Në shtëpinë e Nazimes, ku koha ka ngelur më 23 maj

0
26

Miqësi dhe krushqia mes familjeve Visha dhe Muça, që u thye me tradhti e hakmarrje Adhurimi dhe Gazmiri, dy vëllezërit e vegjël, dëshmitarë të rrëmbimit të motrës dhe të episodeve të trishta.

Nga Malvilëz / Nikoleta Kovaçi , 16.08.2012

Kështu quhet fshati ku lindi një histori miqësie, krushqie dhe tradhtie të pafre. Në themel është njohja fatale dhe besimi prej “fëmije” në dy breza njerëzish, ndërsa vijimësia e gjithçkaje është një tragjedi mes miqsh dhe njerëzish që kanë ndarë bukën prej plot 9 vitesh. Kanë përzier gjakun dhe mbi të gjitha kanë një nip të përbashkët; ai quhet Ledion. Eshtë 3 vjeç! Eshtë fryt i një miqësie që u shkel; u shkel duke thyer parimin e shenjtë të bukës, besimit dhe dinjitetit.

U shkel, mbase, nga instikti kafshëror që, më shumë se sa një pedofilie, i ngjan një incesti, Vetëm këto dy mëkate, tërësisht të pafalshme, të shkojnë nëpër mend kur përballesh me dëshminë e gjallë të ekzistencës së një historie, ku miku, të cilit iu kanë hapur dyert e shpirtit (në atë shtëpi s`ka asgjë tjetër…) abuzon me fëmijën që e ka mbajtur në duar qysh 7 vjeç, e përdhunon dhe më pas e rrëmben. E mban në pyll të izoluar për 11 ditë dhe ruan të dokumentuar dëshminë e një historie dashurie të padëgjuar kurrë më parë. Kështu ngjan edhe me “dashurinë” mes Fiqiri Muçës dhe Nazime Vishës, që të dielën u kthye në tragjedi, jo vetëm për dy familjet-mike… Aty, këtu dhe ndër ne, gjithçka duket si indicie e një “kataklizme”.

E vërteta gjendet në Malvilëz

Shtëpia e Beqir Vishës, të atit të 18-vjeçares që qëlloi me armë zjarri mbi mikun e babait, është krejt “bosh”. Në fakt, shtiu mbi kunatin e motrës, dhunuesin, përdhunuesin, rrëmbyesin, pse jo dhe të dashurin e saj; mbi xhaxhain e nipit, njeriun me të cilin shkëmbyen 9 vitet e fundit të jetës së tij. Kushtet e mjerueshme, janë dëshmi e një inekzistence të pushtetit dhe kujdesit…E vetmja e vërtetë e madhe që të zgjon vetëdijen njerëzore janë sytë e Adhurimit; vëllai i vogël i Nazimes, dëshmitari okular i momentit të rrëmbimit të vajzës, mesditën e 23 majit të këtij viti, nga Fiqiri Muça.

Ai gjendet aty, në shtegun e oborrit dhe frikësohet sapo shikon fuoristradë; refuzon të tregojë emrin, derisa e kupton se “njerëzit e huaj”, s`janë aty për t`i bërë keq. Prania në vështrimin e tij është dhimbje dhe kërkesë njëherësh; do motrën që aq shumë i mungon; të cilën se ka parë që atë moment që erdhi dhe e rrëmbeu njeriu që hynte dhe dilte aty si në shtëpinë e tij. Adhurimi ka përkujdesjen e vëllait më të madh, Gazmirit 12 vjeç, ndërsa nuk pranon për asnjë moment të shkëputet nga biseda e të rriturve për rastin famëkeq dhe fatkeq të së motrës.

I zbathur, i zhveshur dhe tërë kureshtje, ai është pasqyra më e mirë e një jete të shpërfillur nga fati, koha, jeta dhe Tirana zyrtare. Nëse në Malvilëz të duket sikur je në një tokë të pazbuluar, në shtëpinë e Beqir Vishës të duket sikur je në një botë tjetër! Aty s`ka asgjë tjetër veç mikpritjes së pakufi të gruas Mejte Visha; pjekurisë së parakohshme të Gazmirit, dhe një të vërtete të madhe se në atë shtëpi, tërësisht e shkatërruar nga muret, çatia, tavanët prej dërrase të kalbur, lindi dhe u rrënua një miqësi, nga e cila tashmë s`ka mbetur asgjë tjetër veç kërcënimit për hakmarrje.

Si i njohin në fshat

“Këtu dhe në shtëpinë e Beqir Vishës njoha Fiqiriun dhe gjithë familjen e tij. Gruan dhe pesë fëmijët e Fiqiriut i njeh gjithë zona; ata ishin thuajse shembull i një hyrje-daljeje familjare, ndërsa familjet rrinin me javë te njëra-tjetra”. Kështu e përshkruan shoqërinë mes Beqirit dhe Fiqiriut, Ibrahim Deda, banori i fshatit Mner, që njeh dhe ka punuar me të dy shokët miqtë-krushq. Ibrahimi, për të shkuar në shtëpinë e tij, në zonën më të thellë të Tiranës, kalon vetëm pak metra larg shtëpisë së Vishëve, ndërsa kujton me detaje gjithçka di mbi njohjen mes Muçëve dhe Vishëve; “Kemi vetëm atë majë mali në mes; andej është fshati Ketë, (vendlindja e Fiqiri Muçës) dhe këtej jemi ne”, tregon fqinji dhe i njohuri dy familjeve. Ai dhe kushdo që mbërrin në atë familje, që edhe sot mundohen t`i buzëqeshin mikut, stepen përballë kushteve të vështira në të cilat çifti Beqir dhe Mejte Visha, 44 vjeçare, lindën dhe rriten 6 fëmijët e tyre, ndërsa u bën shembull për mirëmbajtjen e një miqësie familjare që përfundoi me një skenë të frikshme e të shumëpërfolur

Fejesa e Nazimes me një emigrant nga Vaqarri

Vajza e dytë e familjes Visha, Shyqyria, është e martuar prej katër vitesh në Laknas të Tiranës. Një lidhje tjetër miqësie e familjes së të shoqit, kishte hyrë në mblesëri për të çuar në altar Nazimen me S.F, i cili punonte prej shumë vitesh në Itali. Gjithçka është finalizuar gjatë fund-vitit, ku pritej që tani, në gusht, djali të kthehej dhe të vijonin me martesën. Sipas nënës së Nazimes, lidhja dukej e fortë mes të rinjve dhe familja e djalit e kishte mirëpritur bashkimin e tyre. Mejte Visha tregon se djali dhe vajza komunikonin përditë, ndërsa Nazimja shkonte shumë shpesh në shtëpinë e tij, derisa u rrëmbye dhe u mbajt në mal për ditë me radhë nga Fiqiri Muça.

Ndërsa gruaja rrëfen historinë e njohjes mes vajzës së saj dhe djalit nga Vaqarri, ajo nuk harron të pranojë edhe kujdesin që i fejuari tregonte për të. “Ai vijoi ta thërriste në telefon edhe pas asaj ndodhie. Këtë gjë ia thanë tim shoqi prindërit dhe vëllai i tij, ndërsa ne më shumë se sa hallin dhe turpin e madh që na kishte rënë, qanim hallin e Lutfies, e cila është e martuar me Vladimirin. E dinim se do kishte përçarje që pas asaj historie mes Fiqiriut dhe Nazimes, por asnjëherë s`na shkoi mendja se do të shkonte puna deri në vrasje”.

Vrasja

Policia dhe prokuroria kanë fiksuar faktin se ekzekutimi i Fiqiri Shehut ka ardhur nga Nazime Visha. Ekspertiza mjeko-ligjore ka përcaktuar se plumbi fatal është dhënë në ballë, ndërsa në vendin e ngjarjes, policia ka grumbulluar plot 39 gëzhoja. Arma është një automatik që policia e ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

Reagimet

Pas ngjarjes ku mbeti i vrarë në Krrabë, Fiqiri Muça ka reaguar edhe familja e viktimës. Një sërë mediash kanë transmetuar dyshimin e tyre se vrasja nuk është kryer nga vajza. Fajësimi që shkon në drejtim të vajzës ka lidhje vetëm me kurthin që ata besojnë se i ka ngritur ajo, ndërsa kanë mundur të ruajnë dhe të publikojnë edhe fakte të lidhjes mes Fiqiriut, baba i pesë fëmijëve, me Nazimen, 18 vjeç.

Dokumentimi

Ndonëse Nazime Visha pritet të dalë sot para gjykatës, të njihet me masën e arrestit që do të caktohet për aktin e vrasjes së Fiqiri Muçës, policia dhe prokuroria pretendojnë se e kanë kopsitur dosjen e aktit. Edhe pse, në maj u denoncua zhdukja e saj, policia dhe prokuroria nuk nisën hetimin për një rast pedofilie. U mjaftuan me deklaratën e saj se kishte ikur me dëshirën e saj

Nata e ngjarjes

Ndodh pikërisht në mesnatë, ndërsa Fiqiri Muça fliste me të “dashurën” e tij, mu në hyrje të portës së Dalip Vishës, gjyshit të 18 vjeçares. Kërcënimi i Muçës për ta marrë me vete Nazimen është pranuar edhe nga taksisti, ndërsa familjarët kanë pohuar të kundërtën. Ndonëse familja ishte në dijeni të tradhtisë bashkëshortore që Fiqiriu kishte kryer, ata kanë pranuar se pas rrëmbimit, ka qenë vajza që e ka kërcënuar me vrasje dhe vetëvrasje

E besuam atë njeri, sikur të ishte zoti

Rrëfimi tronditës i Mejte Vishës, nënës së Nazimes, që pas njohjes së historisë së të bijës me mikun e shtëpisë, vendosi ta mohonte vajzën e vet përjetësisht

Mejte Visha është gruaja që ka rritur 6 fëmijë në një skamje të llahtarshme. Ajo është e shokuar nga lidhja e kunatit të vajzës së madhe me të bijën, Nazimen, që sipas saj, është rritur në krahët e burrit, që bashkëshorti i saj e solli në shtëpi në vitin 2003. Që prej asaj kohe e deri me 23 maj, gjithçka ishte në kornizën e një miqësie-model, pa e ditur asnjëherë se e vogla e tri vajzave të saj, ishte përdhunuar që në moshë 11 vjeçare prej njeriut që ka fjetur me të si me të atin e saj; që kjo skenë e tmerrshme është përsëritur sërish, derisa përshkallëzimi solli edhe vrasjen.

Përveç tronditjes së madhe të rrënimit të vajzës, gruaja-nënë tashmë vuan edhe përzënien dhe mohimin që i bëri së bijës, duke fajësuar veten për naivitetin që e çoi në një gjëmë të pashoqe. Ajo vetëmallkon brishtësinë e të qenurit besuese ndaj asaj ç`ka e quajti të shenjtë dhe që sot për të është edhe drama e pakthyeshme e fatit të familjes së saj. Në shtëpinë e Muçëve, ajo ka vajzën e madhe, Lutfien, që pret të bëhet nënë për së dyti me Vladimirin, vëllain e dhunuesit sistematik të së voglës së saj. Mes brengës dhe lutjeve të njëpasnjëshme, ajo rrëfen gjithçka di dhe ka mësuar mbi fatkeqësinë që ra mbi to.

Znj. Mejte, mund të na thoni, si dhe kur nisi miqësia mes burrit tuaj dhe Fiqiri Muçës?

Mbaj mend që ka qenë viti 2003, kur ka ardhur në shtëpinë tonë. E pranuam menjëherë se dukej njeri me shumë taban familjar. Punonte me tim shoq në lëndët drusore, ndërsa kur kishin punë shumë flinte këtu me netë të tëra. U miqësuam familjarisht dhe nisëm edhe shkëmbimin e vizitave, për aq sa mund të kishim mundësi të lëviznim, se ne jetonim me shumë halle.

Sa vjeç ishte Nazimja në atë kohë dhe si ka vijuar miqësia juaj?

S`i kishte bërë ende 7 vjet. E mbante në krahë gjithë kohës kur vinte në shtëpi. Ka fjetur me të si me fëmijët e tij, ose ne ashtu e kemi besuar gjithmonë. Hynim e dilnim në shtëpinë e njëri-tjetrit si në shtëpinë tonë. Ishte kjo lidhje e fortë miqësie të pastër, që krijuam edhe lidhjen e krushqisë. Lutfia, vajza e madhe e jona u martua me vëllain e tij, Vladimirin. Ishim shumë të kënaqur me atë martesë. Na lindi edhe Ledioni, e tashmë ime bijë pret edhe fëmijën e dytë në atë shtëpi.

Gjithçka për ne ishte mirë e bukur, derisa me 23 maj, pasdite, kur vjen Gazmiri tek ara, ku unë isha me vajzën e dytë, Shyqyrien dhe na thotë se ka ikur Nazimja. Adhurimi e kishte parë ta merrte me dhunë pikërisht Fiqiriu. Ne s’dinim asgjë se ç’kishte ndodhur mes tyre. Fillimisht se besuam, por më pas na treguan barinjtë e zonës, që e kishin parë të kalonte qafën e Malmnerit në makinën e Fiqiriut. Pritëm dhe kur nuk e solli na e mori mendja se çka ngjarë, por gjithnjë fajësuam vajzën tonë, edhe pse vetëm tani i ka mbushur 18 vjeçe.

Vajzën tuaj se keni takuar që me 23 maj, madje keni refuzuar edhe ta pranoni në shtëpi. Pse ndodhi ky përjashtim?

Hmmmm. (Fshin lotët). Ishte e rëndë për ne. U bë edhe më e rëndë kur kishte pranuar në polici se kishte shkuar me dëshirën e saj. Atëherë ajo s`kishte më vend në shtëpinë tonë, pasi e besuam vërtet. Gati e mohuam, por këmbëngulën vjehrri dhe xhaxhai i saj dhe e morën ata në shtëpi. As ajo s’mund të vinte të përballej dot, sidomos me Adhurimin, të cilin e do jashtëzakonisht shumë.

Me atë histori menduam se na shkatërroi, jo vetëm miqësinë që kishim me familjen e Fiqiriut, pasi gruaja dhe fëmija e tij kanë bujtur me javë të tëra në shtëpinë tonë dhe në këto kushte që po i shihni vetë, por menduam se na shkatërroi edhe jetën e vajzës që është e martuar në familjen e tyre. Me thuaj, si mund ta pranonim gjithë atë turp që kishte ra mbi ne?!

Më pas, si e morët vesh të vërtetën e asaj historie?

Paçka se vajza ishte te gjyshërit, komunikonte me të atin. Beqiri shkoi nja dy herë te babai i tij dhe foli me të. Ajo i tregoi gjithçka. Gjithçka që kishte nisur që kur ishte 11 vjeçe.

Familja e Fiqiriut ka thënë se nuk është e vërtet se njeriu i tyre e ka kërcënuar me sms vajzën tuaj pasi e ktheu në shtëpi. Madje ata pohojnë publikisht se Nazimja i bëri kurth dhe se ishte ajo që e kërcënonte?

S`mund ta besoj se mund ta thotë, sidomos gruaja e tij, diçka të tillë. Ata, pas asaj historie, as në shtëpi s’na erdhën të na shpjegonin diçka. Vajzën e kisha të fejuar në një familje të mirë dhe ishim shumë të lumtur për të. Tani u shkatërrua gjithçka. S’di ç’të të them, por diçka e di me siguri, se e kemi besuar atë njeri si të ishte zoti.