Në një qese bashkë!

0
24

Nga Mero Baze, 28 Qershor 2012

Sali Berisha shmangu një ortek votash popullore kundër tij në vjeshtën e këtij viti, të cilat mund të mbanin ndezur atmosferën e një vote popullore kundër deri në pranverën e vitit 2013, kur do të mbahen zgjedhjet e përgjithshme. Por mbi të gjitha, duke shmangur referendumin kundër importit të plehrave në vend, Sali Berisha i ka dhënë garanci politike mafies së plehrave, duke siguruar atë se fatin e tyre dhe të vetin nuk do ta lërë në dorë të popullit shqiptar.

Edhe pse komentet e para agresive kundër Berishës e akuzojnë atë si një njeri të blerë nga mafia e plehrave, interesi për të mos bërë referendumin është më i madh se kaq, dhe më afatgjatë se kaq. Nëse Sali Berisha do të lejojë referendumin për plehrat dhe të mundet keqas në të, siç janë të gjitha gjasat, ai do të humbë jo vetëm shanset për këtë biznes të ndyrë, por dhe shanset që të qëndrojë në pushtet.

Kjo e dyta është më e rëndësishme dhe më jetike për të dhe mafien e plehrave se sa fitorja apo humbja e referendumit. Është kjo arsyeja kryesore që ka diktuar hedhjen poshtë të kërkesës për mbajtjen e referendumit, duke e futur atë në një spirale juridike që praktikisht e bën të mundshëm mbajtjen e tij deri në vitin 2015. Një referendum kundër importit të plehrave në vjeshtë, ku palë mbrojtëse ishte qeveria, mund të merrte rreth 75 për qind të votave pro, çka do të thoshte një shkatërrim total të mbështetjes popullore për Berishën dhe një sukses maksimal të frymës antiqeveritare në vend.

Duke qenë se kjo ishte betejë e shoqërisë civile me qeverinë, e cila u fitua moralisht, por u bë praktikisht e pamundur për arsye politike, atëherë në skenë duhet të dalin aktorë politikë. Opozita duhet të marrë në dorë fatet e referendumit kundër importit të plehrave për të gjetur rrugët ligjore që e realizojnë atë brenda këtij viti.

Një rrugë është udhëheqja e protestave popullore kundër importit të plehrave dhe bllokimi i çdo veprimtarie importi deri në mbajtjen e referendumit. Opozita duhet të gjejë rrugët për t’u drejtuar Gjykatës Kushtetuese, që të pezullojë zbatimin e ligjit për importin e plehrave deri në mbajtjen e referendumit. Meqë Berisha formalisht u detyrua të pranojë referendumin, atëherë ai duhet të detyrohet të pezullojë ligjin për importin e plehrave deri sa të mbahet referendumi. Opozita duhet të angazhohet në një betejë ligjore për të siguruar moszbatimin e këtij ligji deri në mbajtjen e referendumit. Kjo është një betejë që i heq shansin mafies së plehrave të jetë aleate e qeverisë në betejën elektorale me pare të zeza dhe forcon aleancën e shoqërisë civile me opozitën në këtë kauzë të përbashkët.

Veprimi i dytë me karakter politik duhet të jetë kërkesa zyrtare e deputetëve të opozitës për këtë referendum. Sipas ligjit shqiptar një referendum mund të mbahet dhe me firmën e 28 deputetëve në parlament dhe opozita duhet të këmbëngulë që ky referendum të mbahet bashkë me zgjedhjet parlamentare. Në SHBA dhe vende të tjera demokratike zgjedhjet parlamentare shoqërohen gjithmonë dhe me referendume për çështje të rëndësishme politike. Duke qenë se infrastruktura e zgjedhjeve është gati dhe nuk kërkohen shpenzime shtesë, një referendum për importin e plehrave në të njërën datë me zgjedhjet parlamentare do të ishte një përgjigje e duhur politike kundër qeverisë, e cila e bllokoi referendumin pikërisht nga frika e humbjes së mbështetjes popullore.

Kjo natyrisht do një aksion të koncentruar ligjor për të shmangur “kleçkat’ që nxjerr Berisha gjatë rrugës, por mbi të gjitha do qartësi politike që opozita të shpallë aleancën e saj publike me shoqërinë civile për këtë kauzë. Gjashtëdhjetë mijë qytetarë shqiptarë nuk mund të lihen të braktisur dhe të pashpresë vetëm nga frika që Sali Berisha ka për humbjen e pushtetit. Mafia e plehrave më shumë se sa ligjin e plehrave apo afatin kur do të zbatohet, kërkon që në këtë vend të sundojë Sali Berisha, pasi aty i kanë të gjitha garancitë.

Ata mund të bëjnë koncesione të pjesshme apo mund të shmangen nga skena për disa muaj, por objektivi i tyre afatgjatë është që Berisha të jetë në pushtet si garantuesi më i madh i biznesit të tyre. Ndaj sa të merremi me kleçkat dhe yçklat e Sali Berishës në mbrojtje të tyre, është më mirë të merremi me Sali Berishën. Nëse kjo mafie duhet goditur seriozisht dhe zyrtarisht, duhet që ky aksion të kthehet në kauzë të opozitës dhe t’i bashkohet motivit të madh për ndryshimin e pushtetit në Shqipëri.

Shqipëria nuk mund të shpëtojë nga plehrat derisa garanti i mafies së plehrave të jetë në pushtet. Shqipëria nuk mund të jetë e sigurt derisa njeriu që ia bën jetën të pasigurt çdo qytetari rri në zyrën e kryeministrisë. Ndaj referendumi për ndaljen e importit të plehrave duhet bashkuar me ditën kur shqiptarët vendosin për fatin e Sali Berishës. Atëherë kemi shans të votojmë qartësisht kundër mafies së plehrave duke i hequr asaj nga pushteti garantin e madh, Sali Berishën. Siç është zakon, plehrat, kur hidhen, bashkohen të gjitha në një qese. Dhe largimin e tyre dhe garantit të tyre duhet ta bashkojmë në një kuti, në një ditë, me një frymë.