“Nëse thellohet kriza, Shqipëria në listën e demokracive të dështuara”

0
45

Xhaferri: Kriza po rrezikon shtetin

Ylli Pata

Arben Xhaferi

Një alarm i fuqishëm dhe dramatik vjen në veshët e politikanëve shqiptarë, nëpërmjet mendjes së një prej intelektualëve dhe politikanëve më të spikatur në të gjitha trevat mbarëshqiptare. Bëhet fjalë për Arbën Xhaferrin, i cili në një intervistë ekskluzive për “Shqip” lëshon një paralajmërim ndaj politikës shqiptare në këto momente të vështira të konfliktualitetit politik. Në një skaner të hollësishëm që i bën situatës politike, politikani dhe publicisti i njohur deklaron se “Në situatën e krijuar, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër që do të mund të funksionojë në afat më të gjatë. Por, jo vetëm kaq. Nëse kjo krizë do të thellohet, Shqipëria përfundimisht do të radhitet në listën e shteteve ku ka dështuar demokracia, në listën e shteteve që nuk funksionojnë”.

Analiza e Z.Xhefarri është mjaft e qartë: nga zgjedhjet e 28 qershorit ka një verdikt popullor që nuk i ka dhënë pushtetin për të qeverisur vetëm njërës nga forcat politike, por ka një vullnet të qartë për një moment të ri mes shqiptarëve, qeverisjen së bashku. Duke mos hyrë në detajet e një marrëveshje juridike mes dy forcave politike në vend, Z.Xhaferri deklaroi se duhet medoemos të ulen në tryezë protagonistët kryesore të politikës shqiptare, pra Berisha dhe Rama. Kjo edhe për një arsye tjetër, pasi po riaktivizohen akuzat se shqiptarët nuk kanë aftësi shtetformuese.

Por, për intelektualin Arbën Xhaferri, gjithë ky imtas nuk është thjesht problem i politikës dhe fajtore nuk është ajo. Xhaferri është i qartë në idenë e tij ku thotë se “Kur një shoqëri s‘arrin të gjejë përgjigje për problemet që vetë i krijon është në krizë të thellë që merr trajta të shtetit që nuk funksionon. Mbase shumëkujt ky konstatim duket i rëndomtë, në kuadër të konstatimeve për devijime të tjera, të llojllojshme, tipike për shoqëritë në tranzicion. Por, kritika që konstaton se një sistem nuk funksionon do të thotë se një shtet në tërësi ka dështuar, pozita, opozita, Parlamenti, gjyqësia, prokuroria, OJQ-të, pastaj etika publike etj.“…

Z.Xhaferri, si e vlerësoni kthimin e konfliktit politik në Shqipëri, si e mendoni zgjidhjen dhe a do të kishte ajo pasoja në hapësirën mbarëshqiptare?

Është shumë vështirë që në një situatë kaq të politizuar të jepen këshilla që me shkop magjik do të arrijë t‘i qetësojë gjakrat, aq më parë nëse merret parasysh fakti se në kuadër të partive politike ka intelektualë që e njohin thellë natyrën dhe prapavijën e proceseve politike që zhvillohen në Shqipëri, ka njerëz me kredo të lartë morale, ashtu si edhe në shoqërinë shqiptare, jashtë partive politike ka njerëz të mençur, të urtë, të sinqertë, të cilët vuajnë jo vetëm për shkaqe ekonomike, por edhe shpirtërisht, nga humbja e shpresave se demokracia do t‘i zgjidhë të gjitha problemet me të cilat përballet qytetari.

Në këtë situatë të rrënimit të çdo autoriteti, çfarë këshille mund të japë njeriu dhe të mos e marrë, aty për aty përgjigjen cinike “kujt i shet këto kopalla?”.

Por gjithmonë mendimet racionale shërbejnë?

Si të jepen këshilla kur dihet se ato paraprakisht do të refuzohen me indinjatë, si të sugjerohet shtegdalja mbi baza të relativizmit të fajit, apo sa kohë do të mund të ekzistojë një shtet që vazhdimisht prodhon kriza, shkelje të ligjeve dhe pastaj përpiqet ta evitojë atë me shpallje të amnistisë në emër të interesave të mëdha kombëtare, çfarë të drejte ka dikush të apelojë në unitet që ngrihet mbi gërmadhat morale, politike të një gjenerate të etshme për debate të ethshme për çdo temë dhe për çdo rast…

Lista e pyetjeve, e dilemave është e gjatë, ndërkaq përgjigje shumë pak ose aspak. Kur një shoqëri s‘arrin të gjejë përgjigje për problemet që vetë i krijon është në krizë të thellë që merr trajta të shtetit që nuk funksionon. Mbase shumëkujt ky konstatim duket i rëndomtë, në kuadër të konstatimeve për devijime të tjera, të llojllojshme, tipike për shoqëritë në tranzicion. Por, kritika që konstaton se një sistem nuk funksionon do të thotë se një shtet në tërësi ka dështuar, pozita, opozita, Parlamenti, gjyqësia, prokuroria, OJQ-të, pastaj etika publike etj.

Duket se vazhdimisht jemi para një rrethi të rrezikshëm vicioz që pa dyshim ka dhe jehonën e tij në zhvillimet e përgjithshme…

Vëzhguesit ndërkombëtarë, krizën aktuale në Shqipëri e vlerësojnë si mungesë të kapaciteteve shtetformuese të shqiptarëve në përgjithësi. E di se bartja e përgjegjësisë për krizën te faktorët e jashtëm tingëllon si teori konspirative, por megjithatë, vlerësoj se duhen ndjekur me shqetësim vlerësimet se shqiptarët nuk janë në gjendje të formojnë shtet. Tashmë nuk mund të injorohet fakti se ekziston një rreth jo formal që vazhdimisht përhap teza që e rrënojnë imazhin e shqiptarëve. Ky institucion djallëzues vazhdimisht shpif dizinformata që synojnë ta përkeqësojnë imazhin e shqiptarëve. Në Kosovë, siç dihet, zgjedhjet e fundit dëshmuan se shqiptarët janë në gjendje, edhe në kushte shumë të vështira të organizojnë zgjedhje të mirëfillta demokratike.

Këtë fakt që afirmon përkushtimin e shqiptarëve për ndërtim të shtetit mbi premisat demokratike, nuk mund ta toleronin ata që vazhdimisht përhapin akuzën për paaftësinë tonë për të bërë shtet. Këtë sukses në zgjedhjet vendore në Kosovë, vigjilentët që e ruajnë gjeneratorin e njollosjes së shqiptarëve nxorën një person që akuzoi të gjitha institucionet e Kosovës për degjenerim me prapavijë kriminale. Çuditërisht, këto akuza dolën në shesh ditën kur filloi procesi në Gjykatën e Hagës për shpalljen “e njëanshme” të pavarësisë së Kosovës. Derisa ne merremi me vetveten, të tjerët rrënojnë shpejt e shpejt atë që me shumë sakrifica arritëm ta krijojmë.

Por kjo do të duhet të marrë fund dikur…?

Rreth çështjes së shqiptarëve ekziston një komplot me motive të ndryshme që manifestohet si interpretim deformues i zhvillimeve demokratike në hapësirat shqiptarëve. E vë theksin te interpretimet deformuese ngaqë problemet, pakënaqësitë nga mënyra sesi janë numëruar fletëvotimet mund të ndodhin, jo vetëm në shtetet me kulturë fillestare demokratike, por edhe në ato që kanë prodhuar demokracinë si mënyrë të vetme për legjitimim, për përfaqësim të interesave të një segmenti shoqëror. Me këtë rast do të përmend rastin e zgjedhjeve presidenciale në SHBA, kur plasi skandali lidhur me numërimin e votave që nxirrnin fitues Xhorxh Bushin. Por, dallimi ndërmjet shoqërisë amerikane dhe asaj shqiptare është vendosja e kufirit deri ku mund të zhvillohet kriza. Ose shembulli dytë, ai i Gjermanisë kur populli votoi njësoj si për CDU-në ashtu edhe për SDP-në. Edhe gjermanët vepruan njësoj si amerikanët: vetë e zgjidhën krizën duke e ndarë pushtetin sipas verdiktit të sovranit.

Në situatën e krijuar, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër që do të mund të funksionojë në afat më të gjatë. Por, jo vetëm kaq. Nëse kjo krizë do të thellohet, Shqipëria përfundimisht do të radhitet në listën e shteteve ku ka dështuar demokracia, në listën e shteteve që nuk funksionojnë. Jam i bindur se as z. Rama, as z. Berisha nuk do ta lejojnë këtë.

Por është fakt se konfliktualiteti ka arritur kulmin…

Antagonizimi i skajshëm, i sforcuar i raporteve politike brenda një sistemi, i krijuar mbi parimin bardhezi, ose miq-armiq prodhon polarizime politike, fetare, rajonale. Kur ky polarizim instalohet, njëkohësisht fillon procesi i zvetënimit moral në shoqëri. Zvetnimi i moralit në politikë lejon konstruksione të ndryshme ndaj njëri-tjetrit, kështu që politika fillon ta humbë arsyen e ekzistimit. Në vend të një oferte reale për zgjidhjen e problemeve, përplasjet politike shfaqen në trajtën e replikës mbi replikë. Kjo mënyrë e të vepruarit politike mund të jetë argëtuese, por jo për një popull që ka humbur hapin me rrjedhat moderne historike.

Kjo mënyrë e të vepruarit politik, kryesisht mbi metodën “ARGUMENTUM AD HOMINEM” që latinët e lashtë e përbuznin si gabim në teorinë e njohjes, ka filluar ta humbë vlerën e vet bindëse.

E gjithë kjo krizë mund të tejkalohet vetëm nëse veprohet në drejtim të kundërt. Nuk është në krizë Shqipëria, por qeverisja me të. Votuesit shqiptarë votuan për bashkëqeverisje, ashtu si gjermanët në zgjedhjet e parafundit. Imagjinoni vetëm efektet pozitive nga krijimi i një uniteti në qeverisje kundruall antagonizmave, sado që ato mund të jenë të argumentuara. Shumë më lehtë do të mund të radhiten argumente pro unitetit sesa kundër tij.

Rreziku

Në situatën e krijuar, nuk ka asnjë zgjidhje tjetër që do të mund të funksionojë në afat më të gjatë. Por, jo vetëm kaq. Nëse kjo krizë do të thellohet, Shqipëria përfundimisht do të radhitet në listën e shteteve ku ka dështuar demokracia, në listën e shteteve që nuk funksionojnë.

Replikat

Zvetnimi i moralit në politikë lejon konstruksione të ndryshme ndaj njëri-tjetrit, kështu që politika fillon ta humbë arsyen e ekzistimit. Në vend të një oferte reale për zgjidhjen e problemeve, përplasjet politike shfaqen në trajtën e replikës mbi replikë. Kjo mënyrë e të vepruarit politike mund të jetë argëtuese, por jo për një popull që ka humbur hapin me rrjedhat moderne historike

Konflikti politik

Rruga drejt përplasjes finale…

Njëra palë deklaron se vendi ndodhet në një krizë të thellë politike, ndërsa qeveria thekson se nuk ka një krizë. Por realisht thuajse të gjitha institucionet e rëndësishme ndërkombëtare theksojnë se ka një imtas të rëndësishëm, i cili është krijuar nga mungesa e dialogut politik mes mazhorancës dhe opozitës, të cilat qëndrojnë në pozicione antagoniste. Europianët dhe amerikanët kanë bërë thirrje për një dialog mes palëve, apel që është ndjekur edhe nga personalitete të tjera shqiptare, si politikanë të vjetër, intelektualë të njohur, por edhe autoritete të larta të shtetit.

Duke filluar nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili ka deklaruar se është i gatshëm të negocionte për hapjen e një dialogu mes socialistëve dhe demokratëve. Por të gjitha këto apele kanë rënë në vesh të shurdhër nga protagonistët. Realisht mund të thuhet nga mazhoranca, pasi Kryeministri Sali Berisha mbron fuqishëm tezën se nuk ka krizë, ai mund të qeverisë edhe me mazhorancë relative dhe kërkon të tërhiqet opozita. E cila nga ana e saj ka përshkallëzuar qëndrimin e saj të protestave popullore, pasi qeveria nuk ka zbatuar kërkesën për hapjen e kutive të votimit. Po shkojmë drejt përplasjes finale? E cila sipas Arbën Xhaferrit do të tronditë mbi gjithçka demokracinë dhe shtetin shqiptar…