Në kurrizin e të majtëve

0
56

Bledar H. Prifti, 20.07.2010

Kudo në politikën dhe shoqërinë Shqiptare tashmë po flitet rreth pasurisë marramëndëse që Ministri i Ekonomisë dhe antari i LSI, z. Dritan Prifti, arriti të grumbullojë vitin e kaluar.

Bëhet fjalë për afro DY MILIARD e 300 MILION lekë. Është intrigues fakti se si një deputet-ministër arrin që përmes një investimi prej tridhjetë mijë eurosh të marri brenda një viti e gjysëm një fitim prej MILIARDA lekësh.

Karriera politike e z. Prifti është e lidhur më së shumti me dy baronët aktual të politikës Shqiptare: Ilir Meta dhe Sali Berisha. Karrierën e tij publike ai e filloi si drejtor i KESH në një kohë kur kryeministër i vendit ishte z. Ilir Meta.

Fill pas largimit nga KESH, ai u akuzua për abuzimin prej afro katër milionë dollarësh Amerikanë me fondet e KESH, por arriti t’i shpëtoj ndjekjes penale për shkak të gjëndjes së keqe shëndetsore, fal mbështetjes së kryeministrit të athershëm Meta, dhe largimit nga posti i Kryeprokurorit të Z. Arben Rakipi.

Me ish-liderin socialist, Fatos Nano, ai ka pasur mardhënie të tensionuara, të cilat kulminuan me tentativat për ndjekje penale për Priftin dhe me akuzat e këtij të fundit për Nanon në lidhje me pastrimin e NJË MILIARD dollarëve Amerikanë. Prifti iu bashkua Metës për të krijuar LSI.-në në vitin 2004.

Por më intriguese se pasuria miliardshe dhe aktiviteti politik i Z. Prifti është krijimi dhe aktiviteti i LSI-së në politikën Shqiptare. LSI, nisur nga ajo çfarë mendohet publikisht, u krijua si reagim përkundrejt politikave të papërgjegjshme të Fatos Nanos në krye të Partisë Socialiste dhe si rrezultat i “armiqësive politike” që ishin krijuar midis Nanos dhe grupimit të udhëhequr nga Meta dhe Prifti gjatë kohës kur këta të fundit posedonin postin e kryeministrit dhe drejtorit të KESH dhe kur Fatos Nano drejtonte PS-në dhe kishte mbështetjen e Prokurorit të Përgjithshëm, Arben Rakipi, dhe shumë figurave të tjera të larta të partisë.

Këto dy arsye nxjerrin në dritë edhe kompozicionin e LSI. Një grupim iu largua PS-së për shkak të menaxhimit të papërgjegjshëm të Fatos Nanos kurse një grupim tjetër u larguar për shkak të përplasjeve me Nanon për arsye dhe interesa të mirfillta pushteti dhe ekonomike.

Në ndihmë të kësaj strategjie intriguese dhe diabolike të Metës erdhën edhe sofizmat dhe sentimentalizmat e hedhura nga disa figura politike të majta dhe socialiste që një Zot e di se ku i kanë lexuar dhe nga kush ekspert i shkencave politike i kanë dëgjuar që flasin çapraz edhe sot e kësaj dite.

Në atë kohë, deputeti Skënder Gjinushi deklaronte se ndarja e LSI i bënte mirë dhe e forconte demokracinë, të majtën dhe socialistët. Sa qesharak tingëllon sot ky sofizëm, por edhe me qesharake do të tingëllojnë nesër sofizmat dhe sentimentalizmat e sotme të hedhura nga disa figura të larta politike të Partisë Socialiste.

Por le t’i kthehemi LSI-së. Ajo u krijua me iniciativën e ish-kryeministrit Iliri Meta dhe deputetit Prifti dhe me mbështetjen e një grupi deputetësh dhe socialistësh që përfshinte Monika Kryemadhin, Sabit Brokaj, Ndre Legisi, Pëllumb Xhufin, Spartak Braho, Mustafa Muçi, Limoz Dizdari, dhe Fatos Klosi.

Pas bashkimit të Ilir Metës dhe Dritan Priftit me Sali Berishë, nga LSI u larguan figurat ndër më të spikatura socialiste dhe të LSI si Sabit Brokaj, Ndre Legisi, Pellumb Xhufi, Fatos Klosi, dhe Mustafa Muci. Ndarja e grupimit të sipërpërmëndur tregon ndarjen midis atij grupimi që iu largua PS-së për arsye parimore (mbase edhe nën efektin e sofizmave) për shkak të keqmenaxhimit të saj nga Nano dhe grupimit që iu largua PS-së për shkaqe dhe arsye të mirfillta pushteti dhe paraje.

Tashmë mund të flasim me bindje se kjo LSI e ngelur pas ikjes së socialistëve si Brokaj, Xhufi dhe Legisi nuk është gjë tjetër por një grupim biznesi familjar që nuk ka asgjë të lidhur apo të përbashkët jo vetëm me socialistët por as edhe me politikën në tërësi.

Nuk ka asgjë, agjë socialiste tek LSI dhe nuk ka asgjë politike për një forcë politike, elektorati i së cilës përbëhet vetëm nga individë dhe familjar individësh të punësuar në administratë shtetërore.

Ndaj nuk duhet të në habisë martesa politike e Metës me Berishën dhe as pasuria prej miliarda lekësh e Dritan Priftit e bërë fill pas martesës politike Berisha-Meta.

Si një forcë pa identitet dhe përgjegjësi politike, LSI do të lidhej jo vetëm me Sali Berishën por edhe me Fidel Kastron dhe Hugo Chavezin. Ajo do të gllabëronte jo vetëm disa miliarda lekë por do të ishte e gatshmë ta vendoste politikën dhe ekonominë nën thundrën e saj.

Për socialistët, e vërteta është se LSI asnjëherë nuk ka qënë socialiste. Krijimi i LSI dhe martesa Berisha-Meta janë ngjarjet më intriguese dhe diabolike që i janë ofruar ndonjëherë politikës dhe opozitës socialiste.

Këto ngjarje intriguese kanë të bëjnë me sponsorizimin më të kamufluar dhe diabolik nga ana e Ilir Metës dhe Sali Berishës, në vitin 2004, për krijimin e LSI-së, e cila kishte si qëllim ardhjen e Metës në krye të Partisë Socialiste, e paraprirë kjo dhe e shkaktuar nga ardhja në pushtet e Sali Berishës pas rrëzimit të Nanos dhe socialistëve në zgjedhjet e 2005-ës.

Siç e theksuam më lartë, Ilir Meta dhe shpura e tij e përfaqësuar nga Dritan Prifti janë politikan biznesmen dhe tmerrësisht të dashuruar pas parasë dhe pushtetit. Si Berisha ashtu edhe Meta kërkonin me çdo kusht pushtetin për të avancuar interesat e tyre ekonomike që ua kishte ndërprerë Fatos Nano.

Për këtë qëllim, duke shfrytëzuar dhe qefmbetjet dhe sofizmat në radhët e socialistëve të ndershëm dhe keqmenaxhimin e PS nga Nano, Ilir Meta u shkëput nga PS duke e përçarë atë shumë keq dhe me vetdije që PS dhe socialistët do të humbisnin betejën e parë elektorale që do të vinte.

Për t’i shërbyer qëllimit të tij, Meta filloi ta konsideronte veten e tij si radikal dhe një person anti-Berishian. Kjo logo do të përdorej pas humbjes së socialistëve dhe të Nanon për ta kthyer Metën si një “shpëtimtar” në krye të PS.

Dhe planet e Metës dhe Berishës ecën ashtu si këta të dy e kishin planifikuar. Në zgjedhjet parlamentare të 2005-ës Sali Berisha fiton zgjedhjet dhe merr pushtetin me afro 40% të votave në mënyrën më qesharake të mundur.

Një rrezultat i tillë, gjëndja e shokut, dhe pakënaqësit në radhët e PS bën të mundur që pozitat politike të Nanos të lëkundeshin seriozisht dhe ky fundit të konsideronte seriozisht largimin e tij nga kreu i PS. Deri këtu skenari Berisha-Meta ecte ashtu si ishte i planifikuar.

Por pikërisht në këtë fazë ndodh dicka e papritur dhe e paparashikuar si nga Meta ashtu edhe nga Berisha. Edi Rama, kryetari i Bashkisë së Tiranës hyn vrullshëm në politikën socialiste dhe shqiptare duke marrë postin e kreut të PS-së. Kjo gjë shokoi dhe irritoi Metën dhe të tijët. Përsëri për të realizuar ambicjet e tija politiko-ekonomike, Meta do të duhej të bashkpunonte me Berishën i cili tashmë ishte bërë kryeministër i vendit.

Nëse dje problemi ishte rrëzimi i Nanos, sot problemi real i Metës ishte rrëzimi i Ramës pothuajse me të njëjtën strategji. Këtu fillon sponsorizimi direkt politik dhe ekonomik i LSI nga Berisha dhe promovimi i Metës si një politikan radikal anti-Berishian.

Dhe e gjithë kjo strategji synonte që të rriste forcën e LSI duke ulur forcën elektorale të PS, e cila rrjedhimisht do të shkaktontë të njëjtën gjë që ndodhi në 2005-ën. Jo më kot edhe Drtitan Prifti dhe shumë pjestarë të LSI i filluan “bizneset” e tyre të majme nga vitet 2006-2007 e më vonë.

Berisha gjithashtu e investoi LSI-në politikisht dhe mediatikisht. LSI, në mënyrë të paprecedent gëzonte një mbështetje shumë të fuqishme në media dhe në oponionbërjen politike.

Tezat radikale anti-Berishiane, pakënaqësitë brenda PS, dhe propaganda anti-Rama e promovuar kudo si nga media dhe nga politika Berisha-Meta bëri që shumë analistë me bindje të majta t’i largoheshin PS dhe t’i bashkoheshin LSI.

Zgjedhjet e 28 Qershorit dhe martesa Berisha-Meta bën publike një lidhje që nuk kishte aspak lidhje me politikën apointeresat e popullit dhe elektoratit të majtë. Shumë u fol për paaftësi të Ramës për të krijuar kualicion me Metën dhe Priftin.

Këto janë përralla me mbret! Cilido të ishte rrezultati i këtij kualicioni, pas zgjedhjeve, Rama do të duhej të pranonte ose Metën kryeministër ose të vihej përballë faktit që Meta të ndërtonte një kualicion me Berishën.

Ndaj nuk është surprizë që Meta pranoi një kualicion paszgjedhor me Berishën kryeministër dhe nuk pranoj një kualicion parazgjedhor me socialistët dhe Ramën kryeministër.

Socialistët dhe të majtët duhet të kuptojnë se çfarë është luajtur dhe po luhet në kurrizin e tyre nga dyshja Berisha-Meta dhe lakejve si Prifti për të përmbushur babëzinë e tyre për pushtet absolut politik dhe ekonomik. Zgjedhjet e vitit 2005 dhe 2009 e vërtetojnë këtë gjë. Edhe Fatos Nano, që sot i është bashkuar dyshes Berisha-Meta, në realitet, është viktimë e marveshjeve midis kësaj dysheje.

Që nga fillimi, Nano kërkonte ndjekje penale për Priftin për shpërdorim dhe vjedhje të fondit prej katër million dollar të KESH-it të qeverisë me kryeministër Ilir Metën, Prifti dhe Meta denoncojnë Nanon për pastrim të një milliard dollarëve nga qeveria e mëvonshme Nano, Meta dhe Prifti i “bëjnë gropën” politikisht Nanos në dëm të socialistëve duke bërë pakt me Berishën, Meta dhe Prifti tentojnë t’i “bëjnë gropën” politikisht edhe Ramës por dështojnë, edhe pse Rama, e majta dhe socialistët vuajnë sot pasojat.

Fundi, Dritan Prifti pasurohet befas brënda nje viti me DY MILIARD E 300 MILION lekë. Por Prifti, e thënë ndryshe, “Prifti i Saliut” nuk duhet të konsiderohet si fenomen i lokalizuar.

Ai duhet të konceptohet si simboli i LSI-së dhe produkt i martesës politike Berisha-Meta. Elektorati socialist dhe populli duhet të kuptojnë se fenomeni Prifti dhe grupimi LSI nuk kanë asgjë të përbashkët me politikën dhe interesat e elektoratit dhe popullit. Prifti dhe LSI janë një biznesmenë që prodhojnë MILIARDA për hesapet dhe klikat e tyre.