Nëse më ndodh gjë mua apo familjes, e kam nga Berisha e Meta

0
78

Shekulli Online, 13.01.2011

TIRANË – I kontaktuar nga “Shekulli” pasditen e djeshme, deputeti Dritan Prifti ka shpjeguar se çfarë “fshihet” në pjesën tjetër të videos që Meta pretendon se është e prerë. Sipas Priftit, shkaku përse kjo pjesë e videos është prerë është thjesht teknik, pasi në ato momente zëri është shumë i ulët dhe është e pamundur që të dëgjohet se çfarë po bisedojnë dy personazhet.

Për aq sa mban mend ish-ministrit Prifti, në atë pjesë të videos diskutohet për emërime të tjera që Ilir Meta kërkonte që të bëheshin në administratën shtetërore. Në fillim të videos tregohet që ai mbante me vete një bllok ku kishte shënuar një nga një të gjitha porositë që kishte për ministrin Dritan Prifti.

Në pjesën e prerë ndodhen porositë e emërimeve. Në këtë pjesë është biseduar edhe në lidhje me prokurorinë dhe mundësinë që ajo të nisë hetimet për çështjen e koncesionit të hidrocentralit Egnatia-Shushica në lumin e Gostimës.

Meta i shpjegon Priftit që duhet të kenë kujdes që kjo bisedë të mos hapet shumë, pasi ndokush mund të flasë në prokurori. Burime të prokurorisë kanë pohuar dje se kanë marrë një kontakt paraprak me deputetin Dritan Prifti dhe se ai u ka pohuar që do të shkojë sot paradite për të dorëzuar materialet e çështjes. Bëhet fjalë për videon origjinale, të cilën ministri do ta dorëzojë zyrtarisht si provë.

Sot pritet që ai të japë edhe një dëshmi të shkurtër për të gjithë çështjen. Që nga momenti i transmetimit të videos, deputeti Dritan Prifti ka marrë disa kërcënime në telefon. Kërcënimet kanë ardhur përmes telefonatave të panjohura dhe mesazheve. Këto do të depozitohen në prokurori në cilësinë e provës. “Kam shpërndarë provat brenda dhe jashtë Shqipërisë në miq të besueshëm.

Nëse më ndodh gjë mua apo familjes, fajtor janë 2 persona: Sali Berisha dhe Ilir Meta. Berisha deri tani nuk ka motiv, kurse Meta është shprehur që është gati të marrë kallashin kundër meje.

Kriminelët ordinerë nuk kanë punë me mua, ata mund të veprojnë vetëm me urdhër politik. Fëmijët nuk dinë asgjë, sepse janë të vegjël dhe ne i mbajmë larg televizorit. Të mëdhenjtë janë të shqetësuar.

Kam menduar ta largoj familjen në SHBA për disa kohë, por me vjen keq t’i shkëpus fëmijët nga shkolla dhe shoqëria e tyre”, është shprehur Prifti në një intervistë për Shekullin, e cila mund të lexohet e plotë në “Shekulli Online”. Ish-ministri i Ekonomisë, Dritan Prifti, ka reaguar dje pas publikimit të video-skandalit duke pranuar vërtetësinë e tij.

Ai ka shpjeguar se koncesioni që kërkohet nga Ilir Meta është një favor për disa miqtë e tij. Ndërkohë, Prifti ka pohuar se videon në fjalë ia ka dhënë edhe kryeministrit Berisha, por ky i fundit nuk ka pranuar që ta shohë. Ai ka qenë në dijeni të këtij skandali, por nuk ka kryer asnjë veprim.

“Dua të konfirmoj si dëshmitar i ngjarjes se videoja e shfaqur në “Fiks Fare” është e saktë dhe përmban thënie origjinale të Ilir Metës në bisedën me mua. Video është shkurtuar nga versioni origjinal, duke u hequr pjesë të panevojshme, por të gjitha ato që janë transmetuar janë të vërteta.

Unë kam versionin origjinal të videos dhe do t’ia vë në dispozicion Prokurorisë. Origjinalitetin dhe vërtetësinë e asaj bisede do të kenë mundësi ta vërtetojnë të gjithë”, – tha dje Dritan Prifti.

Ai ka komentuar edhe deklaratën e Ilir Metës se i janë lexuar buzët, por nuk është dëgjuar zëri. Në lidhje me këtë pretendim, Prifti është shprehur: “Urdhri për anulimin e tenderit në “Albpetrol”, në mënyrë që tenderin tjetër ta fitonte miku i tij, Bekim Halilaj, është i qartë si kristali me figurë dhe me zë. E kristalte është videoja dhe jo Ilir Meta”.
Ndërkohë, Prifti ka dhënë dje edhe detaje për koncesionin që diskutohet në video dhe që Meta kërkon që t’i jepet mikut të tij, Gimit.

“Urdhri kërcënues për të dhënë një koncesion hidrocentrali bashkimit të firmave të udhëhequr nga vëllezërit Tola dhe pasuar nga miku tij Agim Rrapaj dhe ortaku i tij Fatmir Merkaj, janë të kristaltë në figurë dhe në zë.

Ai ngul këmbë, me figurë dhe me zë të kristaltë, që ata kanë fituar dhe se po të shkojë çështja në Gjykatë të Lartë, ata përsëri do të fitojnë, sepse ky ka mikeshë kryetaren e Gjykatës së Lartë. Ai me figurë dhe zë kristali telefonon Agim Rrapajn nga telefoni i tij dhe ma nxjerr mua në telefon. Ai ofron 7% si shpërblim”, – tha dje Dritan Prifti.

Ish-ministri shpjegoi se Meta ka pasur dijeni prej kohësh për ekzistencën e kësaj videoje. Madje, edhe kryeministri Berisha është informuar për këtë ngjarje që në momentin që ajo ka ndodhur. “I ofrova atij (Berishës) kopje të videos dhe ai nuk pranoi ta merrte dhe ta shihte. Shumë njerëz e kanë ditur brendinë e videos, por deri dje nuk e kishin parë”, – komentoi Prifti.

Ai i kërkoi publikisht kryeministrit Berisha që të reagojë dhe të shkarkojë Ilir Metën. “Loja me dorëzim imuniteti apo akuza kundër opozitës nuk pi ujë. Kërcënimi i Ilir Metës se do të bëjë Ministrinë shembull transparence duke me kërcënuar mua si ish-ministër, nuk me tremb aspak.

Jam mësuar me kërcënimet e Ilir Metës dhe të badigardëve të veshur me pushtet që i vijnë nga pas prej muajsh, duke trilluar, manipuluar dhe kërcënuar mua, familjen, fëmijët dhe miqtë”, – tha Prifti.

*********************************

Videoja e Korrupsionit

Biseda është realizuar më datë 1 mars të vitit 2010. Meta ka shkuar në zyrën e Priftit për të biseduar, ose e thënë më mirë, për të dhënë direktiva.

Në fillim të bisedës Meta nxjerr një bllok, ku mban të shënuar të gjitha llogaritë që duhet të kërkojë nga Prifti. Biseda është e tensionuar. Duket që marrëdhëniet mes dy zyrtarëve të LSI janë të acaruara. Meta komunikon me Priftin si një batakçi. Ky i fundit vetëm sa pohon.

Meta i kërkon në fillim të bisedës zgjidhjen e një çështje për llogari të një personi që quhet Tur Hajdari. Meta e kritikon madje ashpër Priftin se përse nuk u jep drejtim çështjeve. Me ton të prerë ai kërkon nga Prifti që të zgjidhë problemin e Turit.

Më poshtë Prifti ankohet se bëhet fjalë për një rast ku personi nuk ka as diplomë, por Meta i thotë se përse nuk kishte diplomë, ndaj ia kishte çuar atij.

Më pas zv/kryeministri shqiptar i kërkon Metës që të punësojë një mik të fakultetit si inspektor. Edhe kjo çështje mbyllet menjëherë pasi Prifti thotë se do e bëjë inspektor.

Meta i kërkon që të zgjidhë një çështje që lidhet me Albpetrolin dhe një person që quhet Bekim. Prifti thotë se mund të anullojë një marrëveshje dhe Meta e urdhëron që ta anullojë.

Muhabeti tensionohet dhe Meta i kërkon Priftit që të zgjidhë çështjen e një hidrocentrali për një person që quhet Gimi. Ky është dhe kulmi i bisedës. Priftit i kërkohet që të japë tenderin pa u zgjidhur disa probleme ligjore të kompanisë që do tenderin e hidrocentralit. Madje Meta angazhohet publikisht se do zgjidhë problemet ligjore, pasi thotë se e ka mirë muhabetin me kryetaren e Gjykatës së Lartë, të cilës i ka rregulluar vajzën në ambasadë. Meta thotë se Gimi ka premtuar edhe përqindje për marrjen e këtij tenderi. Meta përmend shifrën 700 mijë. Nisur nga niveli i lartë i korruptimit e tenderit, kuptohet që flitet për 700 mijë euro.

Në mes të bisedës, Meta e detyron Priftin që të flasë me Gimin dhe t’i garantojë atij që do zgjidhet gjithçka. Në bisedë del emri i doktorit, d.m.th kryeministrit, që brenda një jave, sipas Metës e Priftit, ka garantuar se do e kalojë dhënien e këtij hidrocentrali. Po ashtu në bisedë shfaqet frika e Metës nga prokuroria dhe mospërdorimi i emrit të tij.

Biseda mbyllet ftohtë ashtu siç nisi. Meta urdhëron me tone ushtarake që të mbyllet çështja e hidrocentralit. Prifti deklaron: Që sot.

Biseda e regjistruar mes Metës e Priftit

Meta – Çfarë thotë puna?
Prifti – Mirë.
Meta – Tani, të dërgova një mesazh, ma kishte dërguar Turi. Faleminderit për bashkëpunimin dhe punën tuaj, nr. e telefonit.
Prifti – Po jo mo, ia çova Kolit unë, e pyeta, e pyeta ku je.
Meta – Të mos …
Meta – Ke një zakon të keq që mendon se njerëzve mund t’u bësh edhe me nge, mua mu bë si presion, por është e kotë.
Prifti – … Ishte tek unë një ditë më përpara.
Meta – Ai tha ca gjëra që qëndrojnë. Ka ndonjë problem?
Prifti – Po jo, çfarë problemi të ketë?
Meta – Pse të bëhesh? E vë re që shpesh herë me njerëzit… çfarë të keqe ka?
Prifti – S’ka të keqe mor burrë. Ç’të keqe ka?!
Meta – Më mori Turi mua, jo më mori Turi, jo më tha kështu, jo më tha ashtu.
Prifti – Nuk ka diplomë, përveçse nuk ka diplomë, asnjë gjë tjetër…
Meta – Po përse ta solla unë? Unë mund ta kisha sjellë edhe pa emrin e atij apo jo? Mund të mos ia kisha vënë emrin fare dhe vari k…
Prifti – Po varja
Meta – Çfarë të keqe ka?
Prifti – Jo, të keqe nuk ka.
(Vjen sekretarja, shërben ujin)

Meta – I gjen një zgjidhje?
Prifti – Për kë?
Meta – Tur Hajdarin.
Prifti – Turin, ëhë.
Meta – Turi Hajdarin, e para.
Meta – E dyta, me Lushnjen, unë kam një që duhet ta bësh inspektor. Kam detyrim, që e kam pasur në shkollë, është marrë me LSI-në. Po qe se duhet bërë…
Prifti – Pa diskutim që do ta bëjmë.
Meta – E treta…
Prifti – Këtë me kontratë do ta vëmë?
Meta – Me letra.
Meta – E treta, me Albpetrolin çfarë do të bësh? Për Bekimin si do ta zgjidhësh?
Prifti – Do ta zgjidh, mos ki merak.
Meta – Zgjidhe pra.
Prifti – Ose ndoshta të bisedoj dhe një herë me ARMO-n, do ta anulloj të parën …
Meta – Po mirë, anulloje, pse s’e bën? Anulloje!
Meta – Gjeje!
Prifti – Po të flas dhe një herë me ARMO-n.
Meta – Po gjeje vetë. Po mos i zvarrit këto gjëra.
Meta – Tani për punën e hidrocentralit të Gimit.
Meta- Tani, nuk e di në çfarë forme do të hysh ti, o ku e di unë etj, etj
Meta – Ky Gimi më tha mua, ne mund të bëjmë diçka diku te 7%, nuk e di se çfarë bëre me atë të…
Prifti – Nëse ju mendoni…
Prifti – Këtu ka një problem.
Meta – Këtu nuk ka problem sepse ata e kanë fituar. Ata le ta ndjekin këtë çështje, nëse e fitojnë ata, ta marrin ata.
Meta – Ata e kanë fituar, le ta ndjekin këtë çështje.
Prifti – T’ua jap tenderin pa mbaruar punë ata?
Meta – Ajo është punë e mbaruar. Ata, po qe se e fitojnë ata të tjerët më vonë, le ta marrin ata.
Meta – Këtë problem e kam analizuar, e kam të…
Prifti – Unë di që në apel e kanë fituar apo jo?
Meta – E kanë fituar në apel.
Prifti – Këta e kanë humbur në shkallë të parë, e kanë fituar në të dytën. Tani është në Gjykatën e Lartë.
Meta – Absolutisht po, apeli është i formës së prerë, ti mund ta zbatosh, do ta çojnë më tej. Ata le ta çojnë, por prapë mbyllet, do të flas unë me Shpresën, i kam marrëdhëniet shumë mirë, i çova vajzën në ambasadë.
Prifti – Po u them çunave këtu.
Meta – Gimi më tha mua, nga ana ime 700.
Prifti – Të më çojnë një letër zyrtare, të më thonë Zoti Prifti, ne e kemi e fituar apelin, ky është vendimi, kështu që zotëri vazhdoni vendimin.
Meta – Alo, Gimi, si kalove, mirë? Jam këtu me zotin Dritan. Foli pak këtu Dritanit (ia kalon celularin Priftit).
Prifti – Po, çfarë bëre? Duhet të më dërgosh në protokoll ti mua një letër, një letër, jo ti, po ata që janë firmat, po nuk e kanë sjellë me protokoll.
Meta – Po le ta bëjnë prapë.
Prifti – Ta bëjnë prapë dhe t’i bashkëngjisin vendimin e apelit. Mirë? Dhe ma dërgo që sot. Po dërgoje me protokoll duke mu drejtuar mua si ministër.
Meta – Jo, jo, është … Probleme të ndryshme, por emri im dhe … prandaj them që duhet bërë.
Prifti – E mbyllëm atë muhabet.
Meta – Nuk kundërshtoj, nuk kundërshtoj.
Meta – Bisedova edhe me doktorin edhe për një javë do ta mbyllim. Kupton?
Prifti – Këtë e di.
Meta – Duhet me pas shume kujdes…se Prokuroria e hap … me pas në dy, tre veta pjesa tjetër, sa më pak.
Meta – Për këtë (hidrocentralin) mbaroje sot qe të jenë gati.
Prifti – Sot …
Meta – Janë gati.

——————-

Skandali ‘Meta’, cilët janë personat që përmenden në video

Shekulli Online, 12.01.2011

Legjenda

Data 01.03.2010

Ambienti
Zyra e ministrit të Energjisë Dritan Prifti

Personazhet kryesore

Dritan Prifti, ministër i Energjetikës, zv.kryetar i LSI-së
Ilir Meta, ministër i Jashtëm, zv.kryeministër, kryetar i LSI-së

Personat që përmenden në bisedë
Tur Hajdari, – një njeri që i ka dërguar SMS Metës dhe kërkon zgjidhje

Koli – Sokol Dervishi, sekretar i përgjithshëm i Metës në Ministrinë e Jashtme

Bekimi – Bekim H. Biznesmen i fushës së karburanteve. Jeton në Greqi

Gimi – Agim Rrapaj. Ish-funksionar i Ministrisë së Bujqësisë. I arrestuar dhe dënuar për korrupsion me projektin “2KR”. Sot biznesmen që kërkon të ndërtojë një hidrocentral në bashkëpunim me shtetasin Fatmir M.

Shpresa – Shpresa Beçaj, Kryetarja e Gjykatës së Lartë. Ilir Meta thotë që e ka në dorë se i ka emëruar vajzën në Austri, në Ambasadën Shumëkombëshe në OSBE

Doktori, kryeministri Sali Berisha

Kërcënohet Dritan Prifti

Në kohën kur emisioni “Fiks Fare” transmetonte videon ku Ilir Meta i kërkonte Dritan Priftit që të miratonte afera korruptive, në telefonin e Priftit kanë mbërritur disa mesazhe kërcënuese. i kontaktuar nga “Shekulli”, Dritan Prifti ka konfirmuar vërtetësinë e videos. Ndërkohë Prifti ka pohuar se menjëherë i kanë mbërritur edhe kërcënimet e para. Bëhet fjalë për sharje dhe kërcënime familjare.

Kush është personazhi Agim Rrapaj

Agim Rrapaj, personazhi, i cili i ka premtuar Ilir Metës 7% të investimit në një hidrocentral dhe 700 mijë euro të thata në dorë është një personazh i njohur për drejtësinë dhe publikun shqiptar. Ai është bërë i njohur për skandalin e grantit japonez ku ka shpërdorur fondet duke u ndërruar destinacionin.

Në atë kohë ministri i Bujqësisë Jemi Gjana u shpreh: “Mbrojtja e turpshme e Agim Rrapajt, se gjoja u sakrifikua duke mbrojtur interesat e fermerëve për furnizimin me naftë pa akcizë, është një mashtrim i paskrupullt”.

Ish-drejtori i zbatimit të projektit të financuar nga qeveria japoneze, “Rritja e Prodhimit Ushqimor 2KR”, Agim Rrapaj, është shkarkuar nga puna së bashku me 25 drejtorë të tjerë në strukturat qendrore e lokale të Ministrisë së Bujqësisë dhe Ushqimit, për abuzime të rënda miliona dollarëshe dhe arbitraritet në zbatimin e ligjit.

Agim Rrapaj, që ishte njëkohësisht dhe kryetar i Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar, është akuzuar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit për vjedhjen e 1 milion dollarëve të grantit japonez, duke i xhiruar ato për OJQ-në e vet private.

“Me një vendim plotësues të datës 6 maj 2005, qeveria ‘Nano’ ka lëshuar në dorë të Agim Rrapajt, përveç fondeve të ‘2KR’, edhe 280 milionë lekë kosto lokale për gjoja furnizimin me naftë të fermerëve. Në të vërtetë, fondet janë përdorur gjatë muajve maj, qershor e korrik në rrugë tërësisht abuzive dhe për qëllime elektorale”, – deklaronte në atë kohë ministri Jemin Gjana.