
Kryqëzata e Saliut kundër pavarësisë së medias
Djegia e një gazete dhe rrahja barbare e gazetarëve kur Berisha ishte president, është vetëm nisja e historisë së një diktatori që nuk ka reshtur akoma në sulmet ndaj medias. Përkundrazi, tani është bërë edhe më i egër, më i sofistikuar rrallë dhe më shpesh i drejtpërdrejtë dhe gjakatar. Nëse nuk i blen dot për t’i nënshtruar, i godet. Me sharje publike, gjoba, polici dhe deri te eksplozivi. Shënjestron gazeta, televizione, pronarë mediesh dhe gazetarë, duke u kthyer tashmë në satrapin e medies së lirë. Njësoj si diktatorët e tjerë, prej të cilëve ka mbetur i fundit akoma në karrige…
Goditje biznesit të Kokëdhimës
Sulmi më i fundit ndaj “Shekulli” u ekzekutua pak ditë më parë, kur policë të pushtetit u turrën në dyert e redaksisë për të mbyllur “Shekulli News kafe”. Për të lëshuar sinjalin se herën tjetër radhën e ka vetë media. Pa asnjë tërheqje prapa për hir të standardeve që duhet të plotësojmë dhe as të raporteve që kanë në dorë fatin tonë evropian. Njësoj siç u bë me 22 biznese në emrin e Koço Kokëdhimës, të goditura egërsisht dhe vetëm politikisht. Reagimi i kompanisë nuk tuti aspak diktatorin. Vetëm sa e egërsoi më keq, për të bërë planin për sulmin e radhës që nuk dihet kë media tjetër, jashtë rrethit të pushtetit, do të shënjestrojë.
Baze i gjobitur dhe i dhunuar
Mbyllja e gazetës “Tema” ishte vetëm nisja e një sërë sulmesh të tjera, edhe fizike, ndaj gazetarit Mero Baze. Mësymjet e tatimorëve, deri kur mbyllën me shirita dyert e medias, morën vendin kryesor në raportet ndërkombëtare, por as këtë herë Berisha nuk u ndal. E përndoqi edhe në televizionin “Vizion+”, sepse emisioni investigativ i Bazes e kishte shqetësuar në aktivitetet e tij të jashtëligjshme si për shembull rruga Rrëshen- Kalimash, gropa që thithi miliona euro të taksapaguesve. Apo shpërthimi i Gërdecit dhe përfshirja familjare në biznesin vdekjeprurës të demontimit amator të armëve, si dhe shumë skandale të tjetra. Pas dhunës fizike në hundën e policisë, gazetari mori sinjalin tjetër kur një sasi eksplozivi i hodhi në erë automjetin poshtë banesës së tij, nga bandat e Berishës.
Media e Bolinos, një histori pushtimi
Do të kishte qenë plot me episode kërcënimesh dhe dhune edhe historia e grupit “Edisud” ku përfshihet televizioni dhe gazeta, nëse biznese pranë qeverisë nuk do ta kishin blerë me para dhe presion. Kjo blerje në fakt nuk nënkupton vetëm vënien e kësaj kompanie mediatike në përdorimin e pushtetit por edhe nxjerrjen jashtë të Karlo Bolinos, njeriut që përfaqëson gazetarin e lirë dhe të pavarur, të guximshëm edhe pse u përball me grupe të rrezikshme në pushtet. Që ditën e dytë të blerjes, ndryshimi i linjës editoriale ishte vetëm hapi i vogël. Sepse pas kësaj nisi “spastrimi”, me largimin e drejtoreshës së “GSH”, Anila Basha.
Artan Hoxha, kërcënim për jetën
Gazetari që detyroi kryeministrin të ndryshonte gjithë përrallën e tij me puç dhe vrasje brenda turmës në demonstratën e 21 janarit, u kërcënua për jetën, menjëherë pas publikimit të videos ku dukej qartë si plumbat e Gardës kishin marrë jetën e protestuesve. Një zarf me dy plumba u dërgua në derën e banesës së gazetarit të guximshëm, ikona e gazetarisë investigative sot në Shqipëri, që denoncoi vrasjet shtetërore të 21 janarit, me zë dhe figurë. Ndërsa një tjetër gazetar, Fatos Mahmutaj, dëshmitar i plumbave që vinin nga Garda dhe që e plagosën edhe atë në dorë, u detyrua të largohej nga vendi për shkak të përndjekjes nga pushteti.
Top Channel, “armiku” i përhershëm
Me mbërritjen në pushtet dhe me etjen për hakmarrje, Berisha “fshiu” kontratat ligjore që kompania “Top Media” kishte nënshkruar me shtetin për ambientet me qera te ish piramida. Sulmi nisi krejt hapur, pas kërcënimeve që kreu i qeverisë kishte lëshuar që kur ishte në opozitë. Goditje biznesit me gjoba në shifra marramendëse, të akuzuar publikisht nga vetë kryeministri me kërcënime të rënda ndaj presidentit të kompanisë, themeluesit të gjigantit mediatik, të ndjerit Dritan Hoxha. Atentatet ndaj antenave të transmetimit në Tiranë dhe nëpër Shqipëri, ishin të vogla krahasuar me kërcënimin e madh, që tashmë ka marrë edhe formën e ligjit me votat e mazhorancës.
Dëbimin nga ambientet e ish piramidës. Pa pritur vendim gjykate dhe pa pyetur për apelet e ndërkombëtarëve, gjoja nën zbatimin e një projekti tejet të dyshimtë për të ndërtuar në vend të qendrës kulturore, një parlament të ri për Topallin. Ndërkohë, sharjet dhe ofendimet publike i kanë shkuar për “dekor” gjithë këtij sulmi ndaj kompanisë mediatike. Gazetari Sokol Balla dhe bashkëshortja e tij janë vënë në shënjestër në mënyrë të përsëritur, përmes akuzave si “telebelinda”. Turp për kryeministrin! Me siguri këtu nuk ka mbaruar. Kompanisë do t’i duhet të paguajë akoma për pavarësinë e saj dhe refuzimin për t’u “blerë” nga Berisha.
Çakuli, Balla, Bushati edhe puçistë
Thirrja e gazetarëve të njohur për dëshmitarë të “show”-t gjakatar të Berishës në 21 janar, në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” erdhi pasi vetë kryeministri i kishte etiketuar më parë si “puçistë”. Dhe pasi kishte ngritur në një votim natën në Kuvend, vetëm me votat e mazhorancës, një komision turpi parlamentar për të deformuar gjithë atë që shqiptarët panë “live” në televizionet ende të pavarura.
Komisioni “Halimi” bëri mandej edhe kërkesën për të marrë tabulatet telefonike të Mero Bazes, Sokol Ballës, Andi Bushatit, Filip Çakulit, duke pretenduar se që aty mund të zbardhej puçi imagjinar në kokën e kryeministrit. Berisha u detyrua të tërhiqej nga ky hap vetëm pas presioneve ndërkombëtare që e cilësuan si shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe lirisë së medias. Por nuk u tërhoq as edhe një milimetër nga akuzat monstruoze ndaj këtyre përfaqësuesve të medias. Të paktën deri kur e harroi edhe vetë “puçin” me të cilin bëri alibi për vrasjen e katër shqiptarëve nga plumbat e Gardës dhe me urdhër të tij, në mes të ditës dhe në mes të bulevardit. Nën dritaret e zyrës së tij.
Vizion +
Nga jashtë, në dukje një kontroll rutinë në brigjet e Vlorës në jahtet e pronarëve të kompanisë “Vizion+” ishte sinjali i fortë që edhe kjo media ishte futur në shënjestrën e pushtetit. Më parë, të njëjtët emra ishin akuzuar pa fakte për bizneset e tyre për të bërë alibinë e gjobave të firmosura dhe të ekzekutuara nga policët e pushtetit. Akuza që nuk u ndalën as kur kompania u ble nga të huajt.
“Korrieri”, mësymje policore dhe gjoba deri në mbyllje me dryn. Mbyllet edhe “Albania”
Gazeta “Korrieri” ishte e para që u detyrua të vërë “drynin” përballë presionit dhe gjobave me shumë zero që pushteti i faturonte për pavarësinë e saj. Pas saj edhe gazeta “Albania” po për të njëjtën arsye. Edhe pse nuk ia arriti dot të njëjtit qëllim edhe me gazetën “Tema”, Berisha nuk nguron të përdorë presionin edhe për mediat e tjera që nuk janë rreshtuar në Oborrin e tij.
Revista “Mapo”, gjoba ndaj Agim Shenedielles
Në të njëjtën shënjestër është edhe revista “Mapo”, artikujt e së cilës kryeministri i ka interpretuar si goditje ndaj tij. Dhe për këtë arsye ka ndërmarrë sulmin e zakonshëm ndaj biznesit të botuesit të revistës, Agim Shenediella, i cili zotëron 50 për qind të aksioneve, duke gjobitur dhe madje edhe duke i grabitur prona në emër të tij. Në një treg ku mediat, jo për rastësi ato që dalin si fryte të çiftëzimeve biznes- pushtet, lulëzojnë përditë mbase nuk duken kaq fatale mbyllja e ca të tjerave. Por në një vend demokratik, siç pretendohet se është Shqipëria ku akoma vota mbetet mall në duart e pushtetit, ky fakt është më tepër se i rëndë dhe skandaloz.
Për më tepër kur të gjitha falimentet, mbylljet, blerjet vijnë si rrjedhojë e një lufte të hapur që kryeministri u ka shpallur sepse nuk i nënshtroi dot. Tashmë, nuk mbetet vetëm një zgjedhje e qytetarëve se tek cili stacion televiziv do të dëgjojnë lajmet apo cilën gazetë do të marrin në mëngjes. E vërteta dhe liria, nuk po i rezistojnë dot më diktaturës. Edhe pak mbetet deri kur Berisha t’i blejë edhe ato për të na i shitur të shtrembra dhe gënjeshtra. Deri atëherë do të vazhdojë akoma të godasë, djegë, gjobisë, dhunojë, kafshojë, rrëmbejë dhe vjedhë…
Ama News







