ALEKSANDËR ÇIPA, 2 Nëntor 2012
Aleksander CipaMatanë komenteve të këndshikimit bipolar shqiptar, vizita e sekretares amerikane të Shtetit, zonjës Hillari Klinton në Tiranë, plotëson një kalendar vizitash dhe bisedash nga më të rëndësishmet mes SHBA-së dhe një shteti në Ballkan, siç është Shqipëria e sotme. Ndonëse mbërritja në Tiranë ishte zbritje në një itinerar me disa stacione kryeqytetesh të rajonit, ajo konfirmon një marrëdhënie ekskluzive mes “qeverisësit global” dhe shtetit që gjithnjë e më tepër po merr peshë specifike në rajon. Nuk ka asnjë dyshim që jo vetëm diplomatikisht, por qartazi edhe politikisht, Shqipëria për Uashingtonin është tashmë një shtet me partneritet të afishuar dhe si i tillë, gjendet para një avokatie që ka lidhje jo vetëm me ambiciet integruese institucionale të shtetit tonë, por më së shumti edhe me aspektet thelbësore të demokracisë institucionale. Shqipëria është në Ballkan një shtet që reflekton dhe përçon jo vetëm me diplomacinë apo marrëdhëniet e saj, por edhe përmes rezonimeve të tërthorta. Zonja Klinton konfirmoi zyrtarisht mbështetjen amerikane për …“vendimet e vështira që do të merrni”. Madje shkoi më tej me optimizmin e saj për një shtet model në botë.
Është e qartë se ndikimi amerikan dhe konfirmimi i partneritetit mes Uashingtonit dhe disa vendeve të Ballkanit, në kontekstet europiane merr peshë të riplotësuar. Nuk është thjesht retorikë ajo çka e shprehu si vijim të mbështetjes amerikane ndaj Shqipërisë edhe në 100 vjetët e ardhëm. Të gjitha këto cilësime, e zbulojnë të plotë nevojën që Shqipëria shtetërore dhe ajo institucionale të jenë produkti dhe shërbestaria e re, ndaj së cilës nevojitet të nënshtrohen dhe preokupohen ndërgjegjësisht politikanët e sallës së djeshme të Parlamentit.
Në fjalën e saj, zonja Klinton adresoi kërkesa të cilat janë të përfolura me konsistencë të fuqishme në marrëdhëniet mes pozitës dhe opozitës. Ato janë “hiseja” e ndarjes së deritanishme politike mes palëve politike. Fakti që ajo kërkoi nga vendimmarrësit të ftuar posaçërisht në sallën e Parlamentit, së pari të: “Bëni zgjedhje me standard”, do të thotë se për Departamentin e Shtetit vlerësimi për këtë proces zgjedhor (2013) është një shqetësim dhe objektiv në vëmendjen e lartë të amerikanëve. Ishte një sjellje dhe maturitet tipik amerikan në shfaqjen dhe mesazhin publik me dy krerët e antagonizmit, përkatësisht kreut të qeverisë, zotit Berisha dhe atij të opozitës zotit Rama. Dasia e deritanishme për procesin zgjedhor është një alibi, ndaj së cilës askush nuk duhet të investohet më tej. Ndërkohë që nevoja për respektim të votimit për tre ligjet e mbetura të kushteve të BE-së, nuk ka më arsye të ripërmendet dhe matanë saj opozita të këmbëngulë për një përgjegjësi ligjzbatuese dhe imponim parlamentar.
Demokracia dhe institucionalizmi në Shqipëri dhe Kosovë janë nën përkujdesin dhe monitorimin amerikan. Kjo është specifikë e pohimit të zonjës Klinton edhe në Prishtinë, edhe në Tiranë. Kjo specifikë e artikulimit jo vetëm diplomatik, por më së shumti e lidhur me kujdestarinë e shprehur amerikane, buron prej një realiteti që dëshmohet si sjellje dhe gjendje në realitetin politik të të dy shteteve. Duke iu drejtuar udhëheqësisë politike, zonja Klinton nga foltorja e Parlamentit shtoi: “Ju vazhdoni të besoni tek vizioni juaj politik, por interesi partiak duhet të vihet mbrapa interesave kombëtare dhe kjo është detyra e udhëheqësve demokratikë”. Vini re, “udhëheqësve demokratikë”. Ky specifikim është një adresim pa dorashka ndaj qeverisësve më së shumti dhe opozitarëve gjithashtu, të cilët ishin mbledhur sipas protokollit amerikan në atë sallë. Është sjellje në vëmendje të cilësisë së shumëdiskutuar dhe dukshëm të bjerur në sjelljen dhe kulturën e udhëheqësve aktualë të vendit.
Natyrisht nënteksti është i plotë dhe pa ekuivok, ai lidhet me thelbin e së munguarës dhe të domosdoshmes, për të përballuar atë periudhë të cilën zonja Klinton e saktësoi: “Muajt që vijnë janë shumë kritikë, jo vetëm për ju por edhe për popullin tuaj”, “… punoni që zgjedhjet tuaja të ardhme të jenë të hapura dhe të balancuara…”. Është ndoshta hera e parë ndër prononcimet amerikane për zgjedhjet shqiptare pas viteve 2000 që specifikohet kërkesa për zgjedhje të hapura. Që lexuar drejt, do të thotë se në konkurrimin e pritshëm zgjedhor në vend, procesi duhet ta ketë si risi hapjen për një pluralitet të plotë dhe përmbajtësor partiak e politik. Ndërkohë që një apel më të drejtpërdrejtë u bëri qytetarëve të këtij vendi dhe rikujtoi për klasën politike detyrimin se konsolidimi i demokracisë lidhet me rregullin dhe ligjin, me institucionet e forta dhe sistemin juridik të paanshëm. Vetëm në këtë mënyrë, sipas saj, “qytetarët të na mbajnë ne udhëheqësve, në përgjegjësi”.
Në kërkesën e specifikuar më qartë, ndoshta në takimet tetë a tetë mes zonjës Klinton dhe zotërinjve Berisha dhe Rama, thelbi lidhet me normalitetin zgjedhor dhe procesin rezultues prej tij, si subjekt demokracie reale. Kjo u evidentua edhe prej kërkesës tipike të zotit Berisha për sa më shumë vëzhgues amerikanë në zgjedhjet e pritshme shqiptare. Por kjo nuk e eklipson kërkesën e Departamentit të Shtetit për interesin amerikan ndaj “sistemit tuaj” dhe sidomos për zhvillimin, pasi, sipas shprehjes së zonjës Klinton: “… aspirata e Shqipërisë për në BE, jo vetëm do t’ju forcojë ju, por do të jetë edhe më mirë për BE-në. Ne nuk kemi votë, por do t’u flasim miqve për t’ju mbështetur…”. Është një kërkesë maksimaliste për të nesërmen e përfaqësimit në bashkësinë europiane të vendit tonë. Ky është një pohim me pretendim të fuqishëm politik për Shqipërinë si anëtar i ardhëm i BE-së. Ky është besim i madh për një proces të vështirë, për një rol kompleks, nën një kujdestari të fuqishme.







