Nëse gjykojmë Blushin, siç gjykon Blushi

0
44

– nga Mero Baze, 2 maj 2015

Ben Blushi, po hyn në javën e tretë të aksionit të tij politik kundër Kryeministrit Rama. Bilanci i parë që mund të bëjmë tani, është se ai ka konsumuar maksimumin e luftës politike kundër tij, duke bërë bashkë teza opozitare dhe pushtetare, të majta dhe të djathta, historike dhe aktuale, fetare dhe ateiste, urbane dhe provinciale, gjithçka që i ka dalë para atij dhe shqiptarëve këto 24 vjet dhe që të lë shije të keqe. Mirë ka bërë. Kur nisesh në një betejë të madhe me Kryeministrin, duhet të zbrazësh çdo bateri. Pas kalimit te kësaj faze, pra pas përceptimit se ky nuk u la gjë pa thënë, duhet një opozitë më e strukturuar kundër qeverisë.

Nga gjithë arsenali i sulmit që Blushi i bën Ramës, Blushi nuk e fsheh dëshirën e tij për të përdorur nostalgjikët e kohës së qeverisë Nano dhe për t’ia kundërvënë politikisht edhe elektoralisht shumicës së sotme të Ramës. Kjo ndjehet në dy pika. Në vlerësimet positive që bën për qeverinë Nano në raport me Ramën dhe në faktin që për të goditur Erion Veliajn si kandidat të PS-së në Tiranë, i kujton atij betejat kundër Nanos.

Sa i përket çështjes së parë, lodhet kot. Për të sulmuar sot qeverinë Rama ka plot argumente. Edi Rama ka ndërmarrë aksione të mëdha anti-popullore, siç është detyrimi që shqiptarët të paguajnë energjinë elektrike, që dhe Blushi e ka përmendur. Ka ndërmarrë një tjetër aksion anti-popullor, siç është fushata kundër ndërtimeve abusive dhe pa leje. Ka paguar borxhin publik, që qeveria Berisha ua kishte lënë klientëve të vet, duke çuar me vetëdije lekët në duart e njerëzve të Berishës, vetëm për të respektuar një standart shtetëror. Ka lënë shumë socialistë pa punë dhe vazhdon të jetë i padëgjueshëm në këtë pikë. Ka pafundësisht probleme të tilla, që vijnë nga përpjekjet e tij ndofta kaotike, për të zhdukur kaosin shtetëror në vend. Reforma të tilla kanë një çmin të rëndë antipopullor dhe ndofta Rama do ta paguajë. Pra Rama ka plot gjëra për të cilat mund ta sulmosh. I vetmi argument i dobët dhe i tejkaluar është krahasimi me qeverinë Nano.

Qeveria e Fatos Nanos, ku Ben Blushi ishte ministër, po ashtu i përfolur për korrupsion, u pagua me votat e shqiptarëve. Dhe Fatos Nano e ka pranuar atë humbje. Ai u bë symbol i një qeverie të korrutuar, edhe pse ndryshimi solli një tjetër kampion korrupsioni, që ndryshe nga Nano, edhe vrau për të vjedhur i biri i tij, edhe vrau për të qëndruar në pushtet vetë ai. Kundër Ramës bëhet betejë me ato që bën Rama, se me historinë, Blushi ka më shumë problem se Rama dhe nuk ia vlen të harxhojë energji, duke evokuar një të shkuar korruptive, për ta krahasuar me të sotmen.

Kurse në përpjekjen për të dëmtuar Erion Veliajn si kandidat të socialistëve në Tiranë, me shpresë se do të mobilizojë nostalgjikët e Fatos Nanos të votojnë kundër tij ose të abstenojnë, mund të ketë sukses, por nuk ka të drejtë. Madje kjo do të dëmtojë më shumë se çdo gjë kauzën opozitare të Blushit kundër Ramës.

“Mjaft” dhe Erion Veliaj u shfaqën në vitin 2003, si një lëvizje rinore anti-konformiste, që padyshim vunë në shënjestër qeverinë Nano, por po kaq egër edhe qeverinë Berisha pas saj. Nëse vlen diçka ajo lëvizje, vlen për atë që ka bërë, edhe pse Blushi e përjeton akoma si një arësye pse humbi qeveria, ku ai bënte pjesë. Por, kur nis një aksion politik si i Blushit, që qëllon me top qeverinë dhe kryeministrin dhe nuk e fsheh dëshirën që ajo duhet rrëzuar, është mirë të mos kthesh kokën pas e të shikosh se kush ka qëlluar me llastiqe qeverinë, ku ke bërë pjesë ti. Jo për gjë, por dëmton më shumë kauzën tënde sot, se atë që ka bërë dhjetë vjet më parë një grup të rinjsh simpatikë të Tiranës.

Ben Blushi mund ta dëmtojë Erion Veliajn, duke mobilizuar siç po bën nostagjikët e Fatos Nanos kundër tij dhe është në të drejtën e tij. Është po ashtu në të drejtën dhe dëshirën e tij, në luftën e tij për të rrëzuar nga pushteti Edi Ramën dhe mbështetësit e vet, ta bëjë. Është në të drejtën e tij, në betejën për të mos lënë Edi Ramën të qeverisë më, nëse mundet. Por, duket më shumë se fals, kur thotë pas kësaj, që ai dëshiron të fitojë Partia socialiste. Ajo mund të fitojë por ai nuk po flet për nevojën e një fitoreje, por për nevojën që këta të zhduken një orë e më parë.

Dhe kur Blushi është duke bërë këtë betejë në sytë e të gjithëvë, pas dy apo katër vjetësh këto që ai thotë kundër socialistëve do të duken jo si llastiqet e Erion Veliajt kundër Fatos Nanos, por si topi i Mato Grudës. Dhe unë jam dakord që Blushit të mos ia marrim për ters këto gjuajtjet me top, por Blushi i pari nuk duhet të qëllojë të tjerët nën brez, siç thotë ai, pse kanë hedhur gurë mbi çatinë e Fatos Nanos. Se me kriterin që Blushi vendos për Veliajn, Blushit i bie të quhet opozita e tre “B”-ve (Blushi-Berisha-Basha) nga dy “B” që janë formalisht.

Kjo shpresoj që nuk ndodh, por Blushi duhet t’i sulmojë kundërshtarët ballas, siç i ka hije një betejë me kundërshtarët e tu dhe jo duke thënë: “bëni siç them unë, por mos bëni si bëj unë!”.