Nga Besi BEKTESHI
Nga titulli mund të kuptohet se e kam në përgjithësi në Shkodër. Jo nuk është e vërtetë se po flas në përgjithësi, por e kam fjalën vetëm për klasën politike aty në përgjithësi. Në ditët e sotme, klasa politike në Shkodër nuk është e zonja të nxjerrë si dikur përfaqësues të popullit, që shkruajnë dhe janë protagonistë letrarë dhe artistikë, apo dhe të mendimit humanist dhe politik të thekur si dikur. Si fjalimet e Fishtës dikur, apo akoma më herët të Kol Mjedës, apo dhe të Gurakuqit, Harapit, Pipës, Koliqit, Draçinit apo Bushatit, dhe po të shtyhemi akoma më thellë dhe të shumë e shumë përfaqësuesve politikë, kanë në bazë jo vetëm forcën, por sidomos intelektualizmin protagonist në të shkruar dhe prononcuar publike.
Nuk ka krahasim as me pjesën komuniste të fillimit në Shkodër, ku me të vërtetë edhe ato kishin pjesën botuese dhe intelektuale. Pra kishim të bënim me një prodhim të mirë intelektual shkodran, që lexonin dhe shkruanin, duke e bërë qytetin më të madh atëhere shqiptar dhe sot më të madh të veriut epiqendër politike dhe kulture, por edhe ekonomike si pasojë. Vitet 1870-1900, pastaj 1906-1920 e kanë bërë Shkodrën vatrën kryesore të politikës, kulturës dhe diplomacisë shqiptare. Intektualisht në vitit 1930, edhe pse i polemizuar, Migjeni është kulmi i artit të guximshëm dhe modern. Vasa dhe Boriçi janë elementët e leximit dhe shkrimeve të larta dhe nuk ka nevojë më për komente të tilla.
Tani më duhet të autokritikoj dhe autodënoj si shkodran një pasmbetje të jashtëzakonshme të klasës politike në përgjithësi pikërisht në Shkodër. Ajo nuk reflekton më as oratorizëm, as letërsi, as politike të lartë dhe të rëndësishme, dhe as inteletualizëm të veçantë si qytet dhe rreth, dhe akoma më keq, nuk bën as hije në Tiranë. E gjitha kjo, ka ardhur në saj të mediokritetit dhe të kompleksit fajtor në saj, të mos leximit dhe reflektimit intelektual në mungesë. Shkodrës i ka rënë pesha specifike si qytet i madh dhe kulturor i Shqipërisë, sepse politikisht nuk ka gjeneruar në sasi dhe cilësi individë të lartë, dhe me peshë të jashtëzakonshme në fjalën dhe shkrimin e tyre.
Nuk gjen fjali dhe sentenca të larta, nuk shikon protagonizëm largpamës dhe garues në Tiranë dhe Kuvendin e Shqipërisë. Nëqoftëse ju dini ma thoni se dua ta di!? Së paku të lexoj të shkruarën e tyre dhe nuk e kam fjalën për facebook-un. U gjenerua, është e thënë e butë për klasën politike shkodrane, sepse në fakt është posaçërisht fjala “u katapultua” dhe normalisht katapultimi bëhet nga ato që nuk duan Shkodrën që të shkëlqejë me protagonizmin e saj. Ato që nuk e duan Shkodrën e madhe dhe kulturore, zakonisht janë ata që nga jugu i thonë “shkodërjanë” dhe nga veriu i thonë “shkodru”.
I kemi dëgjuar edhe pse Shkodra i ka brohoritur disa. E klasa politike shkodrane e sotme, është skllave e njerëzve të tillë, që kanë timonin e politikës në Shqipëri. Janë katapultuar njerëz (jo të gjithë) që nuk i kanë shkuar si lexim një libri deri në fund. Nuk kanë botuar dhe nuk kanë marrë mundimin të shkruajnë një esse, një shkrim të vogël, sa do të vogël. Mor po asgjë fare, asgjë! Mirëpo këta, duke pasur forcë, pastaj kanë mbushur zyrat me po të njëjtin model, kanë mbushur universitetin në Shkodër, me modele protagonizmi llafazan, ndër tavolina dhe kafe.
Protagonistët llomotitës të klasës politike në Shkodër “vrasin kohën me thashetheme për njëri tjetrin, dhe për botën, hapen se medemek fusin dorën në xhep, dhe presin mos të kalojë ndonjë viktimë për të paguar kafet”. Nuk meritojnë t’ju nxjerrësh qoftë edhe një kafe kaq derdimenë janë! Asnjëherë nuk janë seriozë dhe asnjëherë nuk bëjnë diçka që ti vlejë normalisht shoqërisë, por vetëm momentit dhe vetes së tyre. Rrezja e shikimit të tyre është akoma më e vogël se e kalit kur i vënë ato llapat në sy! Nuk lejojnë në asnjë mënyrë që dikush i ditur, i instruktuar dhe i mirë kopsitur në zbatim të ligjit, të bëjë emër dhe të drejtojë punët, si në qytet dhe në kryeqytet.
Po klasa politike si djathtas dhe majtas në Shkodër, është shembull protagonizmi që nuk lexon dhe nuk shkruan, por dërdëllis gjithë ditën dhe merr nëpër gojë gjithë botën, duke qenë vetë fundi i saj. Protagonizmi më idiot në Shqipëri është ai në Shkodër, kur mashtrimi me të vërtetën, është pikërisht parësore. Kjo është klasa në përgjithësi politike e qytetit të talentuar dhe “djep i kulturës” por që sikundër thonë sot në Shkodër “mbeti vazhdimisht në djep, dhe nuk u rrit kurrë”. Prandaj kur flasin dhe tregojnë përralla, janë ato që kanë bërë gjithçka që nga biçikleta dhe deri te raketat.
Po, kanë kryer gjithçka këto llafazanë dhe protagonistë të mashtrimit intelektual. Njerëz që nuk kanë lexuar një libër dhe po ti dëgjosh “të vjen keq se bëmat e tyre meritojnë Nobel”. Janë mashtrues të klasit sipëror dhe të pakonkurrueshëm për përrallaxhinj!! Po të bësh bisedë me to, mëson se “kur Kolombi vuri këmbë në Amerikë, pa njërin prej tyre duke mashtruar indigjenët dhe mësoi i shkreti dhe ai të mashtronte”.
Por absolutisht janë injorantë të pandreqshëm (jo të gjithë) dhe aspak të qartë, në se do të lënë ndonjëherë protagonizmin e tyre gënjeshtar. Nuk ndalen asnjëherë duke thënë dhe bërë mashtrime dhe protagonizëm idiot. Kur kanë dhe dy lekë në xhep, atëhere shikon protagonizmin jo vetëm injorant, por edhe kapadai. E qyteti vazhdon me dekada ti durojë dhe nuk janë vetëm në një krah, jo, janë absolutisht në të dy krahët. Kështu që Shkodra po humbet garën e saj të cilësisë intelektuale në Shqipëri.
Po e humbet, sepse nuk e lënë të tillë xhuxhmaxhuxhë të mendimit, dhe protagonistë të servilizmit, mediokritetit dhe arrogancës ndaj atyre më poshtë, me pushtet dhe rrethana politike. Ky është një turp i madh për Shkodrën dhe shoqërinë shkodrane sot. Turp, sepse nuk e lejon të ketë letërsi, art në përgjithësi, skena të larta, nuk e lejon të prodhojë shkrimtare dhe letrarë, dhe po ashtu edhe kompozitorë të mirë. Edhe kur dalin sepse Shkodra nxjerr pa fund, ikin, ikin nga sytë këmbët, sepse tarikati i injorantëve i lufton për ditë. Atë që punon dhe atë që bëhet protagonist i dijes, këta e luftojnë ashpër dhe fort.
Akoma Shkodra nuk po del nga ky tunel i keq ku ka rënë politikisht. Edhe ajo pjesë e vogël e politikës që di dhe shikon, nuk është shurdhe dhe qorre, nuk reagon sepse e marrin “hopa” të tillë delenxhij dhe arrogantë, që nuk janë vetëm në Shkodër dhe shkodranë, por dhe në krye të partive të mëdha dhe të vogla. E kjo është akoma më keq.