NEKROFILI GUSHTI?!

0
37

Monika Shoshori Stafa, 20.08.2011

Muaji gusht në Shqipëri prej vitesh shënjon një rekord që nuk ka lidhje me temperaturat dhe motin. Gushti është muaji i vrasjeve dhe vdekjeve. Njëzet vrasje në katër ditë. 12 vdekje vetëm në dy ditë. Buletinet e lajmeve dhe gazetat gjatë muajit gusht kanë nevojë për më shumë reporterë për faqet e kronikës.

Duket sikur shqiptarëve nuk u bën mirë pushimi, sepse pikërisht në gusht, në muajin e pushimeve, vdekja pa shkak, vdekja nga dora njerëzore, mbretëron.

Këtë vit, “vdekja e gushtit” ka pasur disa ndryshime prej traditës. Të paktën deri më tani nuk ka pasur pretendime për të bërë fajtor Kanunin. Duket se vrasjet e gushtit janë vrasje njerëzish që kanë dalë nga kodi kanunor: ato e kanë mbuluar tërësisht hartën e Shqipërisë, nga Korça në Durrës, nga Tropoja në Tiranë, nga Burreli në Kamzë dhe prej këndej, në Sarandë.

“Vrasjet e gushtit” këtë vit sollën dhe një ndryshim tjetër: duket se marrja e jetës së tjetrit po kthehet në mjeshtëri. Po perfeksionohet arti i anti-jetës: prej vrasjes terrorizuese tek ajo aksidentale, prej vrasjes anatomike deri tek në grup, prej vrasjes hakmarrëse deri tek vetëvrasja. Kurrë ndonjë herë vdekja në Shqipëri nuk e ka pasur këtë larmi kriminale. Kjo të shtyn të mendosh se këto vrasje janë jo rastësisht të mbledhura në ditët përvëluese të gushtit. Janë vrasje të menduara mirë dhe të projektuara me gjakftohtësi.

Edhe këtë vit u konfirmua plotësisht se vrasjet e gushtit kanë lidhje të kushtëzuar me një fakt tjetër, që jo rastësisht qëllon në gusht. Është koha e kthimit të emigrantëve për të kaluar në vendin e tyre të lindjes, dhe me këtë rast, një udhë e disa punë, pse të mos shlyhen dhe disa hesape? Është fakt se në shumicën e vrasjeve të identifikuara, detyrimisht një nga palët ka të implikuar një të ardhur prej mërgimit. Po ashtu, vrasja brenda familjes, në rrethe të njohurish dhe farefisnish, sundon gjerësisht.

Kështu ndërthuren faktet me njëri-tjetrin: fillimi i pushimeve, ardhja kalendarike e emigrantëve, parapërgatitja e vrasjeve, larja e hesapeve, inkriminimi maksimal i shoqërisë, hyrja e luftës në familje. Kjo është një situatë që dihet prej kohësh, sepse ndryshimi nga njëri gusht në tjetrin ka lidhje vetëm me nuancat: thelbi është i njëjtë – në gusht, në Shqipëri bëhet bilanci i të gjitha hakmarrjeve të prapambetura, brenda dhe jashtë familjes, brenda dhe jashtë fisit, madje dhe me vetveten. Ndodhin vrasjet tradicionale për shkak të borxheve të pashlyera, të kufijve të pacaktuar, të qejfeve të prishura dhe të thashethemeve të përcjella vesh më vesh e përmes teknikës moderne të komunikimit.

Por ndodhin vrasjet edhe për shkak të një fyerjeje që njëra palë i ka bërë tjetrës dikur diku nëpër metropolet europiane, në Itali e Zvicër, në Greqi e Gjermani, në Francë e Turqi. Dhe arma nuk kursen as prindin, fëmijët, të afërmit, sepse gushti vjen bashkë me mëritë e mbledhura në vetmi, që provokojnë humbjen e qetësisë; por vjen dhe me një lehtësi të madhe për krimin: emigrantët e dinë shumë mirë së në dheun e vendlindjes është shumë më e lehtë të vrasësh se në dheun ku punon.

Atje nuk është aq e kollajtë të mbash armë, nuk është aq e lehtë të terrorizosh mjedisin, nuk është aspak e lehtë t’i ikësh dënimit, të blesh drejtësinë, të vrasësh e të mos ndëshkohesh. Dhe prandaj durojnë e durojnë, se gushti vjen përsëri, ashtu sikurse vjen dhe sezoni dimëror i pushimeve, dhe dy herë në vit ata “vënë drejtësinë në vend” me fuqinë e armës, pa u lëkundur aspak.

Gushti i këtij viti ka kataloguar dhjetëra vrasje nga më të pabesueshmet, nga më të pashembulltat, si në pikëpamjen kriminalistike, ashtu dhe në atë sociale: me shtypje me makinë, me përleshje në llogore, me kurthe, me prerje anatomike, me pengmarrje të kadavrave, me xhelozi pleqsh dhe makutëri të rinjsh. Vrasjeve për ndarje pasurish dhe për intriga e konflikte brenda familjes iu shtua dhe vrasja për llogari të dikujt, madje dhe për llogari të një të treti apo për një pakt të prishur. Por gushti i këtij viti, më shumë se herë të tjera, bëri të ditur se tashmë pyetja që ka mbetur të bëhet për shqiptarët është: a janë ata nekrofilë të lindur, apo gjithë ç’po ndodh lidhet me shkaqe objektive?

Me sa duket, nekrofilia është kryesisht një sëmundje e shtypit, kurse pjesa tjetër nuk lidhet me ndonjë kompleks etnik të shqiptarëve, por me vështirësimin e skajshëm të jetës. Dikur emigrantët punonin gjithë vitin që kur të vinin në gusht të kishin dhe dhurata modeste për të afërmit afër dhe larg, kurse tani, pasi kanë investuar dy dekada për të përmirësuar jetën e të këtushmëve dhe vijnë e shohin të njëjtën gjendje, nuk pyesin gjatë, por veprojnë. Veprojnë dhe për një cenim të së drejtës për pasurinë dhe ndarjen e saj.

Sikur të mos mjaftonte koleksioni i larmishëm i vdekjes reale, një koleksion i larmishëm për tipologjinë e vrasjeve, për lidhjet e palëve, për anën kriminalistike dhe psikanalitike, për formën dhe qëllimin, për motivin dhe shkasin, ditët e fundme opinioneve iu paraqit edhe vdekja agjitative, vdekja parodike, e shprehur me anë traktesh dhe nekrologjish të lidhura me emra protagonistësh të jetës së vendit.

E gjitha kjo të kujton komedinë e A. Z. Çajupit “Pas vdekjes”, ku rilindësi ka përqeshur veset e veprimtarëve të kohës përmes nekrologut, apo “fjalës së vdekjes”, në të cilën spikaten qëllimisht cilësi të mira apo të këqija të tyre, që t’u lexohen dhe reagimet parodike. Në fakt, gjithnjë vdekja e supozuar ka qenë shkak për humor, dhe humori, me magjinë e vet, ka një cilësi jo vetëm shëruese, por edhe qetësuese. Por me sa duket, shqiptarët nuk dinë ta marrin me humor as vdekjen fiktive. Këtë e provoi dominimi në shtyp i debateve të palëve për ëndrra me vdekje dhe për projekte politike për marrje e lënie pushteti me forma të tilla.

Në fakt, do të kishte qenë zgjidhja më e mirë ajo e një nxënësi, pjesëmarrës në debatet e forumeve të një të përditshmeje të njohur që shkroi për këtë fakt. “O xhaxhi polici, të lutem eja dhe më merr dhe mua në komisariat, se dhe unë kam shpërndarë për gallatë nga ato trakte”, – shkruante ai të enjten, si pjesëmarrës në forum. A nuk do të kishte qenë më mirë që të gjithë ta kishin përftuar kështu, si ky fëmijë?