Letër e nënshkruar Eqerem Kajo, Shkodër – 28.10.2010
Jemi disa pensionistë të lagjes “Partizani” Shkodër që jetojmë në pallatet pranë tregut “Rus”. Kemi kohë që e kërkojmë Kryetarin e Bashkisë për të biseduar për problemet që kemi, por dhe për ta parë si është me shëndet. E kemi kryetar për kokën e kryetarit, Shkodrës i ka ndritur ballin, në lagjen tonë ka ardhur vetëm në 2007-ën, kur u bënë zgjedhjet.
E duam të shikojë këtu në treg inkubatorët e brejsave (minjve) sa janë rritur tek tregu gjatë mandatit të tij, të shikojë stacionin e shumëzimit të qenve, të shikojë sa urinë e fekale janë grumbulluar nen banakët e shitësve, sepse nuk ka nevojtore, të ndjejë dhe ai si ne “aromën” e mbeturinave, të shikojë kaosin në këtë treg që në një metër katror shesin 4 shitës.
Të shikojë sesi vidhet energjia elektrike, si shpërdorohet uji, si funksionon shëndetësia, ku djathi, gjiza e produktet e qumështit shiten pranë mbeturinave të qenve e micave të ngordhura, të shikojë nga futen këta njerëz, pasi dy rrugë që futen në treg bllokohen nga shitësit dhe nuk ka burrë nëne që t’i largojë..
Banorët e pallateve përreth kanë fatin e mirë “që gjithë ditën e gjithë natën t’i mbyllin dritaret nga erërat e këqija e nga zhurmat. Ç’mund të bëjmë ne banorët?
Aty nuk pyesin për kryetarin e bashkisë, as për kryeministrin tellall, as për policinë e Bukurosh Bashës, dhe jo të pyesin për neve! E vetmja gjë e banorëve të pallateve, iu ngelet që të bëjnë shkallë ajrore, si ato të emergjencave, sepse edhe hyrjet e pallateve janë të bllokuara tashmë, nuk pyet njeri nëse në këto pallate ka familje apo ka të sëmurë që mund të kërkojnë ndihmën e ambulancës apo zjarrfikëses etj.
Mirë kryetari që ka humbur, po deputeten e lagjes, Arenca Trashani, a e kini parë na nji herë? E kemi parë në Parlament, kur kritikon Ramën se i mungonin kokrrat, po edhe vitin e valuar kur erdhi për fushatë kaloi këndej.
Dikur në kohën e Enverit kishte inspektor të higjienës, kishte kontroll nga organet ekzekutive, lokale, apo nga ato qendrore, bëhej dezinfektimi me helme, me klor apo me pluhur gëlqereje. Kjo nuk ekziston më.
Në vitin 1996, tregu Rus pësoi një ndryshim të madh, pothuaj u bë i ri nga një firmë e huaj, me ndërhyrjen e ish-kryetarit të bashkisë, Admir Rusit, u sistemuan për mrekulli shitësit e fruta-perimeve, bulmetrave, të mishit etj., u rregulluan nevojtoret, u caktua një administratë e vogël, pastrues, e gjëra që mungonin më parë, por ky organizim nuk vazhdoi shumë.
Tani nuk ka as pastrues e as roje, as administrator, nuk ka nevojtore, sepse (i ka dalë pronari) nevojtore tani kanë banakët, kush nuk i beson këto që themi le të vijë në tregun e “Rusit” në Shkodër të shikojë këto mrekulli, që nuk mund t’i gjesh as në Kandahar.
A duhet që kryetari i bashkisë të japë llogari para qytetarëve?
Sigurisht që duhet, por kjo nuk bëhet. Nuk bëhet në Shkodër, por as në gjithë Shqipërinë. Këtë nuk e bën as i madhi Sal Ram Berisha. Dhe s’kanë si ta bëjnë vartësit.
E ndërkohë që ata merren me tenderët dhe me “demaskimin e armiqve”, papunësia është shumë e madhe dhe nuk ka shpresë. Shumë shkodranë kujtojnë epokën e monizmit, ku funksiononin 100 e ca ndërmarrje, tani të rinjtë shullëhen pa nji grosh në xhep pranë ujërave të Bunës, Drinit, por jo pranë Liqenit se ai tani është shumë i ndotur sa nuk mund t’i afrohesh pranë nga mbetjet që hidhen.
Meqenëse Kryetari ynë i bashkisë nuk gjendet, po ia bëjmë të ditur në shtyp e në media, ndoshta këto kërkesa i shikon atje ku pushon, brenda apo jashtë shtetit.