NDOC SHABEN
Ishte 15 gushti i vitit 1989 kur Nënë Tereza vuri këmbë për herë të parë në tokën shqiptare, ku pushojnë eshtrat e nënës së saj të dashur, Drandes, dhe të së motrës, Age Bojaxhiut. Për të qe një përvojë shokuese. Donte me çdo kusht që të dërgonte motra atje. Tri javë më pas ajo pati një atak të rëndë zemre në Kalkutë dhe qe shtruar në spital, ku i bëra vizitë dhe celebrova Meshën e Shenjtë në dhomën e saj të spitalit. Kur po bëhesha gati të largohesha, më mori dorën e më tha:
“Lute Zojën t’i thojë Jezusit që të ndihet mirë Nëna, që Nëna të mund të çojë Birin e Saj në Shqipëri”.
Ishte vërtet e vështirë për mua të përsërisja fjalët e saj ekzaktësisht. Kështu që jam munduar t’i fiksoj në kujtesë. Ajo donte që të gjithë të luteshin për këtë qëllim special. Më është dukur si një nënë në mundimet për të nxjerrë në dritë një fëmijë: Nënë Tereza po i jepte jetë një Shqipërie të re, të rilindur në emrin e Jezusit.
Pasi pati dalë nga spitali, në pranverën që pasoi, erdhi në Romë dhe u përpoq sërish të shkonte në Shqipëri, por çasti i saj ende nuk kishte mbërritur. Kur ky çast, më në fund, erdhi, hapi menjëherë dy shtëpi në Tiranë, në kryeqytet, një në portin detar të Durrësit, një në Elbasan, qendra gjeografike e vendit dhe një të pestë në Shkodër, në veriun katolik; pesë, si pesë misteret e Rruzares.
Shqipëria ka një popullsi të përgjithshme prej rreth 3 milionë banorësh. Duke qenë me kushtetutë një shtet ateist, jo vetëm që kishte rënë në një gjendje të mjerueshmë materiale, por edhe në një varfëri edhe më të rëndë shpirtërore. Në vitet ‘60 diktatori Enver Hoxha kishte urdhëruar sekuestrimin e të gjitha pasurive të Instituticioneve Katolike e të Kishës, të cilat qenë shndërruar në pallate sporti, depo armësh e gjëra të tjera të këtij lloji. Në marsin e vitit 1967 u qe ndaluar të gjithëve të përmendnin emrin e Zotit, të flisnin për Të apo t’i luteshin Atij. Meshtarët qenë arrestuar, shumë prej tyre qenë pushkatuar apo burgosur, ku qenë dënuar të bënin punë të rënda. Institucionet fetare dhe shërbesat publike qenë ndaluar me ligj.
E ëma dhe motra e Nënë Terezës kishin jetuar gjatë viteve të para të regjimit komunist ushtarak dhe vdiqën në heshtje. Shumë katolikë e dhanë jetën e tyre në altarin e martirizimit. Disa kishin arritur të iknin në Itali apo në vendet përreth. Diktatori djallëzisht e kishte izoluar krejtësisht Shqipërinë nga pjesa tjetër e botës, duke i bërë shqiptarët të besojnë se vendi i tyre ishte më i miri i tokës dhe ata – populli më i lumtur. Ky tip komunist larjeje truri vazhdoi deri në vdekjen e Enver Hoxhës në vitin 1985.
Kur vendi ndërroi sistem në dyvjeçarin 1989-1990, qenë 23 meshtarë të mbijetuar nga ky ferr. Praktikisht të gjithë ishin rreth gjashtëdhjetë apo shtatëdhjetëvjeçarë dhe formimi i tyre teologjik ishte i para Konçilit II të Vatikanit. Meqë kishin qenë krejtësisht të izoluar nga pjesa tjetër e botës, nuk e kishin idenë për ndryshimet që kishin ndodhur dhe as që dinin gjë për reformën e re liturgjike. Librat, rrobat ceremoniale dhe të gjithë materialet e tjera jo vetëm që nuk i kishin, por as që i njihnin.
Nënë Tereza çoi katër Motra në Shqipëri dhe hapi shtëpinë e parë në Tiranë me 2 mars 1991, por i mungonin meshtarët. Telefonoi nga Tirana aty nga fundi i korrikut të vitit 1991 duke kërkuar që njëri prej meshtarëve tanë të shkonte atje për të ndihmuar të varfërit dhe Motrat në nevojat e tyre shpirtërore. Isha në Amerikë ato ditë dhe prej atje i telefonova në Tiranë. Ajo kërkoi sërish që të dërgoja Vëlla Piet-in në Shqipëri. Por unë i thashë: “Nënë, janë 23 meshtarë shqiptarë atje!”.
“Po”, më tha ajo, “por janë pleq dhe të paazhurnuar!”.
Vëlla Piet-i shkoi në Tiranë më 31 korrik 1991. Që nga qershori po shqyrtonim mundësinë e hapjes së një shtëpie të dytë në ndonjë vend jashtë Romës. Në fakt, dy prej nesh kishin shkuar për të takuar Kardinalin e Napolit, i cili kishte qenë gati të na jepte një vend të mirë. Tani Shqipëria dukej vendi më i përshtatshëm për të shkuar. Kur njëri prej bashkëpunëtorëve tanë, doktor Xhankarlo Veluti, u çoi disa materiale Motrave në Shqipëri, me traget nga Bari në Tivar të Jugosllavisë (sot Mali i Zi), dy prej Vëllezërve tanë shkuan me të. Ishte 8 gushti i vitit 1991.
Hymë prej njërës nga pikat kufitare të veriut, Hotit. Përshtypja e parë qe vërtet shokuese. Ishte e pabesueshme. U bëmë vizitë Motrave tona në Shkodër, të cilat na dhanë një mirëseardhje të përzemërt e të gëzuar. Pas një pushimi prej rreth dy orësh, vazhduam udhëtimin drejt Tiranës. Nuk kisha parë kurrë ndonjë vend të katandisur në një mjerim të tillë. Ka njerëz vërtet të varfër në vendet e ashtuquajtura të botës së tretë, por atje, kush ka parà, gjithsesi mund të blejë atë çfarë dëshiron. Këtu nuk kishte dyqane: nuk ekzistonte mundësia as për të blerë një shishe ujë përgjatë gjithë rrugës kryesore që të çonte në Tiranë.
Pas disa ditësh, doktor Xhankarloja dhe unë u kthyem në Romë, që të mund të bëja përgatitjet për tërheqjen shpirtërore të përvitshme. Lamë Vëllezërit që na kishin shoqëruar me Vëlla Piet-in, por edhe ata më pas erdhën në Romë për të marrë pjesë në tërheqjen shpirtërore.
Kur tërheqja mbaroi, dy prej nesh, me një prej vullnetarëve tanë, u nisën sërish për të kërkuar një shtëpi për Kongregatën tonë. Linja e tragetit Bari-Durrës ende nuk funksiononte, kështu që morëm rrugën e mëparshme dhe mbërritëm në Shkodër më 5 shtator të vitit 1991. Të nesërmen qemë çuar nga Dom Luigj Kçira në fshatin e Bushatit, 15 km. më në jug, gjatë rrugës për në Tiranë. Katolikët e Bushatit këmbëngulnin që të vendosnim aty bashkësinë tonë. Gjithë ajo që kërkonin prej nesh ishte që të celebronim Meshën e Shenjtë të dielave. Kështu, të dielën e 8 shtatorit 1991, celebruam të parën Meshë të Shenjtë në Bushat (e para e Vëllezërve, sepse të parën Meshë të Shenjtë, pas rënies së komunizmit, e ka celebruar Atë Anton Luli S.I., më 25 nëntor 1990. shën. i red.). Javën që pasoi të tjerë Vëllezër mbërritën nga Roma dhe përuruam zyrtarisht bashkësinë më 14 shtator 1991, festën e Lartësimit të Kryqit. Kishte shumë punë për të bërë, qoftë brenda shtëpisë, qoftë edhe jashtë. Me të parë varfërinë e tejskajshme të njerëzve, filluam të përqendrohemi më shumë në sigurimin e ndihmave materiale, edhe pse asnjëri prej nesh nuk e njihte fare gjuhën shqipe. Vitin që pasoi ndërmorëm ndërtimin e një kishe pranë shtëpisë sonë dhe kjo qe shuguruar në janar të vitit 1993 nga Arqipeshkvi Ivan Dias, Nunci Apostolik për Shqipërinë. Na tha se kjo ishte kisha e parë e re që ndërtohej e shugurohej që nga rënia e regjimit komunist. Ua bëri të qartë njerëzve që edhe nëse kisha mund të përdorej si kishë famullitare përkohësisht, ata më vonë mund të ndërtonin një tjetër të tyren. Qe një ditë gëzimi të madh.
Që në fillim të misionit tonë, qenë ndërmarrë shumë udhëtime aventureske me kamionë e furgonë, duke çuar çdo lloj ndihme. Shumë fshatra ishin nën përkujdesjen tonë. Fëmijët katolikë, por edhe popullsia katolike në përgjithësi, kishin nevojë për një formim të mirëfilltë katekistik.
Edhe pse Nënë Tereza erdhi në Shkodër ditën e vizitës apostolike të Atit të Shenjtë, kur qenë shuguruar katër ipeshkvinj të rinj për Shqipërinë, më 25 prill 1993, ajo u mjaftua të na përshëndeste nga jashtë shtëpisë sonë, sepse duhej të ishte në Tiranë për të marrë pjesë në ceremoninë e lamtumirës për Atin e Shenjtë. Megjithatë premtoi të kthehej në gusht dhe në fakt kështu bëri, me 8 gusht 1993. Për atë ditë kishim marrë përgjegjësinë e presbiterit (shtëpisë famullitare) dhe të kishës në një fshat tjetër të quajtur Kukël, rreth 10 km. në jug të Bushatit. Nënë Tereza kërkoi që të vizitonte edhe Kuklin, ku rishtaria jonë sapo kishte nisur. Në Kukël kishim rindërtuar edhe kishën, që ende sot vazhdon të përdoret si kishë famullitare.
Që kur kemi nisur misionin tonë, kanë ndodhur shumë gjëra dhe më se njëherë jeta jonë është vënë në rrezik. Me 26 gusht 1997, ditën e përvjetorit të 87-të e të fundit të datëlindjes së saj mbi tokë të Nënë Terezës, njëzetegjashtë prej nesh ishin në tërheqje shpirtërore në Bushat. Ishte mesditë. Mesha e Shenjtë sapo kishte mbaruar, kur papritmas një djalosh rreth 25 vjeç hyri në kishë me automatik në dorë dhe me dy granata të vëna në rripin e mesit, që binin mirë në sy. Mbetëm pa fjalë, të tronditur. Ndihma jonë e vetme ishte Zoti, që është përherë kur e kërkojmë. Ai na erdhi në ndihmë dhe, në njëfarë mënyre, shpëtuam. I qofshim falë Zotit.
Kjo dramë mbaroi pas nja një ore dhe ne vazhduan tërheqjen shpirtërore. Pas incidentit mora Kalkutën për t’i bërë urimet e datëlindjes Nënë Terezës, pa i treguar për sa kishte ndodhur pak minuta më parë dhe se si kishim shpëtuar. Kjo qe biseda ime e fundit me të. Më se një herë kam provuar incidente të tilla si ky që përshkrova pak më sipër. Kemi jetuar në mes të të shtënave dhe vrasjeve. Ende nuk ka asnjë siguri se jetët tona janë të sigurta.
Njëri nga Vëllezërit tanë, Vëlla Martini nga Gana, vdiq nga një atak në zemër në Bushat dhe është varrosur në Kukël. U kthye në shtëpinë e Atit më 27 maj 1996, në moshën 39 vjeçare.
Puna jonë në Shqipëri është e përqendruar kryesisht në misionin e lutjes së vazhdueshme, pendese të pandërprerë, katekizmi dhe ndihme shpirtërore e baritore, si edhe në shpërndarjen e ndihmave materiale, kryesisht vetëm për pak njerëz vërtet të varfër.