të qarta ligjore vlerësimi, do të thotë të hapesh një shteg të ri abuzimi e korrupsioni. Të taksosh paratë e emigrantëve, nuk do të thotë thjesht një taksim i dyfishtë, sepse ato para janë taksuar një herë në vendet nga ku origjinojnë. Kjo nuk do të thotë thjesht krijim i motivimit për të rimëkëmbur mënyrat informale të transportit të parasë. Të taksosh dërgesat nga jashtë për të bërë një tentativë të dëshpëruar për të mbuluar falimentimin në menaxhimin e buxhetit do të thotë të luash me djersën e të gjithë emigrantëve dhe të frenosh çdo iniciativë të tyre për të mbështetur financiarisht familjet e tyre dhe për të ndërmarrë investime në Shqipëri.

Paniku i pakësimit të të ardhurave e shtyn qeverinë të shpikë edhe “politika” të paparashikuara në Kuadrin Afatmesëm Fiskal e Makroekonomik të sapomiratuar prej saj. Përfundimi i shpejtë i privatizimeve strategjike është njëra nga këto shpikje befasuese. Qeveria po ngutet të privatizojë gjithçka, pa llogaritur pasojat apo vlerësuar në se po optimizon për interesat ekonomike të qytetarëve, vetëm për të futur disa të ardhura në buxhet. Dhe çuditërisht qeveria harron të shohë, masi apo vlerësojë se sa të dëmshme kanë qenë privatizimet e saj të nxituara. Për shembull, cilat kanë qenë pasojat e privatizimit të KESH-it? Si u prekën konsumatorët nga ky privatizim? Si mund të konsiderohet qeveria një mbrojtëse e interesave të qytetarëve dhe një menaxhuese e besuar e pronës shtetërore kur OSSH-ja e privatizuar del me humbje më të thella seç pritej, dhe akuzon për shifra të gatuara nga qeveria, ndërsa çdo janar parashikohet që faturat e familjarëve të jenë gjithnjë e më të kripura?!

E ndodhur para faktit që të ardhurat nuk po rriten dhe para detyrimeve marramendëse për të paguar qindra miliona euro borxhe e shpërdorime në investime, qeveria e bumit të investimeve, që nuk ka aftësi as të menaxhojë borderonë e saj e paguajë rregullisht rrogat e nëpunësve, po i drejtohet përsëri marrjes së kredive. Të kuptohemi, të marrësh kredi nuk është e keqe në vetvete, përkundrazi është një mekanizëm efikas për akses kapitali të cilin biznesi e përdor për t’u zhvilluar e zgjeruar më tej. Por të marrësh kredi, duke fshehur pse e merr dhe me çfarë eficence do të përdoren paratë, si dhe pa u shqetësuar për rritjen jashtë çdo kufiri të borxhit publik, është një “politikë” e dëmshme. Aq më tepër që kjo kredi merret në një situatë ekonomike krize dhe kushtet e kreditimit nuk kanë se si të mos të jenë shumë të rënda. Pagesa e kredive të marra është një lak i shtrënguar që në vite nuk do ta lerë buxhetin e shtetit të marrë frymë.

Të jesh në krizë ekonomike në këtë periudhë nuk është mëkat i madh, në fund të ditës, e gjithë bota ka qenë në krizë dhe po del vetëm gradualisht prej saj. Por të mos pranosh krizën për efekte elektorale, deliri madhështie të tipit fanar i vetëm ndriçimi, dhe ta thellosh me vetëdije atë nëpërmjet “politikave” dritëshkurtra është një përgjegjësi e rëndë për Ministrinë e Financave dhe qeverinë. Është e pafalshme të shkruash në Kuadrin Fiskal e Makroekonomik se “të ardhurat nga emigrantët janë parashikuar të rriten rreth 7% çdo vit”, kur të gjithë e dinë që ato vazhdojnë të ulen dukshëm çdo vit.

Është e pafalshme të shkruash se “kursi i këmbimit me euron parashikohet të jetë i qëndrueshëm çdo vit në nivelin 122 lekë/euro”, kur të gjithë e shohin zhvlerësimin galopant të lekut. Është e pafalshme të flasësh për ekonominë me çfarëdo rritje pozitive, kur çdo sektor i vendit tashmë është frenuar, kur të ardhurat nga TVSH-ja janë shumë më të ulëta se parashikimi si rezultat i rënies drastike të importeve; kur të ardhurat vjetore nga industria kanë rënë 24% si rezultat i falimentimit të bizneseve në këtë sektor; dhe kur mosrealizimi i të ardhurave nga tatimet, doganat dhe pushteti vendor ka arritur në nivele rekord.

Kriza jo vetëm është e pranishme, por ajo po thellohet në mënyrë të frikshme. Kësaj po i shtohet edhe zhvlerësimi i pandalshëm i lekut dhe rritja e çmimeve. Prandaj duhet hequr dorë urgjentisht nga “politikat” e sajuara ekonomike nga njerëz të prapambetur. Duhet hartuar e zbatuar me urgjencë një plan shpëtimi – vërtet jemi bërë për t’u shpëtuar – që t’i asistojë biznesit, të rikthejë mundësitë për krijimin e vendeve të punës dhe rritjen e të ardhurave të shqiptarëve siç kanë bërë vende edhe më të fuqishme se Shqipëria. Dhe për të mos thyer pritshmërinë e çuditshme ku zgjidhjet për kriza duhet të ofrohen nga opozita, ndonëse vendimmarrjen e bën mazhoranca qeverisëse, është momenti të krijohet dhe të vihet në jetë një paketë e mirëfilltë antikrizë.

Kjo paketë shumëdimensionale duhet të nisë me stimulimin e aktivitetit të biznesit si motorin më të shpejtë për rimëkëmbjen e ekonomisë, duke filluar me uljen e përkohshme të taksave e duke shkuar deri te revokimi i klasifikimit të shumë prej bizneseve të vogla si biznese të mëdha. Duhet kërkuar ndihma e FMN-së dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, siç po bëjnë jo vetëm vendet e Lindjes, por edhe vende anëtare të Bashkimit Europian, për të pasur asistencë financiare dhe jo spekulime me kredi të rënda (dhe JO!, prezenca dhe përfshirja e FMN-së si aktor në ekonominë shqiptare dhe ulja e përkohshme e taksave nuk bien ndesh me njëra-tjetrën, sidomos në se paketa antikrizë është pjesë e një plani të bashkëhartuar).

Duhen rinegociuar kreditë ekzistuese dhe, ku është e mundur, zëvendësuar me kredi të buta nga institucionet ndërkombëtare. Duhet bashkëpunuar më shumë se kurrë me Bankën e Shqipërisë për të lehtësuar dhe rritur likuiditetin për sipërmarrje dhe individë. Duhen mbështetur pensionistët e të varfrit e këtij vendi, ndonëse me një arkë boshe ky mbetet një mision i vështirë. Së fundi, duhet kërkuar ndihma dhe pjesëmarrja në ekonomi e çdo qytetari për të konsumuar e blerë produkte sot me besimin se punësimi do të vazhdojë të ekzistojë sepse vetëm kështu mund të dilet nga cikli vicioz i këtij recesioni. Të gjithë këto hapa duhen ndërmarrë menjëherë sot, se nesër vërtet do të jetë vonë.