• Jozefina? “Përse i thoni zonjë, zonjat nuk flasin ashtu. Kjo nuk është gjuha e zonjave, kjo është gjuha e rrugaçeve. Shikoni, ata që flasin me këtë gjuhë në Parlament nuk e kanë vendin në parlament”
Plarent Shehum, 20.04.2013
– Profesor Rexhep Qosja, një nga figurat më të shquara të jetës akademike dhe politike në Kosovë dhe Shqipëri, gjatë një intervistë si asnjëherë tjetër për gazetën ‘Shekulli’, ka dënuar deklaratat banale të Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, duke thënë se, “gjuha që përdor Topalli ndaj opozitës në Parlament është gjuha e rrugaçëve”. Për profesor Qosen ata që flasin me këtë gjuhë nuk e kanë vendin në Parlament dhe sipas tij nëse kjo do të ndodhte në një shtet tjetër do t’i kishin vënë fre gjuhës së saj.
Profesor Qosja, si i gjykoni konfliktet e fundit politike në Shqipëri?
Në bazën e këtij konflikti politik qëndron pangopshmëria pushtetore e kryetarit të qeverisë së Shqipërisë, Sali Berisha. Nuk i mjaftojnë 22 vjet në politikë, por do dhe vite të tjera deri sa të jetë gjallë. Do shumë të rrijë në pushtet, shumë më tepër. Nuk mendon se iu është mërzitur të gjithëve. Kryeministri dhe kreu i PD-së, Berisha, tashmë ka uzurpuar të gjitha institucionet si SHIK-u, Prokuroria, Gjykatat, Presidentin etj.
A mendoni se është cenuar demokracia në vend dhe liria e institucioneve?
Nuk ka lidhje me demokracinë ajo. Kushti i parë i demokracisë, faktorët e parë të saj janë ndarja e pushteteve, e para. Dhe e dyta, mediat e lira. As pushtetet e ndara në Shqipëri nuk janë të pavarura dhe as një numër i medieve nuk janë të lira. Janë të shantazhuara, janë të blera, i janë nënshtruar presioneve dhe janë të kërcënuara, siç ishte rasti i një TV-je kombëtare.
Në Komisioni Qendror të Zgjedhjeve, PD-ja dhe qeveria Berisha kanë krijuar me anë të votës në parlament një kaos sa i përket pavarësisë së këtij institucioni. Kemi një reagim të ambasadorëve si të BE-së dhe SHBA-ve, por edhe Baroneshës Ashton dhe Drejtorit të DASH-it, Moore. Cili është mendimi juaj për këto mesazhe në kambanën që i tundet qeverisë?
Ato janë një tregues që dëshmon se Berisha do të bëjë shumë përpjekje t’i falsifikojë zgjedhjet dhe t’i fitojë zgjedhjet në tryezë. Në shumë mënyra si, falsifikime, blerje, me kërcënime dhe shantazhe dhe me metoda të tjera që i ka dëshmuar deri më tani. Por, ruajna zot, Berisha mund të përdorë dhe mjete më të rrezikshme, në qoftë se do të shohë se do të humbë zgjedhjet.
Ndërkombëtarët kanë nxjerrë si konkluzion se ka një klimë konfliktualiteti kohët e fundit në politikën shqiptare, a mund të kalojë në ekstremizëm kjo qeveri, nëse humbet zgjedhjet dhe pushtetin?
Po mund të kalojë në ekstreme.
Në gjykimin tuaj, Profesor, çfarë i ka sjellë Shqipërisë qeverisja 8-vjeçare e Berishës?
Janë disa gjëra që deshi nuk deshi Berisha, disa gjëra u bënë. Disa gjëra t’i dikton pushteti vetë dhe për ato gjëra që bëri abuzoi me pushtetin.
Është folur dhe shkruar shpesh herë nëpër median shqiptare dhe atë të Kosovës, që kryeministri Berisha ka lidhje me serbët dhe klanet e tyre ekonomike. A keni ndonjë informacion ju z. Qosja mbi këtë çështje?
Jo, nuk kam informacione të tilla. Unë nuk merrem me çështje të tilla të sigurimit dhe nuk mund të kem kurrfarë informacioni, se ai ka qenë lidhë me grupe të caktuara të Sigurimit serb apo në lidhje me grupe të tjera.
A shikoni shpresë pas datës 23 qershor në Shqipëri, a do të ndryshojë politikbërja?
Unë di vetëm një gjë. Shqipëria ka nevojë jetësore, jetike, ekzistenciale, për ndërrim të pushtetit. Dhe ky ndërrim pushteti i sjell Shqipërisë shumë gjëra, shumë kontribute, veprime të dobishme dhe masa të nevojshme për zhvillimin e saj. Sepse po të fitojë i njëjti njeri pushtetin për Shqipërinë do të ishte katastrofë historike.
Sot (dje) kemi një fyerje të bërë nga Kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, zj. Jozefina Topalli, e cila iu ka thënë deputetëve të opozitës një shprehje shumë banale dhe jo të hijshme, “do shkoni për lesh”. Komenti juaj?
Përse i thoni zonjë, zonjat nuk flasin ashtu. Kjo nuk është gjuha e zonjave, kjo është gjuha e rrugaçeve. Shikoni, ata që flasin me këtë gjuhë në Parlament nuk e kanë vendin në parlament. Duhet të dëbohen prej parlamentit. Por, unë mendoj se një grua që flet në këtë mënyrë në Parlament, si flet në shtëpi dhe tek fqinjët e vet? A ka kush që t’i vejë fre kësaj gruaje që të mos flasë ashtu? Kudo, kudo ajo do të kishte fre dhe s`do të mund të fliste ashtu. E kur them fre, me këtë figurën fre nënkuptoj gjithçka.
Opozita dhe e majta e bashkuar ka deklaruar se do të jetë ajo fituese e zgjedhjeve pas datës 23 qershor, çfarë prisni ju nga kreu i PS-së, Edi Rama, si e shikoni ju si Kryeministër të Shqipërisë, a do tu sjellë shpresë shqiptarëve?
Edi Rama ka qenë Kryetari Bashkisë së Tiranës shumë i suksesshëm dhe një përvojë e ka në punët e qeverisjes. Por, të qeverisësh një qytet dhe të qeverisësh një shtet të tërë nuk është njësoj. Se a do ketë dhe si do të jetë Edi Rama, në qoftë se bëhet kryeministër, pritet ta shikojmë. Unë megjithatë besoj në gjykimin racional, të matur, të studiuar të Edi Ramës. Do të doja ta perceptoj si një prijës politik që shumë më tepër këshillohet e bashkëpunon, merr mendimet e bashkëpunëtorëve qoftë dhe të partive të tjera të koalicionit dhe jo vetëm të koalicionit.
Një koment nga ju për koalicionin mes PS-së, Edi Ramës dhe LSI-së, Ilir Metës. Sa shpresëdhënës dhe frytdhënës do të jetë ky koalicion?
E dija që ai koalicion do të ketë disa reagime për shkak të së kaluarës të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Metës, që shumë lehtë hyri në koalicion para katër vjetësh me Sali Berishën dhe i bëri dëm Shqipërisë. Por, megjithatë, unë këtë koalicion mes Ilir Metës dhe Edi Ramës, por dhe partive të tjera që janë në këtë koalicion, e quaj të nevojshëm, të domosdoshëm dhe padyshim të suksesshëm.
A keni një mesazh për shqiptarët në prag të zgjedhjeve të 23 qershorit z. Qosja?
Shkoni në votime. Shkoni në votime sa më shumë. Mos të pranojnë dhe pajtohen me asnjë përpjekje që mund të bëjë qeveria për të falsifikuar votat dhe të mendojnë që me votën e tyre do të ndryshojnë fatin e Shqipërisë dhe jetën e tyre, mirëqenien e tyre dhe fëmijëve të tyre si dhe për ardhmërinë e Shqipërisë. Vota e tyre përcakton shumë vitet e ardhshme të Shqipërisë. Do jenë vite pozitive apo do të jenë vite që do t’i kalojnë në këtë gramatikë urrejtjesh dhe të mashtrimeve që po karakterizon politikën e Sali Berishës.
Si i gjykoni deklaratat nacionaliste të Berishës dhe reagimet e menjëhershme të BE-së dhe SHBA-ve?
Kiç politik, retorikë nacionaliste që nuk ka kurrfarë vlere, madje as vlerë logjike dhe estetike. Është një kiç politik që vetëm i bën dëm shqiptarëve. Edhe atdhetarizmi duhet të ketë shumë mend.
Sa punë i kanë prishur integrimit të Kosovës në BE deklaratat nacionaliste të Berishës?
I kanë prishur punë, kanë shtuar një mosbesim ndër shqiptarët. Sigurisht që ndërkombëtarët i forcojnë disa kërkesa ndaj Kosovës, por ata kanë vërejtur se megjithatë në Kosovë janë më të kujdesshëm në këtë pikëpamje, sepse ka një përvojë të gjatë dhe të hidhur në këtë fushë.
Profesor Qosja, si është më mirë, dy vota të shqiptarëve në Parlamentin Evropian apo një votë?
Jo. Më mirë është një votë për një shtet të bashkuar shqiptar, të bashkuar mes Shqipërisë shtetërore dhe Kosovës.