“Nëse shqiptarët tregojnë vullnet për të kërkuar ndryshim, mund të jetë hapi më i madh drejt anëtarësimit”

0
46

Nga Karsten Ankjaer Jensen, 16 Nëntor 2011
Ambasadori i Danimarkës

Sot do të flas për një nga çështjet e mia të preferuara: trafikun.

Për shumicën e të huajve, trafiku shqiptar është shikimi i parë që hedhin ata në problemet e integrimit evropian të shqiptarëve.

Dhe nuk të duhet shumë kohë duke ngarë makinën ose duke shëtitur këtu përpara se ti si vizitor të arrish në përfundimin se integrimi në BE kërkon një ndryshim rrënjësor të zakoneve dhe sjelljeve. Të paktën mes disa shqiptarëve.

Natyrisht që trafiku është një ilustrim i thjeshtë se si funksionon shoqëria. Megjithatë, ai të tregon shumë mbi mënyrën se si ndërveprojnë dhe bashkëpunojnë njerëzit. Në terma të dukshëm dhe konkret, ai demonstron aftësinë e një shoqërie për të funksionuar si shoqëri.

Të ngarët e makinës nuk është një aktivitet individual. Është një ndërveprim i komplikuar me të tjerë shoferë, këmbësorë, çiklistë, kushtet e rrugës, vijëzimet dhe sinjalet e trafikut. Është qenësisht një aktivitet social. Kërkon që secili të bindet ndaj rregullave dhe që shoferët secili të kuptojë dhe të punojë për qëllimin e përbashkët- që trafiku të lëvizë dhe që të arrihet e mira e përbashkët- që në të vërtetë trafiku të rrjedhë.

Mendoj se për shumë vizitorë të huaj, gjendja e trafikut në Shqipëri shërben si një tregues ‘i shpejtë dhe i pistë’ për gatishmërinë e vendit tuaj për të qenë pjesë e komunitetit të Bashkimit Europian.

Ajo që përjetojnë ata nuk është inkurajuese.

Një sjellje që dikush e has shpesh është kjo: nevojat e mia janë të parat dhe nuk më bëhet vonë për pasojat mbi të tjerët.

Dikush ndjen nevojën për një kafe dhe mesa duket e gjen të përshtatshme të parkojë makinën e tij ose të saj dyshe ose treshe duke shkatërruar rrjedhën e trafikut, duke shkaktuar frustrim dhe duke shpenzuar kohë për ndoshta mijëra të tjerë që përpiqen të shkojnë nga një vend në tjetrin. Kjo është një kafe e shtrenjtë për shoqërinë në fakt.

Jam i sigurt që ju takoni çdo ditë personin që nuk dëshiron të qëndrojë në radhë për të pritur që e kuqja të bëhet jeshile. Ai futet në korsinë e ndaluar, parakalon makinat e tjera që po presin, futet keq, ndërpret trafikun dhe rrezikon jetën e të tjerëve.

Tani, sigurisht që shoferë të tillë gjenden në gjitha vendet. Sigurisht që do gjeni nga këta të papërgjegjshëm siç ju përshkrova më sipër. Por ndryshimi është se në ndryshim nga shumica e vendeve me të cilat synon të bashkohet Shqipëria, shumë pak e shfaqin këtë sjellje, për shkak se e dinë se është e gabuar dhe do dënohen.

Shoferë të tillë të çmendur do ndaloheshin, do u viheshin prangat dhe do përfundonin në burg, do u hiqej patenta, e ndoshta makina do u sekuestrohej, në varësi të rrethanave. Dhe personi që bllokon trafikun me parkimin e papërshtatshëm do paguante një gjobë të majme dhe ndoshta do i hiqej makina e do i vendosej në një pikë policore jashtë qytetit.

Kjo ndodh shumë rrallë në Shqipëri, pavarësisht prezencës së dendur të policisë. Ndoshta është akoma më dekurajuese që ju shihni çdo ditë që ata që duhet të jenë gardianët supremë të ligjit: policia, politikanët dhe zyrtarët e ministrat e qeverisë shfaqin të tillë sjellje si një gjë rutinë.

“Pse duhet të bindemi ndaj ligjit kur liderët tanë dukshëm nuk e bëjnë këtë,” është një pyetje që e dëgjova së fundmi nga një kamerier dhe të jem i sinqertë, kjo është një pyetje e mirë.

Lidershipi nuk është për tu treguar njerëzve çfarë duhet të bëjnë. Duhet t’u tregojë çfarë të bëjnë. Të bëhen një shembull për tu pasuar nga të tjerët.

Për fat të keq, shpesh shembujt që jepen nga qeveria, politikanët, të fuqishmit, gardianët e ligjit dhe rendit, etj, janë të tilla që nuk e çojnë këtë vend drejt BE.

Nuk mund të fajësosh shqiptarët e thjeshtë se kanë marrë mesazhin e gabuar- ose se kanë ndjekur shembujt e këqij. Ajo që ne si ndërkombëtarë mund të themi dhe duhet ta themi, mendoj, është se të ndjekësh shembuj të tillë nuk e çon Shqipërinë askund. Kjo vetëm sa e izolon vendin në të shkuarën. Një e shkuar, të cilës Shqipëria duhej t’i kishte treguar derën që përpara 20 vitesh.

Kështu pra, një nga çështjet kryesore që duhet të luftohet nga Shqipëria për të rihyrë sërish në rrugën drejt BE është ajo që mund ta quajmë ‘problemi i sjelljes’.

Sigurisht nuk jam duke fajësuar të gjithë shqiptarët dhe popullin shqiptar si të tillë. Në eksperiencën time, shumica e shqiptarëve janë jashtëzakonisht të sjellshëm. Disa madje edhe kur janë pas timonit. Por mes jush ka mjaftueshëm elementë të papërgjegjshëm në të gjitha fushat e jetës që vërtet shkatërrojnë gjithçka për të gjithë të tjerët.

Për sa kohë ju pranoni që kjo minorancë të shkatërrojë atë për ju dhe pjesën tjetër të shoqërisë, ju jeni duke pranuar se perspektiva evropiane do vazhdojnë e do jetë një ëndërr e largët.

Sigurisht, një përgjegjësi speciale për ndryshimin e sjelljes qëndron tek elitat e fuqishme, për shkak se ato janë si një fanar ndriçues për shumëkënd. Për mirë e për keq, ata tregojnë drejtimin.

Megjithatë, kjo nuk duhet marrë si një kërkesë për ndjesë. Është një zgjedhje individuale për secilin dhe për çdo shqiptar se çfarë do pranojnë e ku do i çojë kjo. Dhe të jem i sinqertë: në këtë ditë dhe në epokën e internetit, është e pamundur të pretendosh injorancën.

Sjellja ‘unë i pari’ ka një kushëri: ‘vetëm unë’. Ndërsa sjellja ‘unë i pari’ mund të jetë një forcë shtytëse në shoqëri dhe një vlerë, ‘vetëm unë’ duket jashtëzakonisht destruktive.

Jam duke u përpjekur të gjej një metaforë me trafikun për këtë fenomen. Mendoj se të shkatërrosh ose të rirregullosh të gjithë rrugët dhe urat e ndërtuara nga lidershipi i mëparshëm, vetëm pse e kanë bërë këtë, do mjaftonte si një metaforë e çuditshme e kësaj forme ekstreme e sindromës “nuk është shpikur këtu”, që mbizotëron në politikën shqiptare.

Në këndvështrimin tim, mbi të gjitha sëmundjet e politikës shqiptare, kjo është ajo që po shkakton më shumë dëme në perspektivën e anëtarësimit në BE.

Për historinë e Shqipërisë gjatë këtyre 20 viteve duket se ripërsëritet historia e ndërtimit të kështjellës së Rozafës në Shkodër. Muret ndërtoheshin ditën për tu rrëzuar natën. Por ndryshe nga sa ndodhi në historinë e Rozafës, askush nuk duket i gatshëm për të bërë një sakrificë që muret të qëndrojnë.

Natyrisht që konkluzioni i pashmangshëm është që Europa do vendosë- në fakt ka vendosur se Shqipëria nuk është gati. Nuk është gati as për tu bërë kandidate për anëtarësim.

Lajmi i mirë është se sjelljet dhe zakonet mund të ndryshohen. Në parim: nga një moment në tjetrin. Është një çështje vullneti. Ndryshimi do vijë.

Nëse shqiptarët tregojnë vullnet dhe kurajo për të kërkuar ndryshim, mund të jetë hapi më i madh drejt anëtarësimit. Siç kam thënë në shumë raste, i mbetem fort besimit se zelli dhe prirja e shqiptarëve menjëherë do kujdeset për pjesën e mbetur.

Ndoshta politikanët kanë nisur të kuptojnë se çfarë është në lojë. Kam dëgjuar se vitet e fundit me ngërç politik do jenë thjesht histori. Nëse është e vërtetë, ky është një lajm i mirë. Mund të jetë një hap i parë i vogël, por sigurisht që udhëtimi nis me një hap të parë. Le të shpresojmë se politikanët do vazhdojnë të ecin. Së shpejti më pas të nisin vrapin.

Treni për Europë po niset. Shqiptarët duhet të jenë në të.

*Fjalimi i mbajtur në forumin e politikave “12 detyrat e Shqipërisë: Ku jemi sot ?”, organizuar Lëvizja Europiane në Shqipëri (EMA) në bashkëpunim me Friedrich Ebert Stiftung (FES)