PORTRET KËNGËTAREJE
(Kristina Marku – këngëtare)
Shkruan: Shefqet DIBRANI
Kristina Marku, lindi në Dardhë të Pukës.
Shkollimin fillor e mbaroi në vendlindje, të mesmen dhe studimet për mësuesi i mbaroi në Institutin e Lartë Pedagogjik në Shkodër. Në ndërkohë bashkë me familjen shpërngulet në Fushë Arrëz, e në fund të viteve të nëntëdhjeta përfundimisht vendoset në Tiranë.
Ka ushtruar për një kohë profesionin e mësuesisë dhe në të njëjtën kohë ka qenë edhe në stafin drejtues të shkollës.
Në fillim të viteve 2000 ajo i rikthehet skenës muzikore, kurse tani muzika për të nuk është vetëm një pasion, por është bërë preokupim dhe përkushtim profesional.
Kristina Marku ka marrë pjesë në disa festivale dhe turne artistike: Në Festivalin e Klasës Punëtore, sa ishte studente, dhe më pas edhe në Festivalin e Grupeve dhe Orkestrinave Popullore, si dhe ka marrë pjesë në turne të ndryshme me Ansamble të Këngës Popullore pothuajse kudo nëpër Evropë, ndërsa nga viti 2008, ajo pjesën ma të madhe të jetës artistike e kalon duke kënduar në Zvicër, pa i anashkaluar edhe koncertet e saj në Gjermani, Austri, Belgjikë dhe Greqi.
Ajo, qysh në moshën e re u ngjit në skenën e muzikës, fillimisht në aktivitetet e shkollës fillore në Pukë e rrethinë, dhe më pas edhe si nxënëse e Shkollës së Mesme “Shejnaze Juka” dhe si studente në Shkodër.
Në vitin 1984 në Festivalin e Këngës Popullore Pukjane ajo u vlerësua me çmimin e parë me këngën “Hidhe vallen Puka jonë”, e më pas për një kohë të caktuar do të shkëputet nga skena publike për t’iu përkushtuar vetes, familjes dhe profesionit të mësueses.
Pavarësisht rrethanave ajo as gjatë asaj kohe nuk do të shkëputet krejtësisht nga kënga të cilën e deshi me afsh dhe e cila e bëri mjaftë të njohur. E më pas ajo i rikthehet me përkushtim skenës publike duke u marrë në mënyrë aktive me këngën, qoftë si interpretuese, soliste dhe shpeshherë edhe si autore tekstesh për këngë, veçmas duhet theksuar atë për “7 bajrakë s’bashku përjetë”, këngë kjo tekstin e së cilës e ka shkruar vet Kristina.
Sot në raportuarin e saj i ka me dhjetëra këngë origjinale dhe dy albume muzikore si dhe shumë klipe të realizuara me mjaftë sukses të cilat kanë bërë jehonë në gjithë hapësirën shqiptare dhe më gjerë.
Përveç këngëve kohëve të fundit është shquar edhe për prezantimin artistik përmes fotografive mjaftë mirë të realizuara të cilat këtë këngëtare jo vetëm që e paraqesin më të bukur, por edhe më joshëse dhe më tërheqëse edhe nga pamja fizike, ndoshta kjo ka ardhur siç shprehet vet ajo, për shkak të trendit të ri në zhvillimet vizuale ku kënga shijohet edhe ma mirë kur gërshetohet edhe me pamjen fizike, si një lloje përformance përjetuese.
Bashkë me këngën Kristina Marku ka një përkushtim familjarë, kurse në bisedat me të, temë e përhershme është familja, fëmijët e saj dhe publiku të cilëve ajo iu ka qasur me përkushtim dhe asnjëherë nuk dëshiron t’i zhgënjej asnjërën palë, pasi ata janë mbështetja kryesore për të qen Kristina një këngëtare kaq e afirmuar.
Ashtu siç ndodhë me të gjitha personalitete e këngës, artit dhe skenës publike edhe për Kristinën veçohet një këngë e cila ia ka thyer parashikimet asaj si autore teksti dhe interpretuese, si dhe bashkëpunëtorëve profesionist të këngës “7 bajrakë s’bashku përjetë”, e cila u bë një hit i vërtetë, kurse Kristit (emri përkëdhelës i saj) i ka dhënë një dimension real si këngëtare mjaftë e kërkuar. Sot kjo këngë në rrjetin social Youtube ka ma shumë se gjysmë milion shikime. Ajo këngë është kënduar me pasion dhe ka një interpretim më përjetues sepse i kushtohet trevës së Pukës, vendlindjes së këngëtares, vendit ku ajo hapëroi për të parën herë dhe u rrit në mesin e artistëve me nam me të cilët krenohet krahina e Pukës, ndërsa këngëtarja vazhdimisht për Pukën ka mall duke kujtuar përherë kohën e rinisë, pasi Puka për të është vendi ku i pushojnë ëndrrat më së miri.
Nga repertori i saj, ndër këngët më të njohura janë: Përveç “7 bajrakë s’bashku përjetë”, edhe këngët: “Nuse me fat”, “Çuni i lalës”, “Zemrën ta kam falë”, “Pema e dashurisë”, “Merrja këngës me shoqni”, (të gjitha të shoqëruara me klip), si dhe mjaftë të tjera të kënduara dhe interpretuara me pasion, kurse Kristina është bërë emër i dashur dhe si këngëtare mjaftë e respektuar.
Natyrisht një këngëtare siç është Kristina Marku nuk do të kishte suksesin e saj pa pasur edhe mbështetjen profesionale nga pedagogët, kompozitorët për të cilët ajo shpreh respektin e saj, sidomos kujton profesorin Halit Shpuza, i cili që në bankat e shkollës së mesme e kishte sugjeruar dhe nxitur Kristinën që t’i përkushtohej këngës. Edhe bashkëpunimin profesional me kompozitorët Kolë Susaj, Alban Furtuna, Endrit Furtuna, Behar Neli etj. e konsideron fat, pasi këta emra e begatojnë edhe më mirë anën profesionale, ndërsa për tekstet e këngëve ajo i ka zgjedhur autorët: Jorgo Papingji, Gëzim Mneri, Ejup Shabani e ndonjë tjetër.
Kristina Marku është një këngëtare me vokal të admirueshëm ku këndon dhe interpreton me pasion këngët popullore dhe folklorike nga treva e veriut, pastaj këngët qytetare, këngët e muzikës së lehtë dhe deri tek këngët moderne të cilat me zërin e saj melodiozë dhe sidomos për vokalin e saj të admirueshëm ajo ka arritur me sukses të shkëlqej në secilën këngë që e interpreton.
Kristina Marku është një këngëtare dhe artiste mirë e realizuar, mjaftë ambicioze, nga sjellja tejet modeste dhe posedon shumë energji pozitive, prandaj ka arritur të pushtoj zemrat e shumë artdashësve të cilët e shoqërojnë dhe e mbështesin atë dhe këngën e saj në çdo hap.
Pas të gjitha përpjekjeve profesionale dhe sfidave të jetës, e gjejmë Kristina Markun një këngëtare të stabilizuar dhe me përvojë të gjatë publike. Prandaj ajo ka arsye pse me kaq përkushtim dhe dashuri iu ka qasur këngës, kurse arritjet e saj ajo vazhdimisht i ndan me publikun duke e llogaritur si çelës i suksesit të saj.
Sot, Kristina Marku ndjehet mjaftë e lumtur me profesionin e saj prej një këngëtareje mjaftë e realizuar.
Me disa albume të shoqëruara dhe me disa video-clipe, me thjeshtësinë dhe brishtësinë e fjalës artistike, ajo ka modestinë si virtyt dhe vlerë që e karakterizojnë paraqitjen e saj publike. Edhe pse në rrjetet sociale siç janë Facebook dhe Yuotube ku ka me dhjetëra-mijëra adhurues, Kristina Marku përsëri mbetet e thjesht dhe përplot hare, andaj nuk është befasuese pse sot ajo është renditur si një këngëtare e muzikës popullore, ku kënga e saj dëgjohet me pasion dhe dëshirë në të gjitha trevat shqiptare.
St. Gallen, 10.11.2015.
*Gazeta “Bota sot”, 16.11.2015, faqe 24.