Nëse historia ndryshon gjithmonë pardon

0
40

Arjan Th. Kallço

Është titulli i një prej gazetave më në zë amerikane, The New York Times, që në debatin global mbi historinë, jo vetëm na jep panoramën e ngjarjve që lidhen me debatin, por edhe disa orientime të drejta rreth këndvështrimit të historisë, përfshi edhe historinë tonë. Kanë kaluar mbi dy dekada që kur filluan edhe tek ne që t’i hedhin një shikim edhe historisë, ose siç quhet shpesh, rishikim të saj. Të gjithë historianët kanë të drejtën e tyre që të hyjnë nëpër skutat e historisë sonë dhe të mund ta zhbirrojnë atë, nëse ia dalin mbanë, duke na dhënë përgjigje të drejta, përsëri nëse është e mundur, lidhur me vërtetësitë e ngjarjeve më të rëndësishme të Shqipërisë.

Por ndruhem se sado që të përpiqen të hedhin dritë mbi to, asnjëherë nuk do të arrijnë të na japin të gjithë të vërtetën, pasi e vërteta nuk fshihet në dokumentat e arkivave kombëtare, por në memorien kohore të brezave, që pas kaq vitesh, vështirë se mund të gjejë një përgjigje që kënaq të gjitha kërshëritë. E vërteta bazuar tek dokumentat është një version zyrtar i kohës, i mbrujtur thellësisht me anshmëri të theksuara interesash, bindjesh, këndvështrimesh. Thuhet se historinë e bën i fituari, prandaj që tek kjo thënie mund të zbulojmë karakterin relativ vërtetësisë së historisë.

Këtë vit, në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë sonë Kombëtare, përvjetor që duhet të na mbledhë të gjithëve rreth një sofre, në vend që të na ndajë, i propozova akademikut Italian, Emilio Benvenuto, që të shkruajmë disa artikuj që të lidhen me të gjithë këtë periudhë shekullore shqiptare, bazuar mbi faktet zyrtare që ai ka mbledhur gjatë jetës së tij të gjatë dhe shfletimit të shumë arkivave në Itali. Shpresojmë që të sjellim disa mendime, kurrë të vërteta të pakundërshtueshme, në lidhje me raportet mes Italisë dhe Shqipërisë, që kanë qënë gjithmonë të panadra, kjo edhe në shumë raste për fatin tone, pasi dihet fort mirë kontributi i arbëreshëve në këto raporte.

Një prej fakteve të para që më propozoi është edhe periudha në vitet 1920-1921 që lidhet me formën e ardhshme institucionale në vendin tone të kohës. Do të ndalemi pak më poshtë rreth kësaj çështjeje, pasi më parë do të sjell pjesë nga debate lidhur me historinë në dy prej vendeve që kanë bërë historinë e botës dhe sigurisht nënkuptohet edhe historia e një vendi të vogël si Shqipëria. A duhet riparë historia jonë? Si duhet riparë? Cilat janë kriteret e rishikimit të saj? Cilat momente të saj duhen riparë? – janë disa nga pyetjet që kanë vite që po bëhen.

Të mundurit e Luftës së Dytë, tash po kërkojnë ta rishikojë tërësisht atë, duke patur edhe ndonjë mbështetje nga qarqe të ndryshme antishqiptare në disa vende që dikur ishin fuqitë e mëdha. Një e shkuar që rizgjohet nga mendje të sëmura, nuk premton asgjë të mirë, për më tepër kur bëhet fjalë për vendin tonë, pasi në historinë tonë përplasen shumë interesa të vendeve, ato edhe përreth nesh. T’i hapësh ato arkiva, do të thotë të zgjosh edhe ato ndjenja të dikurshme dhe synime që për një periudhë të gjatë kohe, kjo është merita e viteve nga 1944-1990, mbetën të përgjumura. Do të duhet të rihapen të gjitha ngjarjet që nga fillimi i shekullit për të riparë ngjarjet dhe gërshetimin e tyre tek ne, si dhe ndikimin që ato kanë patur.

Historia e shkuar në ato vite, edhe sikur të ketë gabime, nuk mund të mos ketë, pasi nuk ka histori të kulluar, është një periudhë e mbyllur përfundimisht, pasi askush nuk mund ta çojë në bankën e të akuzuarve gjithë periudhën nga 1900 deri në vitin 1990, pasi edhe tellalët e sotëm, do të duhet të çojnë në atë bankë, prindërit dhe të afërmit e tyre më parë, sesa të tjerët. Thënies se, a nuk e bëjnë historinë fitimtarët, si do t’i përgjigjen ata? Debatet e kota rreth historisë sonë do të duhet të na çojnë në pyetjen e madhe se, historia jonë është 100% e jona apo është bërë gjithmonë nga të tjerët, duke qënë vend i vogël dhe pjesë e koalicioneve dhe konjukturave?

Kush kontrollon të shkuarën, kontrollon të ardhmen – tha G. Orwelli. Nuk befasohesh që atdheu i tij është bërë teatri i debayeve më të fundit mbi kuptimin e historisë dhe në mënyrën sesi duhet tua mësosh njerëzve. Në dy konferenca me tone tradicionale të qeta akademike akuzat ndoqën njëra – tjetrën për racizëm, thjeshtësim dhe injorancë të vërtetë. E gjithë kjo, ndërsa historianë nga më me autoritet të vendit i bëjnë thirrje Ministrit të Arsimit që të heqë dorë nga përpjekjet e tij për të reformuar mësimdhënien e lëndëve në shkolla. David Starkey, autor i shumë volumeve mbi Enrikun e VII dhe gratë e tij pohoi se shkolla duhet të përqëndrohet më shumë tek kultura e Britanisë së Madhe.

Komentit të një kolegu të vet mbi karakterin multietnik të vendit ai iu përgjegj: Jo, nuk është e vërtetë. Kultura e vendit është monokulturë dhe zona të mëdha të Anglisë janë padiskutim të bardha. Verën e kaluar pas protestave në vend ai deklaroi se popullsia e bardhë dhe e varfër ishte bërë e zezë dhe mes tyre është përhapur kultura e dhunshme, destruktive, nihiliste dhe e keqbërëse. Cannadine, profesor i historisë në Princeton, i shpjegoi Minsitrit se ata që ankohen për një krizë në mënyrën sesi u jepet historia të rinjve në shkolla, bazohet tek miti i një periudhe të artë, ku të rinjtë ishin në gjendje të thoshin emrat e të gjithë mbretërve dhe mbretëreshave të Anglisë.

Në një konferencë në Londër ku prezantoi librin e vet Tipi i duhur i historisë, Cannadine pohoi : ankimet për papërshtatshmërinë e mësimdhënies së historisë në shkollat angleze ekzistojnë qysh kur vetë ato filluan të flasin për historinë. Në Angli – theksoi autori – në ndryshim nga vendet e tjera të Europës, studentët mund të vendosin ta ndërpresin studimin e historisë në moshën 14 vjeçare. Por nëse qeveria dëshiron ta përmirësojë kuptimin e historisë, duhet ta imponojë mësimin e historisë deri në moshën 16 vjeçare. Historia që flet për ngjarjet e një vendi, shpesh konsiderohet një lëndë e diskutueshme.

Në Teksas komisioni shtetëror për Arsimin votoi që librat e shkollave në të gjithë shtetin duhet të fillojnë t’i paraqitin konservatorët në një dritë më të favorshme dhe t’i japin më emfazë rolit që luajti Kristianizmi në historinë amerikane. Në vitet ’80 në Gjermani palsi zënka midis historinëve kur Nolte, profesor në Universitetin e Lirë të Berlinit, botoi një artikull në të cilin e përshkruante Holokaustin një reagim ndaj frikës ndaj revolucionit rus. Po ashtu ai theksoi se gjermanët duhet t’i japin fund ndjesës për të shkuarën dhe bëmat e Hitlerit ishin të kuptueshme dhe deri në një farë pike edhe të justifikuara. Idetë e tij hapën një polemikë që zgjati disa vjet.

Evansi që deri atëherë ishte një historian i ri tek Universiteti East Anglia, mori pjesë në debat, duke vënë në pah afëritë midis opinionit të Noltes dhe atë të mbrojtura nga anisemitët si në Europë edhe në Amerikë. Debati aktual lindi në Angli në vitin 2010 kur Fergursoni, profesor në Harvard, foli në një festival letrar duke u ankuar për faktin se në Angli pjesa më e madhe e të rinjve nuk studion veç Enrikun e VII, Hitlerin, Luter Kingun. Ministri i Arsmit Gove e pyeti prof. Fergusonin se a do e lejonte Harvardi që të qëndronte për pak kohë në Angli që t’i ndihmonte që të hidhnin bazat e një programi historie më entuziazmues dhe të arritur?

Më vonë u reklutuan edhe Cannadine dhe Schama që të jepnin kontributin e tyre që të rinovonin programin kombëtar të historisë. Evansi që është prof. mbretëror i historisë në Kembrixh, iu versul të gjithë nismës, duke e akuzuar qeverinë se po imponon një lexim përkujtimor të historisë, se po i anashkalon ngjarjet më të errëta të kombit dhe po lë pasdore kontribuitin e njerëzve me ngjyrë në trashëgiminë e vendit. Rreziku – theksoi ai – është se do të operohet me një lloj thjeshtësimi krejtësisht injorant.

Historia duhet t’u mësojë një ndjenjë perspektive dhe proporcioni – thotë Cannadine – duke u ankuar se në debate është polarizuar përreth pozicioneve të paluajtshme: ajo e atyre që privilegjojnë rëndësinë e njohjes së fakteve në lidhje me kompetencat historike; e atyre që duan një tregimtari kombëtare me tone të madhërishëm, pavarësisht një versioni të së shkuarës që përfshin edhe momentet më pak fisnike dhe atyre që duan të përqëndrohen tek atdheu në të cilin jetojmë, sesa tek raportet tona me pjesën tjetër të botës. Ministri Gove e quajti të rrezikshme vullnetin e politikanëve që të imponohen tek programet kombëtare shkollore shumë prej pregjykimeve të tyre. Duhet të mësohet më shumë histori dhe të jemi më kërkues – theksoi ai.