Nga Besnik Gjongecaj
Kuvendi i fundit i PD “varrosi” plotësisht shanset për një reformim thelbësor të partisë, sepse praktikisht pranoi që kjo parti në të ardhmen, ashtu si në të shkuarën e afërt të saj, nuk do të funksionojë mbi bazë të atyre parimeve demokratike që kanë vlera universale, madje, pranoi, pa e ekzagjeruar aspak, që edhe statuti është i panevojshëm për të rregulluar jetën e saj. Mjafton një duartrokitje për të zgjedhur kryetarin e partisë, siç ndodh edhe në parti të tjera europiane, tha një nënkryetar i PD, duke harruar që duartrokitjet në partitë popullore europiane vijnë pasi është siguruar liria e atyre që duartrokasin dhe ata që duartrokasin nuk kanë frikë se humbin vendin e punës po nuk duartrokitën, që duartrokitjet vijnë pasi është dëgjuar me vëmendje vullneti politik i atyre që duartrokasin, që duartrokitjet vijnë pasi ata që duartrokasin e dinë mirë se si do ta përdorë pushtetin ai që duartrokitet, që duartrokitjet vijnë pasi ata që duartrokasin e dinë mirë që ai që duartrokitet ka integritetin për t’u larguar nga posti i tij me lehtësinë më të madhe menjëherë sapo e kupton që diçka nuk shkon me partinë apo me qeverisjen e vendit, madje edhe jo drejtpërdrejt për shkak të tij.
Statuti ekzistues së bashku me ndryshimet formale të bëra iu shpërnda anëtarëve të Kuvendit tamam para fillimit të tij, dhe pa mundur ta lexojnë atë, ata e miratuan hapur, njëzëri, po atë ditë. Asnjë diskutim, asnjë vërejtje, asnjë propozim, madje asnjë pyetje lidhur me atë që a angazhohen këtë radhë autoritetet e partisë për ta zbatuar statutin, meqë nuk kanë lënë pjesë të tij pa shkelur në të shkuarën. Asnjë nga pjesëmarrësit në Kuvend nuk u bë kurioz të dinte se pse nuk duhet të aplikojmë parimin një anëtar një votë në zgjedhjen e autoriteteve të partisë, pse nuk duhet të ketë fraksione në parti, pse nuk duhet të ketë ndarje postesh kur partia qeveris, a ka ardhur koha të shohim jo vetëm numrin e anëtarëve por edhe cilësinë e anëtarësisë, veçanërisht të të zgjedhurve, pra, që të zgjedhurit të mos kenë patur lidhje me nomenklaturën puniste dhe ish sigurimin e shtetit, apo të mos jenë të përzjerë sot në çështje korrupsioni. Gjasme miratimi i gjasme statutit në Kuvend ishte si përcjellje e një demokracie që ka marrë fund, ku edhe duartrokitjet e prodhuara nga duar të akullta ngjanin me zhurrmën e gjetheve të thara tek shtypen nga shuajt e këpucëve në një procesion të përzishëm.
* * *
Kuvendi i PD nuk mori në shqyrtim mundësinë e sendërtimit në statutin e partisë të disa prej parimeve me vlerë universale në organizimin e çdo partie demokratike. Kjo ndodh në kohën kur PD ka nevojë më shumë se kurrë në ekzistencën e saj 19 vjeçare për ta kryer këtë, kur PD ka nevojë më shumë se çdo herë tjetër për një ndryshim thelbësor, demokratik, mungesa e të cilit po e çon këtë parti drejt një denatyrimi të plotë. Garantimi i mendimit të lirë në parti, pra, institucionalizimi i mendimit ndryshe, ose siç thuhet rëndom, legalizimi i fraksioneve brenda partisë, do të mund të ishte mjeti më i mirë për të balancuar pushtetin në një parti ku ai vazhdon të akumulohet në duart e kryetarit të saj. Fraksioni do të krijonte një pol të kundërt pushteti politik ndaj polit stërmadh të pushtetit të akumuluar në duart e kryetarit të partisë, çka do të krijonte automatikisht edhe mjetet për ta kontrolluar mënyrën e përdorimit të tij.
Zbatimi i parimit një anëtar një votë do të krijonte mundësinë, parasëgjithash, në pjesëmarrjen e çdo anëtari të komunitetit të demokratëve në Shqipëri për të zgjedhur autoritetin kryesor të partisë, te i cili ata do të shohin jo vetëm mundësinë e fitores, por në radhë të parë njeriun simbol të demokracisë që shpresojnë të kenë, çka do të siguronte edhe një qarkullim normal të autoriteteve partiake. E aplikuar për çdo nivel partiak, e aplikuar njësoj për strukturat dhe autoritetet e partisë, ky parim do të siguronte një bazë të shëndoshë popullore për vetë partinë, çka do të rriste mjaft qëndrueshmërinë e saj jo vetëm në kohë të qeta, por edhe në kohë konfliktesh dhe krizash, si ajo e sotmja, madje edhe më të rënda. Prandaj, kam qenë gjithmonë i bindur se nëqoftëse do të kishim aplikuar këtë parim në vitin 96, pra, nëse do të kishim aplikuar zgjedhjen direkte dhe jo emërimet në parti, goditja e një viti më vonë nuk do ta rrëzonte, nuk do ta shkërmoqte PD, ashtu sikundër në fakt edhe ndodhi.
Për shkak të kushteve në të cilat ndodhet Shqipëria, në statutin e PD detyrimisht duhet të sendërtoheshin edhe dy parime të tjera: e para, garantimi i rehabilitimit shumëdimensional të të përndjekurve politikë dhe garantimi i kthimit të pronës te i zoti apo i formave të drejtpërdrejta të dëmshpërblimit. PD nuk do të arrijë kurrë të ngrihet në nivelin e misionit të saj, ashtu sikundër nuk është ngritur deri tani, nëse nuk do të rehabilitojë të persekutuarit politikë, dhe nuk do të mundë asnjëherë të institucionalizojë ekonominë e tregut në Shqipëri, nëse nuk nxjerr pronën në treg, pra, nëse nuk i përcakton asaj pronarin e vërtetë dhe legjitim.
Sot është gjithashtu koha që më në fund PD të kuptojë se ajo që po e mban peng, të pareformuar, nuk është gjë tjetër vetëm se lidhjet e saj me të shkuarën, të cilat nuk janë vetëm të natyrës së origjinës së disa prej drejtuesve apo aleatëve të saj, por edhe për shkak të mentalitetit punist të trashëguar, madje kjo e fundit është në fakt edhe shkaku më i thellë që shpjegon mungesën e reformimit të PD dhe prapambetjen alarmante të saj. Prandaj, ishte koha që në këtë Kuvend të sendërtoheshin tri karakteristika esenciale, të natyrës parimore, veçanërisht të të zgjedhurve të PD, pra, që këta të fundit të mos kenë pasur lidhje me ish nomenklaturën puniste, të mos kenë qenë në shërbim të ish sigurimit famëkeq, ashtu sikundër të mos jenë të përzierë sot në çështje korrupsioni. Askush nuk duhet të mendojë se këtu kemi të bëjmë me një distancë kohe aq të madhe sa ndikimi konkret i së shkuarës te njerëzit e sotëm apo te realiteti i sotëm politik të jetë i papërfillshëm.
Shpesh, çështja nëse është akoma e kohës të diskutosh apo jo për ndikimin e së shkuarës puniste të këtij vendi te politika e sotme, pra edhe te PD dhe krerët e saj, shndërrohet në një debat qesharak, sepse mbushet me një numër pambarim dëshmish të veprimeve të kryera në dhjetorin e vitit 90, të cilat shpesh janë pa përmbajtje sepse nuk thonë asgjë, ashtu sikundër shpesh vihen përballë kundërthënieve që i mohojnë ato, apo vice versa. Gjithsesi, pjesa serioze e këtij debati lidhet me origjinën e lëvizjes demokratike, me natyrën e saj, nëse ajo ka qenë produkt i vetë sistemit, i njerëzve të “paguar” prej tij, apo produkt i personaliteteve që e kishin luftuar punizmin gjatë jetës së tyre, ose të paktën, nuk i kishin shërbyer atij.
Në fakt, te e vërteta mund të shkohet më thjesht, duke analizuar jo veprimet dhe kundërveprimet e asaj kohe, pra jo atë që është në origjinë të lëvizjes demokratike, por efektet e saj, efektet e politikanëve që dolën nga ajo lëvizje, mbi shoqërinë dhe politikën e sotme. Është njësoj si në fizikë: për të kuptuar thelbin e padukshëm të një trupi mjafton të njohësh disa atribute të dukshme të tij. Fakti që ende në qeverisjen e sotme ruhen të paprekura ato metoda, ato raporte, që sundonin në qeverisjen puniste të totalitarizmit, tregon që fatkeqësisht ende duhet të merremi me të shkuarën dhe të ndërtojmë rregulla që do të mund të ndalonin ndikimin e mëtejshëm të saj në ditët e sotme. Këtu qëndron edhe vlera e garantimit me statut, që në nivelet drejtuese të mos ketë më njerëz që bartin fajin dhe mentalitetin e së shkuarës.
Nga ana tjetër, garantimi i ndarjes së posteve kur partia vjen në pushtet, në fakt, veçanërisht për kushtet në të cilat ndodhet shoqëria shqiptare dhe aq më shumë, për shkak të kushteve në të cilat ndodhet PD, do të ishte thelbësore në reformimin real të kësaj partie dhe akoma më shumë, në përmirësimin po kaq thelbësor të qeverisjes së vendit. Unë nuk besoj që ka njeri sot në Shqipëri që nuk e kupton se burimi i të gjithë prapambetjes së shoqërisë shqiptare qëndron në mospjesëmarrjen e qytetarëve në qeverisjen e vendit dhe mospjesëmarrja në qeverisjen e vendit vjen për shkak të përqendrimit të pushtetit në duart e disa njerëzve. Ndarja e posteve vetëm se do ta dobësonte procesin e akumulimit të pushtetit dhe e kombinuar me garantimin e parimit të institucionalizimit të mendimit ndryshe, pra të garantimit të fraksioneve, do të krijonte një balancim të pushtetit brenda partisë, midis partisë dhe qeverisjes së saj, si dhe automatikisht do të krijonte edhe mekanizmat e nevojshme të kontrollit të mënyrës se si ky pushtet politik përdoret nga autoritetet e partisë dhe të qeverisjes së saj.
* * *
Shkelja e statutit nga krerët e PD në çdo pjesë të rëndësishme të tij ishte në fakt paralajmërimi më i drejtpërdrejtë se ata nuk do të lejonin të kishte asnjë hapësirë për parimet më të rëndësishme të organizimit demokratik të PD në gjasme statutin e ri. Shkelja e tij, gjithsesi, tregonte edhe më shumë se kaq. Në mënyrë të kobshme është paralajmëruar vazhdimisht më parë, dhe tani së fundi u paralajmërua edhe me heshtjen në Kuvendin e PD, se krerët e PD nuk bëjnë publike rregullat që zbatojnë, por rregullat që shkelin. Rregullat që zbatojnë, ose më mirë, marrëdhëniet që kanë vendosur të kenë midis njëri tjetrit, midis vetes dhe te tjerëve, midis vetes dhe të qeverisurve, ata kanë vendosur të mos i bëjnë publike, t’i fshehin ndaj syve të demokratëve dhe të qytetarëve të këtij vendi.
Në këtë rast nuk ka nevojë të spekulohet se pse po ndodh kështu, pasi është fare e thjeshtë të nxjerrësh përfundimin se rregullat që zbatohen nga krerët e PD nuk bëhen publike, pra fshihen, sepse ato nuk janë rregulla demokratike, përkundrazi, janë rregulla të formuluara vetëm në interes të krerëve të partisë dhe madje më shumë, i ngjajnë kodeve konspirative më shumë se sa rregullave, jo vetëm se janë të fshehta, por sepse zbatimi i tyre bie në kundërshtim me interesat më të gjera të PD, me interesat më të gjera të demokratëve, por edhe të qytetarëve të këtij vendi. Automatikisht, kjo situatë po e çon këtë parti drejt një metamorfoze të shëmtuar, drejt denatyrimit të saj. Shkelja e sistemit të rregullave të shpallura publikisht do të thotë që PD nuk është më një institucion politik, por thjesht një grupim njerëzish që bëjnë një gjë ose disa gjëra që nuk duan që të tjerët t’i dinë, pra, PD nuk ka më një formë politike. Nga ana tjetër, mospranimi i sendërtimit të disa parimeve me vlerë universale në statut, e transformon PD në një grupim pa përmbajtje demokratike. Përfundimisht, kemi të bëjmë me një parti jo politike në formë dhe jo demokratike në përmbajtje. Mungesa e këtyre të dyjave, pra, mungesa e formës politike dhe e përmbajtjes demokratike nuk është si boshllëku, përkundrazi, ka peshë, një peshë aq të rëndë sa ka qenë dhe është përgjegjëse në tkurrjen dhe denatyrimin e PD.







