Në protestë jo për Ramën, por për veten

3
76

Hervin ÇULI

Hervin ÇULI, 25.04.2010

Ka kohë që mendoj se të qenit mitingash është një “profesion” i rëndomtë dhe i manipuluar nga BAJRAKTARI i partisë politike që e organizon. Me dhimbje, kam kohë që i shoh të mjerët njerëz tifozë të kësaj apo asaj partie politike, të ngjiren duke ulëritur atë çka i pëlqen liderit. Ka dhe nga ata syresh, që shtyhen të dalin në krye të turmës e ti bien në sy kryetarit, duke nxjerrë rrylat edhe më shumë, sapo AI hedh ndonjë vështrim përciptas nga ata.

Në mëngjes, këta demokratë të devotshëm, zgjohen me ëndrrën dhe shpresën e madhe se gurmazi i mjerë mund t’ju sigurojë ndonjë vend pune, ku të dredhin zinxhirin gjithë ditën e ditës dhe të marrin rrogën qyl. Dhe për të thënë të vërtetën, kjo ka funksionuar. Fitorja e PD në zgjedhjet e 2005 tregoi se ULËRAKU mund të ulte prapanicën në çfarëdolloj karrigeje, s’ka rëndësi nëse është inxhinier dhe bëhet drejtor në Ministrinë e Arsimit apo se është veteriner dhe mund të bëhet specialist në Ministrinë e Jashtme.

Madje dhe një ministër që ka mbaruar për aktor është i Mbrojtjes, ndërsa tjetri që është specializuar për sigurinë është i Kulturës. Bajraktari Berishë demostroi se kulla shqiptare është pronë që ia ka lënë i ati, dhe kushdo që përfiton vizën për t’u futur aty brenda, duhet të kalojë nga sita e tij dhe e familjes së tij. Kulmi arriti kur edhe një serb “i mirë”, kishte më trimëri sesa edhe vetë banorët e kullës, në sigurinë për t’u futur brenda saj. Por këto edhe shumë të tjera janë pak, madje shumë pak përballë Jetës Time.

Këtë e kuptova këto dy muaj që nuk po paguaj dot dritat, sepse fatura e tyre ma zuri frymën dhe mi errësoi sytë. Duhet të paguaj fiks 110 mijë të vjetra në njërin 30 ditësh dhe 108 në tjetrin. Tmerr! Shtëpia është e vogël dhe harxhimet e korentit janë fare minimale. Madje edhe në të ftohtin më të madh, për të mos ndezur kaloriferin, babai im i sëmurë vishte xhup dhe hidhte një batanije shpatullave për të kursyer. Për të gatuar, nëna pothuajse e ka harruar si përdoret soba me korrent, pasi kollandriset me një plitkë të vogël me gaz, për të mos harxhuar. Im atë, ka një jetë të tërë që punon dhe përveç një pensioni qesharak nuk ka fatin të nxjerrë asgjë tjetër.

Nëna ime po ashtu është në pension, me një shifër që nuk kap as vlerën e dritave në muaj. Unë po dihet jam pa punë! Ç’të bësh! Kisha 14 vjet që jeta ime ishte profesioni im! “Nuk pate shqisë politike”- më thonë disa miq. Ç’tu desh ty që llap gazetave e televizioneve duke sulmuar sistemin. Ishe si zonjat, si anëtar i Kopit dhe një vend pëllumbash do ta kapje” – ma mbyllin kohën e protestës time shoqërore ata. Ndërsa djali i tezes që punon në shtet, ka një version edhe më të moderuar. “Të hongsha bithën o shtet” – të gjente gjo po të thoje kështu nga mëngjesi deri në darkë, o trap. Nganjëherë, edhe pse më vjen turp nga vetja, them se kanë të drejtë si miqtë dhe çuni i tezes.

Jo vetëm që nuk nxora gjë në dritë me reformimin e sistemit, por metastazat e tij më nxorën jashtë me kënaqësinë më të madhe. Puthadorët e Bajraktarit u kujdesën ethshëm për t’i pastruar institucionet nga armiqtë dhe dezertorët e partisë. Në vend të tyre u punësuan profesionistë të sygjeruar me kompetencë nga Liri Berisha dhe shokë të tjerë të partisë. Si i bëhet? Si do jetojmë? Bajraktari e ka rrezen e madhe, rrjedhimisht për të gjetur punë është e pamundur, pasi armiku i shtetit duhet dërrmuar, shkatërruar, që të mos i gënjejë mendja ndonjë tjetri të llapë lart e poshtë.

Tregu i lirë në profesionin tim nuk funksionon! Si i bëhet pra? Mendova një herë të vjedh ndonjë bankë, por me thënë të drejtën s’ma mban se nuk do ta përballoja dot burgun. Aq më tepër, që edhe atje drejtori për të më bërë ndonjë favor, do të më kërkonte të kapja sapunin duke votuar për udhëheqësin e lavdishëm kur të vinin zgjedhjet. Se edhe ai i shkreti do të mbronte vendin e punës. Pastaj mendova se nga dëshpërimi isha në gjendje të vrisja veten! Por me thënë të drejtën, as për këtë nuk kisha forcë. Atëherë!?
Më mbetet vetëm të shpresoj.

Nuk e di nëse Edi Rama do të jetë në një të ardhme të afërt, po i njëjti pronar i kullës! Nuk e di nëse do jetoj më mirë, nëse do ja dal me faturën e dritave, nëse do gjej punë, nëse nëna ime do gatuajë te soba me korrent dhe babai im do ta flakë batanijen tutje, por më duhet të shpresoj. Po vdiq shpresa ekuilibri im ka mundësi të më tradhtojë. Kush është zgjidhja? Si i bëhet pra? Nuk e di, ndofta analisti dhe individualiteti më i pakorruptuar në këtë vend, zoti Fatos Lubonja (këtë e them vërtetë me shumë respekt), mund ta kishte një përgjigje. Por, sa ai të zgjidhë çështjen e sheshit, duke i plotësuar orët e punës Fevziut, vështirë se mund t’ia ketë ngenë takimit tonë.

Ndaj do të jem në shesh më datë 30 prill, jo se jam mitingash! Ndaj do jem në shesh në datë 30 prill, jo për Edi Ramën, por për të shpresuar! Do jem në shesh në datë 30 prill, që t’i them Bajraktarit që kulla nuk është kullë, por është një shtëpi e përbashkët, ku të gjithë kemi të drejtë të ekzistojmë, ashtu siç kanë të drejtë të ekzistojnë dhe fëmijët e tu. Do të jem më 30 prill që t’i them Edi Ramës, që nëse një ditë do ta zëvendësosh bajrakun me bajrak, ne do të jemi përsëri aty në një 30 prill tjetër sepse duam të jetojmë.

3 COMMENTS

  1. Deshperimi, kjo semundje e Vdekjes, te paska kapur edhe ty. I kuptoj kushtet e keqija ekonomike ne te cilat ndodhesh, por kalimin nga pjesemarja aktive te grades pare, vota, ne kete nivel nuk arrij ta kuptoj. Pa dashur te mbroje askerkend deshiroj vetem te pyes:
    I ke vene shpresat tek Rama?
    I ke vene shpresat tek Socializmi?
    E drejta e manifestimit publik, neni 47 i Kushtetutes vlen per te gjithe, kur behet sipas rregullave e ligjit.
    Me duket se fjalet e çunit te tezes paskan bere efekt!
    Do nje keshille nga une? Je nje regjizor i mrekullueshem, ke aktivizuar shume te rinje ne çfaqjet e tuaja, vazhdo puno dhe ke per te pare qe nje dite ke per te qene i lumtur me ate qe ke bere.
    Vaclav Havel thote per intelektualin “Ky humbes i perjetshem”, por e thote ne sensin ekonomik ne gjerat e tjera intelektuali eshte i paarritshem. Sipas meje ti bene pjese ne eliten e intelektualve te fushes tende.

  2. Agim,

    njerëz si ti e lënë këtë vend në këtë gjendje…

    Nuk mund ta vlerësosh nga Italia se si ndjehen njerëzit në Shqipëri, nën qeverisjen e dy të cmendurve, Berisha e Topalli. Ata kanë humbur sensin e realitetit, por kjo nuk do të thotë, që ti të dëgjosh gënjeshtrat e tyre.

    Autori i shkrimit është mjaft realist, jemi shumë njerëz e kontribues të ardhjes së PD-së në pushtet, që jemi goditur pa shkak nga krerët e PD-së, vetëm se ata demonë duan të na mbyllin edhe gojën. Por a duhet ne të mbyllim gojën, apo të gjejmë rrugë alternative të protestës kundër këtij pushteti, që po bëhet përditë e më shumë i papërballueshëm për shqiptarët?

    Edhe unë jam për protestënh, për të mbajtur gjallë shpresën.

    Dashamiri, mjek, student i dhjetorit ’90-të.

  3. I nderuar Z.Dashamir, mjek, ish student i 90-tes !
    Me dashamiresi po te pergjigjem me fjalet e nje mjeku, gazetari, oratori: JEAN PAUL MARAT –
    “E shkuara ka vlere, por tashme ka shkuar; duhet te rifitojme kohen e humbur ne te ardhmen, qe do te jete si ne do ta deshirojme. Kujtimi nuk mbetet, vetem per ata te pakte, qe kishin mendje per te menduar, sy per te qare e zemer per te kuptuar mjerimin e madh te popullit e per te marre ne konsiderate gropen ne te cilen Franca ( ? ) eshte duke u hedhur me nje shpejtesi te çmendur.
    – Ti o popull i Frances ( ? ) duhet te njohesh thelle njerezit, te cileve ti mendon t’u besosh ngarkesen delikate te perfaqsimit. Ti duhet te dish kujt ja beson zerin tend, aspiratat e tuaja dhe te drejtat e tuaja te pamohueshme e te paparashikueshme.
    – Mjere ti, nese pa u menduar, kalimthi, i emeron, i cakton.
    Paaftesia e tyre apo pandershmeria e tyre mundet perfundimisht te te humbasë sot qe, je i mjere por i forte, trupedjegur por me rrenje te paprekura, iu afron te luftojne per te mbrojtur te drejten tende…”
    Populli kur del ne shesh e demostron nepermjet numrit vullnetin e tij, qe duhet plotesuar pa zvaritje, pa shtyrje.

    Z Dashamir, mjek, kontribues i ardhjes ne pushtet te PD, i goditur nga kreret e PD, student i dhjetorit te 90-tes çfare kerkon?
    Ai qe nuk di se çfare kerkon, s’ka per te marre kurre.
    Te keshilloj te lexosh pergjigjet e mija, po ne kete sit “Fjala e lire, Shkoder” per artikujt: Shpresa e Berishes per te blere zgjidhjen e krizes”, 21/04/10 dhe “Perseri per intelektualin e deshtak”, 24/04/10.

    Nje njeri i zgjuar, qe e do popullin e tij, qe nuk gjykon vetem mbi bazen e asaj qe sheh, degjon, shijon, nuhat, per çdo gje duhet te beje pyetjet Pse? Pse? Pse?
    Pse? Pse?
    Cfare eshte demokracia?
    – Demos cratos, (Popull, Pushtet), qe do te thote me pak fjale qeveri e popullit.
    Cfare eshte shteti?
    – Hobbes e percakton: “Shteti eshte nje kontrate ndermjet njerezve, per te evituar kushtet e nje lufte te perjetëshme.”
    Si vihet ne pushtet ?
    – Nepermjet ligjshmerise : Kushtetutes
    Cfare demokracie kemi, Demokraci direkte apo perfaqësive?
    – Kemi Demokraci perfaqësive, indirekte. Neni 1/1 i Kushtetutes “Shqiperia eshte nje Republike parlamentare.” Pushteti ushtrohet nga perfaqësuesit e zgjedhur nga populli.
    Kush i cakton keta perfaqsues te popullit?
    – Ne nje sistem perfaqsimi, ne realitet, nuk jemi ne qe i zgjedhim perfaqsuesit tane, por jane perfaqsuesit tane qe na bejne t’i zgjedhim neve.
    Ajo qe na mungon neve eshte kultura demokratike.
    Nje demokraci politike pa kulture demokratike te shperndare ne qytetaret nuk do te ishte nje demokraci.
    Miku im, problemet ne Shqiperi jane te shumta !!!!
    Ato do te zgjidhen kur shumica te kuptoje, qe nuk eshte ajo qe ka gjithmon te drejte, qe drejtesia eshte ne zgjidhjen e problemeve te shtruara, duke respektuar te drejtat civile, te drejtat politike, te drejtat ekonomike, te drejtat sociale, te drejtat etike.
    Duke rikujtuar qe demokracia ka edhe paradokse: nese shumica do te kerkonte nje qeveri antidemokratike, demokracia do te ndalonte se ekzistuari.
    Qe demokracia dhe liria nuk jane sinonime.
    Ne nje sistem mund te kete demokraci pa liri dhe mund te kete liri pa demokraci.
    Morali eshte nje art, ai eshte nje nga mashtrimet me dinake dhe perfitues .Morali njerezor nuk eshte gje tjeter, veçse nje fraksion i egoizmit.

Comments are closed.