NË SHTËPINË E NGJYRAVE

0
33

Rrustem Geci, Ese për njëmijë pikturat e piktorit, Ahmet Ibrahimi

S´ka më artistike se natyra, se ylberet e saj, se e ngrohta e rrezeve të diellit, se hovet e lumit të zemëruar, se jeta e heroizuar e popullit. Në mëngjesin e 26 marsit të vitit 1981, tek po shkruaja parullën, „Unitet“ dhe “Bashkim“, për dy shkronjat e fundit mu harxhua ngjyra, mirëpo, patrioti Riza Demaj, student, që ishte afër meje, çau me thikë gishtin e tij tregues, për të dëshmuar se liria fitohet me gjak dhe me sakrificë. Prandaj, në të gjitha vlimet e mëdha të Luftës së Kosovës, piktori Ahmet Ibrahimi, ishte brenda betejave të kohës, dhe kryekëngës së kombit – flamurit Kuq e Zi!

Fillimet e artit figurativ në Kosovë janë të hershme. Gjurmët e këtij arti më thotë Prof. Ahmet Ibrahimi, i gjejmë nëpërmjet zbulimeve arkeologjike, e veçmas në qeramikë, tarakota, monedha ari, gurë të shkruar, punime druri, qëndisma, dhe në shkrime poetike e folklorike të popullit tonë. Jeta e artistëve të pikturës është trashendentale. Artisti i pikturës, përpara s´e të kap ngjyrën, ai kap formën, thëllimin, ndriçimin, dhe krejt në fund, të përtejmen dhe thellimën e së bukurës. Kosova është shumë e pasur me art dhe histori!

Artisti i pikturës shpirtin e ka pa xhama, shprehet prof. Ahmet Ibrahimi. Piktori shpirtin e njeriut e sheh tejpërtej vetes, dhe kërkon dritën e fshehur tek frymëzimet. Krijimet në pikturë s´janë të lehta, dhe as të thjeshta. Harmonizimi i ngjyrave, kontrasti, hijet, ndriçimet e vogla, i japin formë veprës; portretit, ose peisazhit. Motivet në pikturë janë me bollëk. Mirëpo, çdo gjë varet nga autori i pikturës. Veprat e mirëfillta artistike në pikturë duan ndjeshmëri, dramaticitet shpirtëror, njohje të mjaftueshme të realitetit dhe të kontradiktave shoqërore.

Piktori, Ahmet Ibrahimi, u lind në Hogosht të Dardanës. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Dardanë, ndërsa në Prishtinë, Fakultetin e Arteve, dhe studimet pas Univerzitare. Jeta e Ahmet Ibrahimit është një tregim përpjekjesh e një artisti të devotshëm. Dy dashuri të mëdha më ndjekin vazhdimisht; dashuria për Kosovën dhe bukuritë e saj, dhe dashuria për pikturën. I lindur në një ambient epik të Kosovës, Ahmeti do t´i përkushtohet me tërë qenien, artit të pikturës. Mbjellja e ngjyrave dhe motiveve në pikturë janë koha, hija dhe ajri i saj. Shija e dhimbjes më shpie përpara. Artisti i pikturës s´guxon t´i thyej gjunjët përpara sfidave të jetës. Maja e një burri është të bëhet babë, ndërsa maja e një gruaje të bëhet mëmë. Këto dy motive shumë të bukura, kujtoj s´e pak janë përshirë në frymëzimet e piktorëve të vjetër dhe të rinj të Kosovës.

Poezia e ngjyrave në pikturë është dramatike. Brenda ngjyrave, vijave dhe kontrasteve, rrezaton e tashmja e kaluar, dhe e djeshmja e ardhshme. Drita e ngjyrave s´guxon të mbytet nën hije, ajo duhet të jetë e para, si fjala, dhe rrezja e diellit. Hija e asnjë mali më thotë piktori Ibrahimi nuk guxon të jetë mbulesë, për mangësinë e dritës në portret ose peisazh. Liria e ngjyrave dhe e shprehjes artistike në pikturë është e domosdoshme. Kosova është pasuri e madhe e jetës sonë. Kosova, Shqipëria, atdheu ynë në tokë, në ujë, në ajër, është hapësira ime ku unë krijoj.

Në peisazhin e njëmijë pikturave, hapet bota pikturale e piktorit të shquar të Kosovës, e prof. Ahmet Ibrahimit. Natyra, portreti dhe peisazhi janë motivet dhe frymëzimet në shpirtin e piktorit. Jeta dhe bukuritë e Kosovës, qofshin ato lirike dhe epike, kanë forcë të madhe tek krijimet e mia. Lufta çlirimtare, heronjtë e saj, plagët dhe pushkatimet e popullit tonë nga gjenocidistët serbë, janë vetëm disa nga motivet ekspresive që tundojnë shpirtin e piktorit Ibrahimi. Jo rrallë më thotë piktori, studentët më pyesin; përse në artet figurative të Kosovës mungojnë lulet, darkat shqiptare, përroi i dhimbjeve dhe vuajtjeve tona.

Pyetje me vend shprehet prof Ahmet Ibrahimi, leximi i mirëfilltë i pikturës do ta njohësh pikturën, për të kap shijen dhe mesazhin e saj. Në disa raste të ndërlikuara të ngjyrave dhe vijave, artisti qëllimisht i le hapësirë publikut të flet vetë me pikturën. Piktori Ahmet Ibrahimi, është piktor i vlerësuar nga publiku dhe kritikët e artit. Artisti, Ahmet Ibrahimi është vlerësuar me disa çmime, dhe mirënjohje. Çmimin për pikturë 1997 – Flaka e janarit, çmimin për pikturë 2003 – Flaka e janarit, çmimin për pikturë 2012 – salloni i Gjilanit, Çmimin blerës për pikturë 2013- Flaka e janarit. Të gjitha këto aktivitete kulturore në pikturë, shprehet piktor Ibrahimi, janë natyra dhe bota ime pikturale.

Mirëpo, Duhet thënë se piktori Ahmet Ibrahimi deri tash ka realizuar rreth njëmijë piktura, 50 ekspozita kolektive, dhe 17 ekspozita personale. Në të gjitha këto ekspozita, piktori Ahmet Ibrahimi është vlerësuar nga publiku dhe njohësit e artit të pikturës me çmime dhe mirënjohje. Pikturat, “Golgota”, “Masakra e Gjilanit 1944”, “Adem Jashari”, “Dritë e Kosovës”, “Malet me pushkë”, “Portret lirisë”, “Shqiptarja”, “Një pikë gjak për lirinë”, ciklin, “Thyerja e madhe”, “Pasha këtë tokë”, dhe njëmijë piktura të tjera, shprehin fuqinë krijuese dhe artistike të piktorit të paepur, Ahmet Ibrahimit.

Piktori zëmadh i Dardanës dhe i gjithë Kosovës, Ahmet Ibrahimi, është Profesor i angazhuar që nga themelimi i Universitetit, „ Kadri Zeka“ të Gjilanit, në lëndën, Artet vizuale. Në lojën e kujtesës dhe të harresës, motivet dhe frymëzimet në mua bëjnë luftë pashpallur. E ardhmja s´pyet thotë piktori Ibrahimi, ajo e do tërë të tashmen , për të ndërtuar të ardhmen e saj. Sukses piktorit, Ahmet Ibrahimit!

Rrustem Geci – Dortmund, 2015