Në vend të një falënderimi për Komisionarin Olli Rehn

0
39

Mero Baze

Nga Mero Baze

E vetmja fjali që mund të përkufizojë reagimin e ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në krah të Komisionarit Olli Rehn, dje në Bruksel, kur ai përmendi problemet e lirisë së shtypit në Shqipëri nisur nga ngjarja e para një jave mes një biznesmeni të pushtetit dhe tre gazetarëve shqiptarë, është: Gënjeu paturpësisht!

Duke shprehur mirënjohjen për ndjeshmërinë që Komisionari Olli Rehn dëshmoi për lirinë e shtypit në Shqipëri dhe kundër përpjekjeve për t’i mbyllur gojën shtypit në emër të pushtetit, duhet të ritheksoj disa probleme që prodhon qëndrimi i pasinqertë i ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, në Bruksel, të cilat po kalojnë në heshtje dhe në Tiranë.

Problemi i parë dhe etik është se zoti Berisha nuk e dënoi aktin e shëmtuar ndaj tre gazetarëve të njohur të shtypit shqiptar, por bëri një deklaratë të përgjithshme përmes zëdhënëses që nuk i referohej rastit konkret, pa përmendur as dhunuesin dhe as të dhunuarit.

Problemi i dytë është se gjithë infrastruktura mediatike e qeverisë, përfshi medien publike të kontrolluar prej tij dhe mediet private si zëdhënëse të tij, morën anën e agresorit të medies dhe bënë thirrje publike për ta kthyer aktin e dhunshëm në model të sjelljes ndaj medies në Shqipëri. Përpjekjet për të deformuar ngjarjen sipas këtij skenari depërtuan deri në tavolinën time të punës në televizionin ku punoj.

Ne pamë Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të denonconte publikisht pjesëtarë të qeverisë dhe kryeredaktorë të Sali Berishës, që morën anën e agresorit, pamë Ambasadorin e OSBE, ambasadorë të vendeve evropiane, si ai i Italisë dhe Gjermanisë, të mbështesnin lirinë e medies, por nuk pamë, as Sali Berishën, as Ilir Metën, ta bënte këtë.

Por e treta për nga radha, por jo për nga rëndësia është gënjeshtra e Ilir Metës se agresorët tanimë gjenden në burg për shkak të qeverisë. Këtu dua të theksoj se agresorët nuk janë të gjithë në burg, pasi ne na kanë sulmuar 4 deri 5 vetë, dhe së paku dy prej tyre janë ende të lirë dhe i bien gjithë ditën telefonit tim me numër privat duke kërcënuar dhe duke u përpjekur të mbajnë nën terror familjen me telefonata pa përgjigje. Por më e rënda është se Policia e Shtetit të Sali Berishës nuk i çoi urdhër-ndalimi agresorit kryesor, Rezart Taçi, për tri ditë rresht. Avokatët e tij thanë publikisht se hera e parë që dëgjuan se duhet të shkonte në polici, ishte kur Gjykata e Tiranës mori vendim për të shpallur arrestin e Rezart Taçit. Për tri ditë rresht Rezart Taçi gëzoi mbështetjen e kryeministrit, Sali Berisha, ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha dhe mikut të tij të vjetër, Ilir Meta. Pas tri ditësh, qeveria Berisha-Meta, jo vetëm që nuk u distancua nga krimi, jo vetëm që e inkurajoi dhe e mbështeti atë me gjithë infrastrukturën e saj mediatike, por bëri gjeste konkrete solidariteti me agresorin duke mos e ndaluar atë.

Ndalimi i agresorit u bë nga Gjykata e Tiranës dhe pasi u bë, qeveria humbi qetësinë. Arrestimi i Rezart Taçit i humbi qetësinë Familjes Berisha, vajzës së kryeministrit, e cila doli në media, në vetë medien që kishte mbrojtur deri në atë kohë agresorin, duke shpifur. Të gjitha këto janë fakte publike dhe të verifikueshme nga çdokush që vëzhgon jetën politike dhe medien në Shqipëri.

Për këtë arsye dua të rifalënderoj Komisionarin Olli Rehn, që i rikujtoi qeverisë së Tiranës se duhet të krijojë standarde të reja për lirinë e medies dhe citoi konkretisht agresionin e javës së shkuar nga njerëzit e pushtetit mbi njerëzit e medies. Por mbi të gjitha dua t’i kujtoj zotit Olli Ren, se ministri i Jashtëm i Shqipërisë, që kishte në krah, gënjeu para gazetarëve dhe ky është një standard fyes, me të cilin qeveria e Tiranës komunikon me Brukselin.

Në momentin që unë po shkruaj, qeveria është tërësisht e angazhuar të mbajë në kushte ekstrakomode, thuajse jashtë burgut, biznesmenin në fjalë, ndërkohë që është angazhuar gjithë pushteti politik ta nxjerrë në liri pa shkuar çështja në gjykatë. Kjo është shumë e rëndësishme për të kuptuar qëndrimin real të qeverisë në Tiranë. Por një tjetër aspekt është edhe pozicionimi politik ndaj ngjarjes nga vetë zyrtarë të qeverisë.

Unë njoh dhe kam pasur miqësi personale me shumicën e ministrave apo drejtuesve aktualë të partisë në pushtet, me të cilët kam ndarë dhe shqetësime shumë më të vogla se ky incident. Është për t’u theksuar se pas ngjarjes ata, jo vetëm që kanë heshtur dhe nuk kanë guxuar as të bëjnë një telefon mirësjelljeje, por e kanë konsideruar konfliktin e tre gazetarëve me një bandit të pushtetit si diçka armiqësore për ta dhe pushtetin e tyre. Kjo është në fakt klima e frikës që pushteti ka krijuar në raport me këtë ngjarje brenda vetes. Ngjarja ka ndarë qeverinë nga opinioni publik dhe për qeverinë tanimë Rezart Taçi është një hero, dhe Mero Baze, Andi Bushati dhe Arban Hasani, tre gazetarë provokatorë, që tentojnë t’i prishin imazhin qeverisë. Ky është po ashtu një test se sa pak liri dhe sa pak dinjitet u lejon pushteti i sotëm politik kontributorëve të vet, atyre që i quan deputetë, ministra apo gazetarë të pushtetit. Ky është një standard tërësisht antiperëndimor, i cili duhet po ashtu të përfshihet si një objektiv për t’u korrigjuar dhe për t’u plotësuar, derisa të mbërrijmë standardet e një vendi që meriton anëtarësimin në Bashkimin Evropian.

Duke falënderuar dhe një herë zotin Olli Rehn për ndjeshmërinë e tij ndaj lirisë së shprehjes në vendin tim, do të desha t’i kujtoj se duhet po ashtu të jetë i ndjeshëm dhe ndaj përpjekjeve të qeverisë sime për të gënjyer Brukselin dhe vendet perëndimore mbi të vërtetat e hidhura që ndodhin këtu. Unë u jam mirënjohës që kujdeseni për lirinë time dhe të kolegëve të mi, por liria jonë nuk ka kuptim, kur ajo nuk arrin të ndriçojë të vërtetat e mbytura nga varfëria, korrupsioni dhe kapja e shtetit nga krimi.