– Cikel nga libri “Lulet e shpirtit”, (poezi haiku) –
Nga ZEF MULAJ, Itali
***
E kam pritur pranverën,
Me bukuritë e saj dehem.
Udhëve të Malësisë sime.
***
Një emër i ri përjetshëm,
Në të gjitha qelizat e reja.
Dashuria e parë e bardhë.
***
Maja e Hekurave
Hijon fshatin tim.
Nën rrathët e lisit.
***
I ri në shpirt dhe zemër,
Duke ecur ende solid.
Frymëmarrje afër meje.
***
Brohoritja pa pushim,
Me gishta shenjëzën.
Shiu zbutë hapësirat.
***
Retë pikojnë përjetimet,
Të ardhura nga planetët.
Turma emigrantësh vijnë.
***
Mbret të heshtjeve s’ka,
Pabesia në kohë prishet.
Malësori mbëlton lule.
***
Pamje e fshatit Mulaj, të Nikaj-mërturit, Tropojë
(sot, pa asnje banor të gjallë!).Në rrjedhjet e kohëve,
Trëndafila bore të bardhë.
Akullnaja shpirtërore.
***
Nëpër dyer trokitje të vona
Zgjojnë heshtjen e dhimbjes.
Ceremonia vazhdon prapë.
***
Në ditarin e kohës tjetër
Ngjyra e kuqe shigjetë zbret.
Në buzën e ëmbël të nuses.
***
Flakadanë të ndezur atje,
Ndriçojnë horizonteve.
Flaka e freskon shpirtin.
***
Kohë dhe erë e hazdisur
Ndritë në zemra dashurie.
Filiza të reja në kopshte.
***
Udhëtari i bjeshkës me kujdes.
Vallet koreografohen ngadalë.
Mbi det varka valën përkëdhel.
***
Buzëqeshja e Dardhës së Hasit
Më buzëqeshi plot me bukuri.
Shqiponja zbriti nga Shkëlzeni.
***
Qielli u kthjellua nga retë,
Zëri i bilbilit sa fort jehon.
Dashuria shfaqet në shesh.
***
Në Lugjet e Verdha hapë krahë,
Bukuria rritet për ditë me hov.
Vashës i vlon dashuria në gji.
***
Natyra është mbretëreshë
E shpirtit tim këtu larg që rri.
Puthje nga Malësia më çon.
***
Shikimet më mbushën me afsh,
Rreze shpresash më përqafojnë.
Prej vendlindjes sime deri këtu.
***
Në fytyrën e mallëngjimit,
Portreti i dhimbjes më merr.
Peng të këtij shekulli të ri.
***
Dy kokat e shqiponjës,
Simbol i yni në flamur.
Rudinat freskohen prore.
***
Në çdo cep të Globit
Ajo shtrinë shikimet.
Erë e tokës e ringjallë.
***
Kufinjtë i anuloi moti i ri.
Rreze lulesh në Malësi.
Gjerdan i arit në agshol.
***
Shqipëria mbushur plot
Frymë të lirë, pa pengesa.
Krenaria ime, në zemër.
—————-