Në mendjen e Berishës ishte 11 janari

0
51

Nga Mero Baze, 10 Janar 2012

Më 11 janar mbushet një vit nga dita kur emisioni ‘Fiks Fare’, dhe më pas thuajse gjithë media shqiptare, publikuan video-përgjimin e Ilir Metës në zyrën e Ministrit të Ekonomisë, duke bërë pazare, duke ofruar ryshfete, duke bërë presion dhe mbi të gjitha duke mos folur asnjë sekondë brenda ligjit dhe në respekt të shtetit ligjor, të cilin duhet të përfaqësojë zëvendëskryeministri i një qeverie.

Në asnjë vend të botës kjo ngjarje nuk do të kishte përvjetor. Nëse ajo video do të ishte shfaqur në Austri, Gjermani, Itali, Angli, SHBA apo kudo gjetkë në Perëndim, personazhi i asaj videoje do të ishte në burg pa u errur dita. Ka qindra raste nga historitë e këtyre vendeve, që për gjeste shumë herë më pak fyese për shtetin, personalitete të mëdha kanë ikur nga politika dhe janë përballë me drejtësinë.

Tek ne ka ndodhur vetëm një mrekulli e vogël. Prokuroria ka hetuar me përgjegjësi dhe profesionalizëm dhe ka gjetur Ilir Metën fajtor duke kërkuar dy vjet burg. Vendimi pritet gjerësisht të hidhet poshtë në mënyrë të pacipë nga katër gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, të cilët janë rreshtuar gjatë gjithë procesit sikur të ishin bodigardë të Ilir Metës dhe jo gjyqtarë të Gjykatës së Lartë.

Por pse po detyrohem të shkruaj për këtë “përvjetor”?

Arsyeja në të vërtetë është makthi që prodhoi tek Sali Berisha publikimi i kasetës. Pas dy protestave modeste nga organizata ‘Mjaft’ para Ministrisë së Ekonomisë, Ilir Meta dha dorëheqje dhe në vend u rrit vala e zemërimit popullor kundër qeverisë. Beteja e nervave gati dy vjeçare me opozitën për zgjedhjet e qershorit 2009, shpërtheu në zemërim popullor kur u pa arsyeja e vërtetë përse pushteti prek zgjedhjet. Revolta e 21 janarit ishte jo vetëm demonstrata më e natyrshme që ka pasur Shqipëria këto 20 vjet, por dhe më legjitimja në fuqinë dhe agresivitetin e saj ndaj simboleve të pushtetit.

Pasi vrau katër burra në mes të bulevardit dhe plagosi rreth 30 të tjerë, Sali Berisha iu përvesh punës të mbulojë gjurmët e krimit. Në mesnatën e 21 janarit ka kopjuar dhe më pas ka fshirë gjithë serverin e kryeministrisë, ku janë të regjistruara jo vetëm pamjet filmike, por dhe urdhrat e radiove të policisë që komandoheshin prej kryeministrisë, kur është hapur zjarr. Të nesërmen dhe pasnesërmen ai filloi sulmin mbi institucionet për të relativizuar hetimin dhe për të frenuar hetimin gjyqësor ndaj tij. Brenda tri ditëve ngriti një komision qesharak parlamentar që ta përdorte si mekanizëm presioni mbi drejtësinë… Dhe pikërisht aty kam parë makthin real të tij.

Një deputet që po rropatet t’i hyjë në zemrën e thyer Sali Berishës, shqiptoi si puçistë dhe emrat e katër gazetarëve dhe kërkoi tabulatet e tyre. Dy prej gazetarëve ishin dhe janë dy gazetarët kryesorë të Top Channel, Filip Çakuli dhe Sokol Balla, dy të tjerët- unë dhe Andi Bushati, ishim thjesht një sfond ilustrues për ta bërë listën më të gjatë dhe për ta etiketuar. Edhe pse e morëm me mjaft humor atë kërkesë, në kontrast me shqetësimin me të cilën e mori Perëndimi, unë shikoja se makthi i Berishës nuk ishte çfarë kishim bërë ne më 21 janar, pasi atë ditë thuajse s’kemi bërë asgjë vetëm sa jemi ruajtur mos na zinte ndonjë plumb. Kërkesa e tij ishte që tabulatet tona të merreshin nga data 1 janar…!!! Në mendjen e sëmurë të Sali Berishës vërtitej paranoja e puçit që media i kishte bërë me publikimin e kasetës së Ilir Metës.

Ky i fundit ofroi qindra mijëra euro për mospublikimin e saj, më pas presione e kërcënime, herë-herë miqësira dhe oferta, por nuk ia doli dot. Sali Berisha vazhdon të ketë një kuriozitet në mendjen e tij, si funksionoi publikimi i asaj videoje, me kë ka folur Filip Çakuli apo Sokol Balla, a ua ka dhënë Dritan Prifti apo Edi Rama, sa herë kanë folur në telefon, etj. Ishte e qartë se Berisha realisht është tronditur më 11 janar dhe më 21 janar thjesht ka shpërthyer skizofreninë e tij kriminale dhe ka vrarë njerëz. Tronditjen e rëndë që ndaj tij po përgatitej një puç, ai e ka pësuar më 11 janar, kur ka parë videon shokuese të zëvendësit të tij në ekranin më të madh shqiptar.

Kjo është arsyeja përse ai në mes të tensionit për të mbuluar krimin e vrasjes së katër qytetarëve, nuk kishte në mendje opozitarët, por gazetarët. Në një skutë të errët të koshiencës së tij ishte ngulitur se duhej dhënë një shembull ndëshkimi për ata që i bënë gjëmën.

Ndoqa një intervistë në audio të tij, dhënë një gazetari perëndimor dy ditë pas 21 janarit. Do ta ribotoj së afërmi në gazetën Tema. Është një përrua psikik që rrjedh pa asnjë farë kuptimi, dhe ndërsa gazetari e pyet për të vrarët, ai flet për Filip Çakulin, gazetarët që montuan videon, sekondat e videos që implikojnë atë… pastaj kthehet prapë tek videoja, prapë tek gazetarët, prapë tek videoja… aq sa po të ishte ndonjë gazetar i paqartë, do mendonte se katër gazetarë kanë vrarë katër demonstrues.

Fiksimi i tij se 21 janarin e solli pikërisht 11 janari, është gjëja më e vërtetë që ai beson. Por ajo që ai nuk pranon dot është se Ilir Meta përveçse i përbalti publikisht qeverisjen, e ka futur atë në spiralen e një krimi shtetëror, nga i cili Ilir Meta del i larë, por Sali Berisha dhe Lulëzim Basha do të ndiqen gjithë jetën deri në varr si vrasës.

Ky është çmimi më i rëndë që Sali Berisha po paguan ndonjë herë në jetën e tij si politikan në emër të një bashkëpunëtori që i siguroi një mandat katër vjeçar në pushtet dhe një mandat arresti të përjetshëm. I qartë për këtë fat të tij, ai vazhdon të ketë në mendje të tij si një ditë fatkeqe pikërisht 11 janarin, ditën për të cilën gazetarët që i publikuan videon nuk kanë asnjë meritë të veçantë përveç guximit dhe asnjë plan për t’i varrosur atij të ardhmen politike, pasi asnjë herë nuk na shkoi në mendje se ai do rivriste për të qëndruar në pushtet.

Një vit më pas jam i qartë se data që ai urren është data që nisi rrënimin e tij, dita që në ekranet e shqiptarëve u shfaq babëzia, makutëria dhe fyerja që pushteti u bënte shqiptarëve duke bërë pazar me paret e tyre. Është dita kur Berisha ka filluar të mendojë për herë të parë në jetën e tij si do të mbrohet nga ajo çfarë ka bërë. Të vështirë do ta ketë, por nuk është për t’i qarë hallin. Dënimi me vdekje është hequr.