Nga Bledar Lumani
Prej ditësh ndaj studentëve kishte nisur presioni që të dilnin në shesh, ishte paralajmëruar mbyllja e bibliotekës, përflitej dhe mbyllja e konvikteve. Në ditën e mitingut atyre iu janë fikur dhe dritat, por kjo nuk i ka tunduar studentët që të zbresin në shesh, pikërisht në ditën e festës së tyre
Prej 19 vjetësh 8 Dhjetori është konsideruar si dita e të rinjve dhe studentëve në Shqipëri, në përkujtim të protestave të tyre për rrëzimin e komunizmit. Ndaj, në mitingun e organizuar, më shumë se kushdo, në sheshin “Skënderbej” pritej që prania e tyre të ishte mbizotëruese. Vendin e tyre në fakt e kanë zënë gjimnazistët e detyruar nga mësuesit për të shkuar në miting dhe punonjësit e administratës, që kishin ardhur nga çdo cep i Shqipërisë, në këmbim të ruajtjes së vendit të punës. Të zhgënjyer nga ajo se si kanë ecur gjërat në vend pas 19 vjetësh demokraci, studentët dhe të rinjtë tashmë duket se e kanë humbur entuziazmin e protestave dhe besimin te politika. Mungesa e tyre në ditën që simbolizon veprën e tyre e tregon qartë këtë. Pavarësisht optimizmit dhe shifrave të paraqitura nga organizuesit e mitingut, evidente ishte se në të mungonte zëri i të rinjve.
…
“Ecën drejt dritës… E ndoqën nga pas deri në rrezen më të shndritshme, atë të lirisë”. Kështu e fillonte gazeta “Standard” shkrimin për mitingun e tri ditëve më parë, duke iu referuar kryeministrit Berisha. E vërteta është se më 8 dhjetor kryeministrin Berisha të paktë kanë qenë ata që e kanë ndjekur me dëshirë. Në shesh shihje njerëz indiferentë, të cilët prisnin një orë më parë mbylljen e mitingut, pasi pjesën më të madhe e tyre e priste një rrugë e gjatë. Duhet të ktheheshin në qytetet e ndryshme të Shqipërisë, nga dhe ishin detyruar që të vinin për të marrë pjesë në miting. Nëse nuk do të ishin bindur, ndoshta sot do të ishin të papunë. I tillë është rasti i një mësueseje nga Memaliaj, e cila nuk ka pranuar që të identifikohej, për shkak të frikës së pushimit nga puna. Ajo, edhe pse me bindje të kundërta politike, ishte detyruar që të bënte pesë orë rrugë për në Tiranë dhe të merrte pjesë në miting, ndërsa i duhej që të kthehej përsëri brenda ditës dhe të bënte edhe pesë orë të tjera rrugëtim, sepse të nesërmen duhej të shkonte në punë. “Kam dy djem në shkollë të lartë. Për ta erdha, në të kundërt nuk vija. Na kërcënuan se, nëse nuk merrnim pjesë në miting, do të na pushonin nga puna”, – thotë mësuesja nga Memaliaj.
Si ajo ishin me mijëra ata që u detyruan të merrnin pjesë në mitingun e organizuar nga Partia Demokratike. Gjithçka të kujtonte, për aq sa kam dëgjuar, pasi nuk e kam jetuar atë periudhë, mobilizimet e dikurshme për manifestimet e 1 Majit që organizoheshin nga Partia e Punës së Shqipërisë, me në krye diktatorin Enver Hoxha. Ky i fundit kërkonte që të tregonte mbështetjen që kishte në popull, gjë të cilën duket se e ka qëllim edhe kryeministri Berisha. Kohët ndryshojnë, por njerëzit duket se mbeten të njëjtë. Në këtë rast kjo mund të thuhet më së miri për kryeministrin Berisha, i cili duket se i zotëron njësoj si diktatori Hoxha metodat për të treguar mbështetje. Mbështetje që në fakt mungonte pikërisht nga pjesa që simbolizonte këtë ditë, studentët.
…
Ndërsa në sheshin “Skënderbej” zhvillohej mitingu festiv në përkujtim të të rinjve, në Qytetin Studenti, aty ku dhe i ka fillesat kjo ditë, për studentët ka qenë si çdo ditë tjetër. Ata i gjeje nëpër kafenetë e qytetit apo qendrat e internetit, krejt indiferentë për atë që zhvillohej në shesh. Por indiferenca e tyre ndaj mitingut duket se ka shqetësuar punonjësit e Qytetit Studenti, të cilët janë vendosur aty për shkak të bindjeve politike. Këtë indiferencë ata kanë menduar që ta trazojnë me fikjen e dritave në të gjitha konviktet dhe zonat përreth dhe me thirrjet për të dalë në shesh. Veprime të kota në fakt, sepse studentët më shumë janë irrituar nga metodat e dëshpëruara të punonjësve të Qytetit Studenti për t’i nxjerrë atë në shesh kundër dëshirës së tyre.
Në fakt, gjithë punonjësit e qytetit që simbolizon demokracinë, e kishin nisur fushatën e tyre për sensibilizimin e studentëve që të merrnin pjesë në miting, që disa ditë përpara 8 dhjetorit. Në gjithë Qytetin Studenti gjeje pankarta dhe banderola të shumta, që bënin thirrje për të marrë pjesë në miting, ndërsa kishin nisur njoftimet për mbylljen e bibliotekës, ku studiojnë studentët apo edhe të vetë konvikteve. Kjo është pohuar nga shumë studentë, të cilët shprehen të bezdisur nga këto forma që ndiqen për t’i bindur ata të marrin pjesë në mitingjet e ndryshme të organizuara nga politika.
Pjesa më e madhe e tyre shprehen se janë të shqetësuar për studimet, që t’i mbarojnë në kohë, por edhe për pjesën pas përfundimit të studimeve. Studentët shprehen se ndjehen të stresuar, kur mendojnë se sa e vështirë është bërë për të gjetur punë në Shqipëri dhe këtë mund të bësh vetëm nëpërmjet njohjeve apo përfshirjes në organizata të partive të ndryshme, ku të duhet të presësh për vite me radhë, derisa të gjesh një punë. “Është shumë shqetësues fakti i mendimit se ti mbaron studimet e larta dhe nuk mund të gjesh punë. Kjo është një situatë shumë problematike dhe me sa po shoh gjendja po bëhet gjithnjë e më e vështirë, ndërsa jeta gjithnjë e më e shtrenjtë”, – shprehet një prej studentëve, për të cilin mitingjet e organizuara nga partitë politike janë shqetësimi i fundit që mund të zënë pjesë në jetën e tij.
Gjatë gjithë fushatës organizuese për mitingun e 8 dhjetorit, organizatorët kishin pohuar edhe pjesëmarrjen e shumë artistëve të njohur, të huaj edhe shqiptarë. Mes tyre bënte pjesë edhe grupi i njohur i rokut, “Sunrise Avenue” dhe emrat më të njohur të momentit në muzikën shqiptare. Pavarësisht kësaj, në shesh vërehej qartë mungesa e entuziazmit, gjë që nuk kishte si ndodhte ndryshe, pasi mungonin të rinjtë.
…
“Ecën drejt dritës… E ndoqën nga pas deri në rrezen më të shndritshme, atë të lirisë”. Është fjalia ndoshta më e goditur për kryeministrin Berisha. Po, atë e ndjekin nga pas. Por e ndjekin njerëz të dëshpëruar nga situata e vështirë, në të cilën ndodhet Shqipëria, të lodhur nga varfëria dhe vështirësia e jetës në këtë vend, të fyer nga trajtimi që u bëhet, duke i marrë me dhunë nëpër mitingje, me kërcënimin se do t’u heqin bukën e gojës.
E ndjekin klithmat e viktimave dhe familjarëve të Gërdecit, të cilët kërkojnë drejtësi.
E ndjekin zërat e pronarëve dhe ish-pronarëve, të cilët shohin përditë se si u vidhet prona e tyre nga njerëz të afërt të qeverisë.
E ndjekin britmat e ish-të përndjekurve dhe ish-të burgosurve politikë, të cilët vazhdojnë të trajtohen në mënyrën më të ndyrë, njësoj si në kohën e diktaturës.
E ndjekin zërat që i kujtojnë çdo ditë aferat korruptive të së bijës dhe të birit.
Të gjithë e ndjekin pas kryeministrin Berisha!