Nesër, rradha e atyre që heshtin

0
22

Mentor Nazarko

Mentor Nazarko, 03.01.2010

Sulmet e fundit të administratës, të ekzekutivit në përgjithësi, prej kryeministrit, apo nëpërmjet ushtrisë shtetërore ndaj biznesit nuk parathonë asgjë të mirë jo thjesht për qëllimet e këtij ekzekutivi, por dhe për pasojat e veprimeve të tij.

Janë disa elementë që mund të merren në konsideratë për të gjykuar mbi këtë fushatë.

Në krye të herës, kjo fushatë e nisur nga sulmet verbale të kryeministrit Berisha është selektive në disa pikëpamje, dhe duke thënë këtë afirmojmë diçka të ditur, por jo dhe aq. Ajo ka zgjedhur të godasë njerëz të biznesit që kanë media. Berisha i sotëm është sofistikuar dhe duke ndjekur shembullin e Nanos: ai nuk godet më mediat, që nuk janë pronë e gazetarëve, por bizneset mbi të cilat mbështetet kjo media. Nuk ka goditje më perfide: pavarësia e këtyre mediave mbështetet pikërisht tek fuqia ekonomike e pronarëve të tyre.

Berisha i sotëm është duke goditur bosë të medias që janë afër Ramës, apo biznesmenë që janë në përgjithësi afër tij, megjithëse nuk zotërojnë media. Është e çuditshme sesi në selektivitetin e vet, zoti Berisha i cili hidhet në fushën e betejës personalisht, shmangu nga lista e përfituesve prej Ramës, Mihal Delijorgjin. Ky përjashtim i Delijorgjit nuk është i rastësishëm: në Gjykatën e lartë po zhvillohet gjyqi i Gërdecit, ku siç shihet vetë zoti Delijorgji apo njerëzit e tij janë bërë kritikë ndaj qeverisë, duke u ndierë të tradhëtuar, duke lënë përgjegjësinë si fillim tek ministria e mbrojtjes apo mungesa e kontrolleve të shtetit.

Nga pikëpamja politike, fushata pra është jetësim në praktikë i disa mesazheve të egra të kumtuara prej kreut të qeverisë zotit Berisha kundër Ramës dhe njerëzve që sipas Berishës mbajnë në këmbë Ramën në planin propagandistik apo në të gjithë planet. Kundërshtarët e tij të biznesit, përfshi dhe Ramën, e kanë sulmuar Berishën dhe familjen e tij nëpërmjet gazetarëve, apo politikisht, ndërsa Berisha zbriti vetë në mejdan për t’i sulmuar të gjithë. Pikërisht ky element ishte rënie stili: është e vërtetë që kur fushatat bëhen të egra, nuk kursehen familjet e kundërshtarëve, por as që mund të imagjinojmë që rivalët në një vend perëndimor të akuzojnë personalisht njeri tjetrin apo familjet e tyre në planin moral. Bash për këtë arsye Berisha vuri në rresht gjithë grupin parlamentar në sulme ndaj kreut të opozitës apo biznesmenëve mediatikë diçka që përveç tronditjes mbi mungesën e personalitetit të të rreshtuarve, e bëri më të rëndë situatën. Tashmë mes palëve ka një hendek aq të madh sa vështirë se mund të gjenden negociatorë, apo zgjidhje për afrimin e tyre. As kjo nuk ndihmon askwnd: as politikwn, as biznesin, as shoqwrinw, as investimet e huaja.

Sulmi mbi biznesin, i konkretizuar qoftë nëpërmjet iniciativave administrative-prishje ndërtimesh, rishikim kontratash jogjyqësisht, qoftë nëpërmjet rishikimit arbitrar të ligjeve duke reduktuar autonominë vendore, mbajnw era presion tw ekzekutivit. Ky sulm qoftë verbal, qoftë i realizuar në praktikë është arbitrar sepse shkel shumë parime themelore të kushtetutës apo të akteve ndërkombëtare, siç është ndarja e pushteteve themelore, pushtetit qendror dhe atij lokal, shkel dinjitetin e individit, emrin e tij, emrin e firmës, etj, etj në një listë të gjatë shkeljesh tw drejtash, parimesh dhe ligjesh, që do të tmerronte këdo vëzhgues ndërkombëtar.

Fushata e fundit ngjan si një fushatë pa precedent edhe në rang botëror. Dikush është përpjekur të heqë paralele me fushatën “deoligarkizuese” të Putinit. Në fakt Berisha që s’do donte ta krahasonin me Putinin, sigurisht nuk po bën të njëjtën gjë. As me të njëjtat qëllime, as me të njëjtat pasoja. Sulmi i Putinit përveç njerëzve të medias dhe bizneseve të tyre, goditi dhe gjithë ato biznese të ngritura mbi privatizimet, të cilët bllokonin ekonominë për shkak të pozitave monopol. Nëpërmjet këtyre lëvizjeve Putin, që kishte mbështetje të madhe të opinionit publik vendas dhe atij ndërkombtar synonte jo thjesht të çlironte ekonominë vendase nga kthetrat e monopoleve qw po bwnin shtet brenda shtetit, por dhe të prodhonte efekte sociale pozitive nëpërmjet liberalizimit të tregut. Pas një goditje në mandatin e parë të tij duke e çuar ekuilibrin e forcave kah vetja, Putin vazhdoi goditjen në mandatin e dytë, duke u mbështetur në studime precize të Bankës botërore apo të Auditorëve financiarë të shtetit që tregonin peshën e këtyre oligarkëve në jetën ekonomike të vendit. Nuk është ky rasti i sulmeve preferenciale të qeverisë së zotit Berisha, për më shumë kur studime të kryera nga opozita tregojnë se tregjet kryesore të vendit, kontrollohen nga njerëz afër kryeministrit. Pamja e ofruar prej atij studimi ishte e frikshme dhe qeveria derimë tani nuk ka dalë e ta përgënjeshtrojë.

Disa veçori shqiptare

Sulmet e fundit të qeverisë mbi një pjesë të biznesit vendas përkundër asaj që ndodhte në Rusi ndodhin në një vend të varfër, që blen më shumë sesa shet. Që prodhon fare pak dhe që konsumon shumë. Në një vend që ka hyrë në një krizë që s’dihet sesi do të jetë për nga pasojat. Sulmet e tanishme i ngjajnë nga pak fushatave të Enver Hoxhës pas luftës së dytë botërore për të mbushur kasat e shtetit me gjoba, shpronësime, apo konfiskime. Sot tatimet si e vetmja shtyllë që sjell të ardhura pasi doganat po humbin peshën e tyre, po rrudhin kontributin e tyre në buxhet, pra këto sulme mbi biznesin kanë dhe synim utilitar, qoftë duke marrë nga bizneset e mëdha para nëpërmjet gjobave, qoftë duke frikësuar të tjerët. Rusia e Putinit sigurisht nuk është kështu, por një nga fuqitë më të mëdha financiare dhe ekonomike të botës.

Sulmet e fundit personale mbi biznesin apo qoftë dhe mbi Ramën janë mbështetur mbi mbrojtjen që të krijon imuniteti dhe ky është një paradoks i madh. Në planin verbal Berisha s’do të bënte kurrë ato akuza që ka bërë për Ramën apo për këdo, nëse s’do të kishte imunitet dhe çfarë imuniteti, atë të kryeministrit! Sulme të tilla nga një njeri që nga ana tjetër pretendon se nuk i duhet imuniteti, janë me të vërtetë paradoksale dhe sigurisht jo dëshmi trimërie.

Edhe diçka tjetër që lidhet me reagimin e mediave apo të bizneseve të tjera. Përballë këtyre sulmeve, një pjesë e këtyre bizneseve tutet nga frika, dikush fërkon duart. Një sjellje vërtet miope! Nuk ka asnjë dyshim se një pjesë e bizneseve të goditura veprojnë në kushte informaliteti dhe se ata mund të meritojnë ndëshkime të shtetit. Por gjithçka duhet të ndodhë me ligj dhe jo me urdhër politik. Reagimi i subjekteve të biznesit apo mosreagimi i tyre tregon dobësinë e këtij biznesi në përgjithësi, për shkak të informalitetit, angazhimit të tij në sektorë joprodhues, pra vulnerabël ndaj shtetit, strukturën monoaksionare të pronësisë, mungesën e organizatave solidaristike të biznesit, etj.. Nesër mund të jetë rradha e atyre që heshtin, dhe nëse njerëzit e biznesit nuk reagojnë sot të bashkuar, qeveria e ardhshme, ndoshta e një shumice tjetër mund të bëjë të njëjtën gjë ndaj tyre.
Ishte kjo një listë arsyesh pse ajo që po shohim nuk duhet të na lerë indiferentë. Askush nuk mund të tolerojë skena apo veprime që e bëjnë Shqipërinë të ngjajë jo si një vend anëtar i NATO-s, por ndoshta si një vend i Amerikës Latine.