TemA Online, 23 Dhjetor 2011
Partia e paralajmëruar nga ana e presidentit Bamir Topi, pritet që të shpallet pas dy muajsh, në shkurt. Sipas Shqip, ka qenë një presion i madh nga “baza” e nismëtarëve që kërkojnë nisjen e veprimtarisë të partisë së re të së djathtës, e cila do të kërkojë votat në elektoratin e zhgënjyer apo edhe të pakënaqur nga qeverisja e koalicionit qeverisës ndërmjet Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Emri i formacionit të ri politik mbahet ende “sekret”, por mësohet se do të jetë një semantikë e ngjashme me PD-në, por diçka më kuptimplote që të grumbullojë të gjithë të djathtët në vend.
Sipas gjasave, ky formacion do të shpallet në një ditë historike në muajin shkurt, ndoshta, ditën e rrëzimit të shtatores së Enver Hoxhës. Në fakt, burime të afërta pranë këtij organizimi të ri politik bëjnë të ditur se kreu aktual i shtetit nuk do t’i bashkëngjitet menjëherë formacionit të ri politik që po përgatitet. Ai do të qëndrojë larg deri në qershorin e vitit tjetër, kohë në të cilën mbyll edhe mandatin e tij pesëvjeçar në krye të shtetit.